Shoqata e fizioterapisë ka kërkuar nga dikasteret shëndetësore që të hartojnë politikat e duhura për përfshirjen e këtij shërbimi në të gjithë sektorin publik
Pranvera Kola
Fizioterapia shihet si një ndër format me të mira trajtuese që ndihmon në rikuperimin e shpejtë të pacientëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të kockave, atyre neurologjike, lëndimeve sportive, aksidenteve, si dhe sëmundjeve muskulare. Më e mira e këtij shërbimi është se ndihmon në shërimin e shpejtë të pacientëve duke pakësuar edhe përdorimin masiv te medikamenteve.
Por, pavarësisht këtyre efekteve pozitive, në Shqipëri ky shërbim në publik aplikohet shumë pak. Kjo ka bërë që pacientët për shërimin e shumë sëmundjeve tu besojnë verbërisht dozave masive të përdorimit të ilaçeve. Shërim ky që mund të jetë edhe më i shpejtë nëse aplikohet fizioterapia e kombinuar me sasinë e duhur të barnave.
Kundrejt këtij shqetësimi Shoqata e Fizioterapistëve të Shqipërisë u ka kërkuar dikastereve përgjegjëse shëndetësore që të marrin masa në hartimin e politikave që i japin prioritet përfshirjes së këtij shërbimi në të gjithë sektorët e shëndetëisë publike. Kjo pasi rezultatet trajtuese janë më efikase. Kjo kërkesë është bërë gjatë mbajtjes së Kongresit të parë të Shoqatës së Fizioterapisë që u mbajt ditën e djeshme. Në këtë aktivitet specialistët vunë në dukje edhe të dhënat e studimit të kryer tek disa pacientë.
Konkretisht ata testuan aplikimin e kombinuar të medikamenteve me fizioterapi tek disa pacientë me dhembje mesi dhe për 10 ditë ata rivlerësuan gjendjen e tyre. Muskujt e tyre ishin forcuar dhe dhimbja pakësuar. E kundërta u vu re tek pacientët që përdornin vetëm barnat si mundësi trajtimi. Kështu tek ata që përdornin vetëm ilaçe, rehabilitimi zgjati për shumë më shumë ditë sesa tek pacientët që kombinuar terapinë me medikamente dhe fizioterapi. “Aksidentet në jetën tonë të përditshme janë shtuar ndjeshëm, duke u bërë shkaktare e gjymtimeve të shumë njerëzve dhe kur numri i personave që kanë probleme me shtylllën kurrizore apo me sëmundje të tjera rritet çdo ditë, kjo shkencë rehabilituese gjen vend në pothuajse 85 për qind të patologjive me trajtime rehabilituese direkte.
“Është shumë e domosdoshme hartimi i politikave mbështetëse për shërbimin e fizioterapisë në mënyrë të tillë, që ky shërbim të jetë i koordinuar me klinikat nga ku vinë më së shumti këta pacientë”, ka deklaruar gjatë kongresit Liri Berisha.
Përdorimi i Fizioterapisë
Fizioterapia klasifikohet si shkencë mjekësore që siguron rehabilitimin duke zënë vende në 85 për qind të patologjive të ndryshme që prekin organizimin tonë. Ajo është një praktikë relativisht e re mjekësore që ka për qëllim reduktimin e dhimbjes dhe rimëkëmbjen e funksionit motorike të pacientit. Trajtimet nëpërmjet fizioterapisë ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve reumatike, çrregullimeve neurologjike, çrregullimeve ortopedike, dhimbjeve të qafës, shpinës, lëndimet sportive dhe ato të muskujve etj.
Shërimi duke mbajtur larg ilaçet
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, fizioterapia sot konsiderohet si terapia që mban larg ilaçet. Ajo është metoda e rehabilitimit fizik dhe mirëmbajtjes për të gjithë ata persona që kanë pësuar dëmtime e aksidente të ndryshme apo që kanë nevojë rehabilitimi pas operacioneve të veçanta si rikuperim lëvizjesh të gjymtyrëve të dëmtuara. Ky lloj trajtimi ndihmon ata që vuajnë nga sëmundjet e kolonës e shpinës apo kanë probleme reumatizmale, ata që kanë probleme me paralizat, spondiloartrozat, herniet diskale apo neuritet, duke sjellë në mënyrë të duruar dhe fiziologjike nga fizioterapisti, riaftësim të funksioneve motorike pa asnjë efekt anësor.
Këto kohët e fundit ka hyrë në përdorim edhe për trajtimin e disa sëmundjeve të tjera duke përfshirë këtu edhe kancerin. Pacientët që mund t’i nënshtrohen fizioterapisë, nuk duhet të jenë në gradën e fundit të sëmundjes. Shanset më të mëdha për një rehabilitim të plotë i kanë ata të sëmurë që trajtohen që në fazën e parë apo të dytë të problematikave shëndetësore.