“Film hollivudian”
Përdoret si shprehje për ndonjë ngjarje të organizuar në mënyrë të përsosur me të gjitha hollësitë. Po ka dhe një kontekst tjetër, që Hollivudi, si një uzinë, sajon ëndrra standard të amerikanit të mesëm, me një moral portativ, që mundohet t’i drejtojë njerëzit në jetë.
Në këtë rast shprehja “si një film Hollivudi” përdoret në kuptimin e pabesueshmërisë, një gjëje qe s’mund t’i besohet, që është e stisur si në film.
“Portret rembrandesk”
Rembrandi është një nga piktorët më të shquar holandez, veprat e të cilit janë vendosur në galeritë më të mëdha të botës. Ndër pikturat e tij, portretet dhe autoportretet dallohen për mjetet e fuqishme shprehëse, linjat e ashpra, ngjyrat e errëta, kontrastet e forta dhe force karakteri.
Fjala “portret rembrandesk”, është bërë tashmë një metaforë për të përshkruar njerëz me cilësi të rralla fizike dhe shpirtërore.
“Xhepi bosh si banka jugosllave”
Ka qenë një periudhë nga mesi i shekullit të 19-të, kur ekonomia jugosllave pësoi një rënie të madhe. Në atë kohë “Xhepi bosh si banka jugosllave” si shprehje është përdorur nga Karl Marksi, pastaj doli nga librat e rëndë të tij dhe gjeti përdorim të gjerë në Evropë.
Përdoret edhe sot e kësaj dite për të treguar mungesën e parave, falimentimin e një firme a të një njeriu. Populli në këtë rast përdor fjalën xhepgrisur, xhepshpuar.
“Mea culpa”
Eshtë një frazë latine që në anglisht përkthehet “gabimi im” ose “faji im”. Ajo merr kuptim të plotë kur ky faj apo gabim është personal, por ndikon shumë te të tjerët. Origjina e shprehjes vjen nga një lutje e rrëfimit të mëkateve në Meshën e Kishës Katolike Romake, njohur si Confiteor (latinisht “rrëfej”). Në gjuhën popullore, shprehja “mea culpa” është një pranim i fajit nga një njeri.
Përdoret në sport, kur një lojtar pranon se ekipi i tij ka humbur një lojë, sepse ai humbi një mundësi për të shënuar. Përdoret edhe në kuptimin e një ndjese apo faljeje për një gabim.