Fjalë lapidare nga historia

anazapta

“Kapërcime pindarike”

Pindari (518–446), poet lirik i Greqisë së lashtë, nga qyteti i Beotisë. Shquhet për odet e tij të famshme, por edhe për një formë të shkruari të poezisë, ku kalimi nga një formë logjike në një formë tjetër bëhet nëpërmjet antistrofave, vargjeve në kuptim të kundërt ose pa lidhje. Përdoret në letërsi si stil ose figurë letrare, por shprehja “kapërcim pindarik” përdoret edhe për të treguar një veprim që nuk kalon në etapat normale.

 

Këmbët amerikane

Amerikanët për të treguar një farë epërsie dhe moskokëçarje, vendosin këmbët mbi tavolina. Disidenti rus Ilia Heremburg shkruan se këmbët amerikane janë tepër shprehëse dhe kanë të gjitha të drejtat. Ngrihen shumë lart, vihen mbi frona, mbi tryeza. Kur diskuton një amerikan edhe këmbët marrin pjesë në diskutim. Ndoshta këtë ka pasur parasysh Hrushovi kur nxori këpucën në OKB. Te ne një veprim i tillë është fyes dhe i papranueshëm.

 

“Kodi i Cezarit”

Kur dërgonte mesazhe perandori romak Jul Cezar përdorte një kod të veçantë, që ka marrë emrin “Kodi i Cezarit”. Ky ishte një kod i thjeshtë, por i kujdesshëm. Sipas tij, shifrat e Cezarit janë një sistem ku çdo shkronjë e alfabetit zhvendoset me tre vende (në vend të B-së përdoret D-ja), në mënyrë që të kamufloheshin fjalët që do të përmbante mesazhi. Ky kod është përdorur në atë kohë me shumë sukses, pasi shumë njerëz nuk dinin shkrim e këndim. Ky kod përdoret edhe sot nga institucione të ndryshme të inteligjencës në vende të ndryshme të botës, por edhe nga individë në komunikime të zakonshme.

 

“Kolona e pestë”

Ky term lindi në Luftën e Spanjës. Një gjeneral i lartë i Frankos, që komandonte ushtrinë kundërrevolucionare, sulmoi Madridin me katër kolona. Ai tha se po sulmojmë Madridin me pesë kolona. “Ne s’kemi pesë po katër”, i thanë vartësit. “E pesta është brenda; janë tradhtarët, bashkëpunëtorët, spiunët”, tha ai. Shprehja “kolona e pestë” shërben për të cilësuar tradhtarët, spiunët, që veprojnë nën rrogoz, nga brenda.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *