“Edukatë spartanësh”
Spartanët stërviteshin në një mënyrë tepër të rreptë për të përballuar vështirësitë e luftës. Ata jetonin në kushte tepër të vështira për t’u kalitur në mënyrë që beteja t’u dukej e lehtë. “Edukatë spartane” përdoret për një disiplinë skrupuloze të rregullt. Përdoret edhe “drekë spartanësh”, pasi krahas të tjerave spartanët mësoheshin edhe me ushqim të pakët dhe të keq. Shprehja “drekë spartanësh” ka kuptimin e një sofre, apo tavoline të varfër.
“Eminenca gri”
Si fjalë ka gjetur përdorim të madh në të gjithë botën. Historia e lindjes së saj është kjo: Një ndihmësi i Rishelies, për t’u dalluar nga kolegët e tij, vishte mantel gri. Sot “eminenca gri” përdoret në rastin e këshilltarëve zyrtarë, të cilët qëndrojnë në prapaskenë, por luajnë rol në politikën e madhe, dëgjohen shumë nga shefat e tyre pavarësisht pozicionit dhe shkallës së ulët që kanë në administratë.
Filipiket e Demostenit
Në një gosti të shtruar për nder të delegacionit të qytetit të Athinës nga mbreti Filip II i Maqedonisë, oratori Demosten shpërtheu kundër mbretit jo me fjalë të ashpra, por të mençura, me kuintesenca të së vërtetës historike. Fjalët që iu thanë mbretit Filip dhe popullit të Athinës në atë kohë nga Demosteni quhen filipike. Filipi nuk ia fali Demostenit, deri sa e detyroi të pijë helmin. Filipiket janë kthyer tashmë në një gjini të veçantë letrare, një mënyrë të shkruari dhe të foluri shkurt, qartë dhe me ide të thellë.
“Fitore si e Pirros”
Në betejën në Heraklea, afër Tarentit (280 para Kr.) Pirroja i Epirit u ndesh me një ushtri romake dy herë me të madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar. Aty ai përdori edhe elefantët, të cilët romakët i shihnin për herë të parë. Në këtë betejë, megjithëse fitoi, Pirroja pati shumë humbje në oficerë dhe ushtarë. Prej këtej lindi edhe shprehja “Fitore si e Pirros” që përdoret në rastet e arritjes së një qëllimi, por me humbje të mëdha, që në ndonjë rast edhe s’ia vlen.
