Efektivi i policisë së Korçës është vetëvrarë pasi përfundoi darkën me miqtë. Familja pretendon se arma është shkrepur aksidentalisht dhe se nuk ka qenë një vetëvrasje
Evelina Hoxha
Është vetëvrarë me armën e shërbimit në sy të miqve të tij, 30-vjeçari Dornjel Milo, djali i nënprefektit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 7 të qytetit të Korçës, dhe sipas policisë, oficeri i policisë së antitrafiqeve, është vetëflijuar sapo ka përfunduar një darkë me shokët e tij.
Vetëvrasja është kryer brenda në makinën e tij, dhe çdo gjë është parë nga miqtë e vet.
Njëri prej tyre ka rrëfyer në dëshminë e tij, se sapo Dornjeli ka hyrë në makinë, ndërsa mbante një shishe birre në dorë, i tha vetes “Tani t’ia bëjmë si burrat”.
Pas këtij pohimi, 30-vjeçari fut tytën e pistoletës në gojë dhe e shkrep. Miqtë nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, veçse janë shokuar nga akti i shokut të tyre. Ata kanë parë me sy skenën sesi Dornjeli ka futur pistoletën në gojë, por askush nuk e besonte se ai do ta shkrepte atë. Të gjithë personat që ishin me të janë marrë në pyetje për hollësitë rreth ngjarje, dhe çka është më e çuditshme, rezulton se 30-vjeçari ka konsumuar këtë natë shumë më pak alkool se më parë. Ai njihej ndër njerëzit si njeri që kur konsumonte alkool, krijonte edhe zhurmë në ambjente apo në qytet. Shokët e tij i kanë treguar policisë, se 30-vjeçari nuk kishte qënë si zakonisht, pasi në shumë momente gjatë darkës, ai ka heshtur.
Familja: Ishte aksident, jo vetëvrasje
Ngjarja ka shokuar mbarë opinionin, por më tepër familjen e të ndjerit. Ata nuk kanë dashur ta pranojnë aktin, madje u kanë kërkuar dhe gazetarëve të paraqesin versionin e tyre, që 30-vjeçari nuk kishte vrarë veten, por ishte viktimë e një ngjarjeje aksidentale. Të afërmit e viktimës kanë pretenduar se Dornjeli u vra sepse iu shkrep arma e shërbimit në kohën kur është futur në makinë. Por me gjithë pretendimet e tyre dhe vonesën e policisë së Korçës në daljen e një versioni zyrtar, zyrtarisht u tha se kemi të bëjmë me një vetëvrasje për arsye ende të paqarta. Policia po heton ngjarjen për zbardhjen e plotë të saj.