Fjalët e para të Gennaro Gattusos si trajneri i ri i Milanit kanë ardhur përmes rrjeteve sociale.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj, jam i nderuar”, ka shkruar ish-mesfushori kuqezi, duke e shoqëruar postimin edhe me një foto me dorën në zemër përpara tifozëve milanistë.
Fotoja e publikuar nga Gattuso i përket gushtit të vitit të kaluar, kur mori duartrokitjet e “San Siro”-s në momentin kur u prezantua si trajner i ekipit të të rinjve, “Primavera”, që e drejtoi deri mëngjesin e kësaj të hëne.
Tashmë ai do të rikthehet në “Giuseppe Meazza”, si trajner i Milanit. Një emocion që për të është edhe më i madh, për të mos thënë më i madhi i të gjitha kohërave.
Në qershor të vitit 2016, Rino Gattuso drejtonte Pizën, ndërsa Roberto De Zerbi ekipin e Foggias. Në përballjen e kthimit që vlente një biletë për ngjitjen në Serie B ndodhi një grindje e madhe në fushë.
Në atë kohë ishte thjesht një duel i Lega Pro, ndërsa tashmë në skenë do të ngjiten për Serie A. Asokohe shkëmbyen fjalë të rënda dhe jo vetëm. Dy trajnerët u ndëshkuan me kartona të kuq, ndërsa tifozët e Foggias do të hynin në fushë, duke shkaktuar edhe ndërhyrjen e forcave të rendit.
