Shqiptarët nuk kanë më frikë që të ngrenë flamurin shqiptar edhe në Serbi. Lugina e Preshevës e ka festuar 28 Nëntorin duke vendosur flamuj kombëtarë në ndërtesat e institucioneve në Bujanovc e Preshevë.
Ka qenë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, që vendosi në ballkonin e këtij institucioni flamurin kombëtar, në prani të dy kryetarëve të komunave, Preshevë e Bujanovc.
“Sfida më e madhe është që shqiptarët të drejtohen, unifikohen në rrugën e drejtë e të mirë, drejt Tiranës e Prishtinës. Për këtë, koalicioni ka marrë një obligim dhe kemi parimet për të nderuar ushtarët, të cilët luftuan për të qenë vetëvendosës në Luginë të Preshevës, për të nderuar referendumin e vitit 1992, për të drejta dhe tekste mësimore që vijnë nga Tirana e Prishtina, si dhe valëvitja e simbolit kombëtar, siç po valëvitet sot në Bujanovc, pasi nuk ka kompromis”, u shpreh Musliu.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, duke u uruar punë të mbarë anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar Shqiptar për punën në të ardhmen, uroi edhe shqiptarët për festën gjithëkombëtare.
“Shfrytëzoj rastin që, të gjithë shqiptarëve, para së gjithash, Qeverisë shqiptare, kosovare, shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Maqedonisë, si dhe shqiptarëve në tërë rruzullin tokësor, t’i uroj këtë ditë të bekuar dhe dhëntë Zoti që festat e tjera t’i festojmë me një atmosferë edhe më të mirë”, u shpreh kryetari i Komunës së Bujanovcit.
Më pas, Arifi e ngriti flamurin në ndërtesën e Komunës së Bujanovcit. Dita e flamurit dhe 102-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u festua me aktivitete kulturore në shtëpinë e kulturës në Preshevë e Bujanovc.

Bravo zoterinjve Musliu dhe Arifi por fatekeqsisht ne Shqipetaret brenda kufijeve te shqiperise <> se kur duhet te festojme ,me 29 apo ne ndonje date tjeter.Edhe vizita e Kryeministrit Rama dhe prononcimet e Tij kishin rendesine e tyre ne kete periudhe.Urime dhe pergezime te gjithe Shqipetareve kudo qe ndodhen.
Sa te kete e kudo te kete shqiptare do ngrihet flamuri kuq e zi!