Krahas flamurit kombëtar, ne shqiptarët kemi dhe flamuj të ndryshëm socialë; nga ata që sidomos këto vite, janë valëvitur paq, si për të shpalosur dramat tona karakteriale. Dhe ashtu siç tek ai kombëtar ku kemi shqiponjën me dy koka, si një paradigmë e fatalitetit tonë nacional ku ndarja dhe jo uniteti përbëjnë ashtin e punëve, kemi dhe një lloj flamuri, siç ai që duket në foto pak metra larg atij kombëtar. Po, është “flamuri” ynë social, ai që më së miri shpalos vetëdijen tonë shoqërore, sensin e pa sens të jetës, mentalitetin e deformuar, veset tona që nuk po mundemi t`i shkulim, e që për me tepër sa vijnë e na trashen. “Bar-Kafe” vijon të mbetet stacioni ynë kryesor, ku ndalimi, presim, fjalosemi, duhemi dhe urrehemi, ndahemi e takohemi. Nuk ndodh që një punë në këtë vend, edhe kur është punë, të mos kalojë fillimisht nga “Bar-Kafeja”. Ajo na frymëzon, na udhëheq, na orienton, na mbush me energji, për t`i hedhur të gjitha…në askund! Aty bijnë e ngrihen qeveri, aty vulosen fate njerëzore, aty shpallen të ndershmit e imoralet; aty ëndërrohet (me sy hapur), aty dashurohet, aty thashathemnohet, aty madje dhe tenderohet; aty ku flet goja e kurrë mendja. Shkurt, aty shqiptari shkruan historinë e vet. Po nëse ka një flamur që duhet shqyhet në këtë botë, ky është “flamuri” me siglën “Bar-Kafe”. Është i yni dhe na ka marrë më qafë: na ka dënuar për të qenë më shume të dehur se sa të esëllt e të ftilluar; për të qenë klientë më shumë se sa njerëz!
