Flamuri serb i Vuçiç dhe harta e Ukshin Hotit

Ornela

Sefer Pasha

Po i hedh këto shënime në letër nga detyrimi që kam për politikologun e madh të Shqipërisë Ukshin Hotin. Mbetem “ushtar” i filozofit të cilit nuk po i gjenden as kockat. Kosova është materia ime e shenjtë. Sa herë që marr vesh që përkitazi cënohet vepra e Ukshin Hotit pa mëdyshje rrëmbej armët dhe luftoj me aq sa mundem në llogoren time. Për tjetër gjë kam ardhur në Prizren. Botuesi më ka kthyer një libër. Më duhet të bëj disa korrigjime. Libri i kushtohet Ukshin Hotit, që serbët e zhdukën pa lënë gjurmë. Por e ndërpreva punën. Serbët që i kemi gjiton nuk na lënë të qetë edhe tani që Kosova është shtet i pavarur. Udhëheqësi i serbëve Aleksandër Vuçiç me pompozitet ulikasi e ka vendosur flamurin funebër serb mbi hartën e Kosovës. Prizrenasit që takoj janë të revoltuar nga kumti i zi. Lufta nuk ka mbaruar thonë njëzëri. Edhe ata më nxisin. Shkruaj dy fjalë kundër kralit të Serbisë që është njeri i Millosheviçit. Teksti i librit aty është këmbëngulin. Por mos harro më qortojnë poetët që të qepësh në kostumin e shkrimit kundër flamurit të Vuçiç edhe krushqit e Kosovës që po vaksinohen në Kukës. “Krushqit” janë mjekët e parë që nisën të vaksinohen në qytetin komshi të Kukësit.

I mbushur me inat që po nis të shkruaj një poemë të detyruar ndaj provokacionit të fundit të Aleksandër Vuçiç zë një tavolinë në kafenenë buzë lumit të Bistricës. Jashtë bie borë. Bora e luginës së Drinit të Bardhë ma mjekon shpirtin. Lumi gurgullon me gjëmim si një lukuni me ujqër. Prizrenasit më thonë se kur tufa e ujqërve del për të bërë dëm ata nëpër pyll nxjerrin nga goja një llavë aq të fuqishme sa lëkund pyllin sikur të fryjë ciklon. Llava e ujqërve është e tmerrshme. Nis të qëndis në letër. Motivet me qasen si zanat e malit të Sharrit. Sytë nuk i ndaj nga lumi që sjell copra akulli si të jenë qingja. Në valët e lumit është hedhur hiri i trupit të aktorit Bekim Fehmiut. Fehmiu i madh qe shumë i lidhur me Prizrenin. Në të majtë është shtëpia muze ku u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. E vizitoj shpesh këtë shtëpi. Kur lëviz nëpër qytet një mijë pyetje më mundojnë. Ku e priti Ymer Prizreni, Avdyl Frashërin? Në cilin hotel fjeti rilindasi? Ku ushqehej? Me çfarë lëvizte? Ç’biseda bënte me udhëheqësit e Lidhjes? Çfarë u thoshte prizrenasve? Po për Gjirokastrën ç’tregonte? Ç’fenomen ishte Avdyl Frashëri? Askush nuk e mbështeste. Nuk kishte parti. As makina të shtrenjta për të udhëtuar. Kur erdhi nga Gjirokastra e zuri nata dhe një natë qëndroi në fshatin Bushtricë të Lumës së Kukësit. Në odën e burrave të Lumës nuk tregoi se ai ishte Avdyl Frashëri. Pas kishte spiunët e Turqisë. Të nesërmen djemve të Lumës që e përcollën mikun nga Gjirokastra deri tek Qafa e Morinës i porositi që t’i thonin të zotit të shtëpisë në Bushtricë se unë jam Avdy Frashëri. Shtëpia ku qëndroi Avdyl Frashëri mbeti vetvetiu shtëpi muze në fshatin Bushtricë të Lumës së Kukësit. I zoti i shtëpisë në nderim të kujtimit të Avdyl Frashërit mësoi të këndoi këngën labe: – /Avdyl prishe pasurinë një barrë flori/. Dhe kur i vinin miqtë me këtë këngë e hapte muhabetin.

Lapsi ecën lirshëm. Janë motivet ato që më godasin me hosten. Pse provokoi Aleksandër Vuçiç shkruaj në letër? Kosova është shtet i pavarur. Dhe kërkoj me sy drejtimin në qytet ku u zhvillua gjyqi ndaj Ukshin Hotit. Gjyqi zhvillohej nga gjykatësja serbe Nadja Pashiq. Aktakuza e prokurorit serb nuk qe shunmë e rëndë. Prokurori e quante Ukshin Hotin kundërevolucoinar, “sllavo-komunist”, “marksit –leninist”, “stalinist” dhe të lidhur me sigurimin nga Shqipëria e tjera monstra. Por Nadja Pashiq mbeti pa mend kur e mori fjalën i pandehuri Ukshin Hoti, i cili në fund të fjalës së tij tha : – “Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar mendoj se duhet të jetë Prizreni, kjo i takon historikisht këtij qyteti, ndërsa i përgjigjet edhe gjeografikisht, pasi gjendet në qendër të trojeve shqiptare”. Dëshmitarët e gjyqit politik kanë treguar se gjatë pushimit në kafene Nadja Pashiq ka thënë se Ukshin Hoti nuk duhet ta shoh më dritën e diellit. Përbën rrezik për shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Fjalët e tij paralajmërojnë luftën. Dhe serbët nuk ju ndan Ukshin Hotit. E hetuan në burgun e sigurisë së lartë në Beograd. Më pas e prunë në burgun e Nishit e të Istogut. Nuk u teproi koha që ta mbyllnin në burgun e Goli Otokut, ku kishin dërmuar dhe Adem Demaçin. Hetuesit nga Beoogradi në të gjitha burgjet e kanë pyetur Ukshin Hotin, i cili kishte studjuar në universitetin e Harvardit se cilat qenë posrositë që ai kishte marrë në Amerikë? Brinjët disa herë ja bën fije – fije që ai të tregonte nëse ishte takur me Presidentin e Amerikës Xhimi Karter.(Familjarët e Ukshin Hotit thonë se ai është takuar me presidetin amerikan).

Beogradi nuk e mposhti dot Ukshin Hotin. Dhe 17 ditë para se Kosova të çlrirohej nga pushtuesi serb zbulimi UDB -së e vrau dhe ende nuk po gjenden eshtrat e tij. Kaluan njëzetë vjet. Nuk i ndaj sytë nga lumi i Bistricës. Sa qesharak më duket veprimi i Vuçiç, i cili flamurin serb e kishte vendosur mbi hartën e Kosovës. Por racisti Aleksandër Vuçiç në ekstazë, që e ngriti stekën lart, harron se harta e Kosovës, ku ai e ferrosi flamurin serb është disa herë më e madhe. Vuçiç e kundërpërfytyron historinë përmes atij flamuri të ndaluar në Kosovë. Idenë e asaj harte e ka hedhur Ukshin Hoti qysh më 29 shtator të vitit 1994 kur ju bë gjyqi nga sadistët serb në gjykatën e Qarkut të Prizrenit. Dhe karvani i “krushqve” të mjekëve që sot po vaksinohen në Kukës në të ardhmen do të jenë banor në Tiranë. Tirana do të jetë një qytet tregtie dhe kulture, kurse Prizreni qartë e shkoqur do të jetë Kryeqyteti i shqiptarve siç e projektoi gjeniu i filozofisë shqiptare Ukshin Hoti. /Lëndë e thjeshtë. Lëndë ujem/ /Pata qenë do të jem/, ka thënë poeti Lasgush Poradeci. Për Vuçiç nuk ka më gjithkund. Por askund. Iku koha e dokrrave në lëmë. Kohët mes Serbisë dhe Kosovës tani janë të kundërta. Parajsa e Serbisë nuk ndërtohet me muratorët e ferrit. Nuk ka më në Kosovë stoli vezulluese për flamurin e Millosheviçit. Ka tash sa vjet që flamuri serb nuk lejohet të kundrohet e të valvitet pa skaj. Ai flamur dikur bredharak anës së Drinit të Bardhë tani e shqyejnë sorrat pa e kaluar kufirin me Kosovën. Zoti Vuçiç bën mirë thonë në Kosovë t’i qaset kopshtit të mençurisë diplomatike me durueshmëri. Gjithashtu Vuçiç bën mirë të ruaj qetësinë e mendjes. Një personazh i Mark Tuenit thotë: – “Lakmia është mëkat!”. Kurse Otelloja i Shekspirit shkon dhe më tej: – /Pa fjalë e ka fajin hëna; shumë herë/ /I vjen më afër dheut se sa ka zakon/ /Dhe i bën njerëzit të marrë/. Vuçiç është marrosur nga dallditë lapërdhare ogurzeza. Kot këllkatet. Ka në buzë helmin e nepërkës. Në mitologji perëndia e Hakmarrjes e detyroi djaloshin e bukur me emrin Narciz, që ai të binte në dashuri me vetveten. Dhe djaloshi u pa në një liqen dhe u magjeps pas vetes sa një ditë ra dhe u mbyt. Por u tret nga dashuria dhe u shndërrua në lulen Narciz. Zanat një ditë e gjetën liqenin duke qarë. Ato e pyetën liqenin se përse qante? Qaj për Narcizin u përgjigj liqeni, por kurrë nuk e kisha vënë re se ai ishte i bukur. Unë në sytë e Narcizit shikoja shëmbëlltyrën e bukurisë time”. Siç duket Vuçiç kërkon që të bëjë veprimet e djaloshit me emrin Narciz. Kujdes Vuçiç nga stuhia e nervave! Energjia lëviz. Veprimi me flamurin serb mbi hartën e Kosovës flet për eposin e gjallë të urrejtjes që të mundon si nxënës i Millosheviçit. Je në makth e delir. Përzëri demonët nga shpirti. Në Kosovë qarkullon një proverb i dardanëve të lashtë: “Duhan të kuq e muhabet dhe gjithësecili në qese të vet”. Kosova nuk zhbëhet më. Fatthënësi, që është populli i Kosovës, e fitoi lirinë e shpirtit gjenetik me shumë sakrifica. Bujtinat e legjendave të luftës nuk i kanë braktisur. Thuhet se në Beograd mbajnë peng eshtrat e Ukshin Hotit.

 

Share This Article
3 Comments
  • Bukur fare bukur e mire o thurrur kjo bukuria e shqiptarise te Ukshin Hotit.
    Nuk vdes thelbi kosovar edhe njeqint pashe nendhe futur.

  • Mos e merrni kaq lehte Presidentin Aleksander Vucic. Me ate flamur ai u jep zemer agjenteve shqiptare (ne Kosove dhe Shqiperi) te sherbimit te fshehte serb te vazhdojne punen per kthimin e Serbise ne Kosove dhe te marrjes se pusshtetit ne Shqiperi… .

  • Mos harroni se edhe sot kemi shqiptare jo te pak, qe nuk ishin te prikur nga UDB-ja, dhe jo te nivelit te ulet, qe e duan serbine,sidomos tition,madje ata jo ralle, dalin ne TV dhe dalldisen me “analiza te thella”politike se, titon e duan jo vetem shqiptaret e Kosoves,por, edhe shqiptaret ne Shqiperi,sidoms ata qe nuk e dijne sa demtoi tito substancen kombetare shqiptare,sa ndjeku per turqi e sa mbyti me dru ,Kosova1981-85 kishte me se shumti te burgosur politik ,ata te gjithe ishin shqiptar, 700mije u trajtuan ne UDB dhe 250 shekuj i mbajten burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *