Barazim 3-3 në “Loro Boriçi”, pasi vlonjatët kryesonin 3-0. Portieri Koliqi prish festën, Rexha shpëton kuqeblutë dhe Duron
Stadiumi “Loro Boriçi” ka qenë skena e një spektakli që nuk shihet shpesh në futbollin shqiptar, ku Vllaznia e Flamurtari arritën një barazim të çmendur. Shifrat e ekuilibruara 3-3 patën shije të ndryshme për skuadrat, pasi vlonjatët kryesuan 3-0 dhe ishin të sigurt në arritjen e një fitoreje të madhe në Shkodër. Barazimi është tepër i hidhur për Flamurtarin, i cili pati dy raste të shkëlqyer për të shënuar golin e nokautit edhe atëherë kur gjithçka ishte rihapur, me dy golat e vendasve. Ashtu si të mërkurën, Flamurtari pëson sërish tre gola dhe një pjesë e madhe e fajit bie mbi portierin Koliqi. Ndeshja nisi e shpejtë nga të dyja skuadrat, por golin e gjeti i pari Flamurtari, me “ndihmën” e Tefik Osmanit. Në përpjekje për të ndaluar vërshimin e Memellit në zonë, Osmani e shtyn topin drejt rrjetës së tij, duke qenë i pafat në këtë rast. Ende pa e marrë mirë veten nga pësimi i golit, Vllaznia tronditet sërish, kur në një aksion të ngjashëm, Muzaka i shkëputet mirë mbrojtjes dhe del përballë Vujadinoviç, i pafuqishëm për ta ndalur, dhe 0-2. Flamurtari kërkon të shënojë edhe një tjetër gol, për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen që në pjesën e parë, por në pushim shkohet me rezultat të pandryshuar. Atë që nuk e bëri në minutat e mbetura të pjesës së parë, skuadra mike e bëri në të dytën, me golin e tretë, të shënuar nga Pepa. 3-0 për Flamurtarin dhe ndeshja mund të quhet e mbyllur. Por, Shpëtim Duro ndërkohë kishte futur në lojë asin nën mëngë, sulmuesin Kastriot Rexha, që në minutën e 46-të, kur shpresonte të përmbyste disavantazhin e dy golave. Vlonjatët vazhdojnë të komandojnë, megjithatë e kanë edhe ata pikën e dobët.
Është prapavija, përfshirë edhe portierin Koliqi. Goditje këndi në minutën e 63-të, Koliqi del keq, duke mos e larguar topin nga zona. Gjuan një nga kuqeblutë, Koliqi e ndalon topin me këmbë, por aty Rexha gjuan fort e tund rrjetën. Diferenca e golave shkurtohet dhe ka ende kohë për të shpresuar. Shkodranët marrin zemër e hidhen përpara në kërkim të golit të dytë. E gjen në minutën e 78-të, me anë të Deliç, i cili hyn në zonë, në një pozicion të vështirë për të shënuar, i ndjekur nga dy mbrojtës. Por Koliqi braktis në mënyrë të pakuptimtë portën dhe Deliç gjuan e askush nuk është para vijës fatale për të ndaluar topin të hyjë në rrjetë. Loja është rihapur plotësisht dhe Vllaznia sulmon për të shmangur humbjen. Ndërkaq, në mënyrë të pabesueshme, Flamurtari humbet dy raste para portës. Fillimisht gjuan Lena dhe grushton Vujadinoviç, ndërsa më pas është Memelli që nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë, nga 4-5 metra larg. Dhe ndëshkimi vjen pikërisht atëherë kur nuk mund të zhbëhej më, në minutën e 95-të, përsëri me anë të Rexhës, autor i dy golave që shpëtojnë Vllazninë e ndoshta edhe trajnerin Duro. Kuqeblutë janë dhjetë pikë poshtë Skënderbeut dhe sezoni deri tani është dështim, por të paktën për këtë ndeshje mund të krenohen.
Ringrihet Kukësi
Kukësi është përsëri i dyti në renditje, qoftë edhe përkohësisht, pas fitores 3-1 kundër Kastriotit. Debutuesit u mundën javën e kaluar në Vlorë, por vërtetuan se mbeten një forcë reale e kampionatit, madje duke përmbysur disavantazhin e hershëm.
Asion Daja shënoi që në minutën e tretë për krutanët, me një goditje të lirë. Vendasit reagojnë fuqishëm, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën mike. Këmbëngulja e shpërblehet në minutën e 25-të me golin e barazimit, që ka për autor Prognin, me kok. Furia e sulmeve vendëse vazhdon edhe në pjesën e dytë, teksa Cungu përforcon me një forcë më shumë sulmin, duke futur Malindin për Alikajn. Spikat sërish loja e kosovarit Hoxha, që godet rreptë nga një goditje dënimi në minutën e 70-të. Topi shkon në shtyllën e portës së Moçkës e kthehet prej andej në lojë, ku ndërhyn shpejt e me zgjuarsi serbi Popovic, që shënon me kokë. Për ta vulosur fatin e kësaj sfide ka menduar Allmuca, që në limitin e kohës së rregullt shënon golin e tretë.
Fiton Shensoj
Naxhi Shensoj e ka festuar në mënyrën më të mirë rikthimin në stolin e Bylisit, duke mundur Tiranën 1-0. Vendasit dominuan gjatë gjithë takimit, ndërsa bardheblutë besuan më tepër te kundërsulmi. Arbri dhe Xhafa në sulmin vendës krijojnë pështjellim të madh në prapavijën e miqve, por pa e gjetur golin në pjesën e parë.
24 herë kampionëve të vendit, e cila mbetet gjithsesi e pakalueshme në pjesën e parë. Në pjesën e dytë presioni shtohet dhe Bylis e gjen golin me anë të Bakiut, në minutën e 68-të. Tirana përpiqet të reagojë, por Bylisi mbrohet fort dhe nuk lejon ndryshim rezultati.
Pa gola në Berat
Tomori përsëri nuk arrin të shkojë më larg se barazimi pa gola në fushën e tij, dje kundër Shkumbinit, të drejtuar nga Kristaq Mile. Vendasit sulmojnë dhe kanë gjithë fushën nën kontroll, por nuk janë të qetë para portës, për rrjedhim nuk arrijnë të rrezikojnë. Shkumbini shfaqet i rrezikshëm me kundërsulme, ndërkohë që ruhet mirë në prapavijë. Fundi i gjen skuadrat pa shënuar asnjë gol dhe për të dyja gjendja është dramatike në renditje, sidomos për Tomorin, që sot mund të jetë sërish i fundit, në rast se Apolonia mund Besën.
Shigjetë lart ose thumb up
Rexha
Heroi i takimit për Vllazninë. Sulmuesi kosovar shënoi golin që ringjalli shpresat dhe më pas u bë shpëtimtar, me golin e barazimit. Tashmë pritet të jetë titullar.
Shigjetë poshtë ose thumb down
Koliqi
Fajtor në dy golat e parë të Vllaznisë, me dy dalje të gabuara. Gjika ka harxhuar miliona, por ka harruar portierin e duhur, pasi ai gaboi rëndë edhe në Korçë.
Trajnerët
Shpëtim Duro, Vllaznia
Pjesa e parë pati shumë probleme dhe gabime nga të dyja skuadrat. Ishim më mirë se Flamurtari, por pësuam gola lehtësisht, duke e pasur ne topin në kontroll. Në pushim fola qetësisht me skuadrën. Thashë se duhej të shënonim golin e parë, çka do të na jepte mundësi të barazonim, meqë edhe Flamurtari nuk kishte besimin e duhur, nisur nga situata që po kalon. Goli e tretë e ndërlikoi shumë gjendjen, por skuadra tregoi karakter, reagim, tregoi se ka forca për më tepër. Ishte një barazim heroik. Para ndeshjes sigurisht që doja fitoren, por tani jam i kënaqur me barazimin, pasi humbnim 0-3.
Julian Rubio, Flamurtari
Nuk dua të kërkoj justifikime me rënien fizike për shkak të ndeshjeve të shpeshta dhe as te gjyqtari. Ne krijuam raste, të cilat nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Skuadra e ka ndier situatën e rënduar jashtë saj, me dorëheqjen e presidentit, pas humbjes në Korçë. Këto gjëra ndikojnë, megjithatë ne duhej ta kishim ruajtur epërsinë e tre golave. Bëmë gabime të cilat na kushtuan shtrenjtë në mbrojtje, por edhe në sulm, pasi nuk arritëm të shënonim golin që do ta kishte mbyllur ndeshjen, atëherë kur Vllaznia ishte hedhur e gjitha përpara.
Java e 12-të
Dje
Kukësi-Kastrioti 3-1
Progni 25′, Popoviç 70′, Allmuça 89′ / Daja 3′
Bylis-Tirana 1-0
Bakiu 68′
Tomori-Shkumbini 0-0
Vllaznia-Flamurtari 3-3
Rexha 63′, 95′, Deliç 78′ / Osmani 27′ (a), Muzaka 31′, Pepa 53′
Sot
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Apolonia-Besa 14:00
Laçi-Teuta 14:00
Renditja
1 Skënderbeu 27
2 Kukësi 21
3 Teuta 20
4 Tirana 19
5 Bylis 18
6 Laçi 18
7 Vllaznia 17
8 Besa 16
9 Flamurtari 16
10 Kastrioti 12
11 Luftëtari 11
12 Shkumbini 9
13 Tomori 6
14 Apolonia 5