Flamurtari kompletohet në prag të startit të gjysmës së dytë të kampionatit. Falë përforcimeve të merkatos së janarit, por edhe nga rikuperimi i lojtarëve.
Lajmi i mirë erdhi nga Debatik Curri, i cili është rehabilituar plotësisht pas operacionit në këmbën e djathtë, prej frakturës që e la jashtë fushave për gjashtë muaj.
Mbrojtësi, që pak kohë më parë i dha lamtumirën zyrtare Kombëtares shqiptare, u stërvit së bashku me grupin.
32-vjeçari i zhvilloi të gjitha ushtrimet, me edhe pa top me pjesën tjetër të lojtarëve, ndërsa mori pjesë edhe në mini-ndeshjen brenda ekipit.
Tashmë pritet që Curri të gjejë formën optimale fizike, për të dhënë kontributin në betejën e Flamurtarit për mbijetesën në Kategorinë Superiore.
Nën urdhrat e trajnerit Zekirja Ramadani u stërvit edhe përforcimi më i fundit i vlonjatëve, Kristi Marku. Mbrojtësi i Kombëtares Shpresa vlerësohet si një alternativë e mirë në mbrojtje.
Kjo edhe prej mungesës së Ilir Berishës, që pak ditë më parë pësoi frakturë në gishtin e njërës këmbë dhe është i detyruar të qëndrojë pushim.
Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës ishte i pranishëm në stërvitjen e zhvilluar në Pyllin e Sodës, ku në fotografitë e publikuara nga faqja zyrtare e Flamurtarit shfaqej që qëndronte në këmbë me ndihmën e patericave.
