Problemet ekonomike te Flamurtari reflektohet direkt te rezultatet e ekipit në fushë.
Vlonjatët barazuan 0-0 në shtëpi përballë Bylisit, duke hedhur një hap fals, përballë skuadrës që mbyll renditjen në Kategorinë Superiore.
Në Vlorë u luajt sfida ndërmjet dy skuadrave në krizë. Jo thjesht prej ecurisë në këtë sezon, por edhe prej situatës së paqartë në të dy klubet.
Pas ultimatumeve ndaj klubit, për çështjen e pagesave, lojtarët e Flamurtarit vendosën gjithsesi ta luajnë ndeshjen.
Klubi ka premtuar zgjidhje të shpejt, por ndërkohë çeku Peter Trap, ashtu si edhe Bedi Buval janë të parët që u larguan nga skuadra.
Prej situatës së krijuar, pjesë e kuqezinjve nuk janë më as dy përgatitësit atletikë italianë, Roberto Maltagliati dhe Maurisio Milana.
Problematike edhe situata te Bylisi, me trajnerin De Vekis që nuk ishte në stol dhe nuk figuronte në procesverbalin e ndeshjes.
Drejtimi i skuadrës u realizua nga ish-mesfushori Maringen Kule, tashmë në rolin e zyrtarit të klubit.
Pas katër disfatave radhazi, Bylis kërkoi rezultat duke rreshtuar forca të shumta në mbrojtje, ndërsa arma për të goditur kundërshtarët ishte kundërsulmi.
Në anën tjetër, pasi vuajtën për minuta me radhë të gjenin hapësira, rasti i parë i rrezikshëm për Flamurtarin erdhi në të 25-ën me Çadadzen, i cili tentoi nga pozicion i prirët, por pa shënjestruar si duhet portën e Bylisit. Gjeorgjiani nuk arriti të gjente as devijimin me kokë, pas harkimit të Morinës nga e djathta.
Me Pepën të vetëm në sulm dhe daljet e shpejta të Hyshmerit, Bylis vuante në fazën sulmuese dhe goditjet standarde ishin mënyra e vetme për të shqetësuar disi portierin Halilaj.
Në anën vlonjatët provuan me tentativën nga distanca të kapitenit Bruno Telushi, që u neutralizua pa probleme nga Mushica, ndërsa Nexhipi shpërdoroi një tjetër mundësi, pasi nuk arriti të gjente si duhet kohën e topit pas harkimit të Hoxhës.
Fraksioni i parë i lojës mbyllet me dy pretendime të Flamurtarit për 11-metërsh.
Ylli Hoxha simuloi në zonë, por gjyqtari Laver Alla vazhdoi lojën, me pamjet filmike që i jepnin të drejtë, pasi nuk kishte aspak kontakt. I drejtë vendimi i bilbilit edhe në rastin e Morinës, që pretendoi penallti.
Në fraksionin e dytë të lojës, Flamurtari vijoi sulmet, por pa arritur të finalizonte, ndërsa pasiguria në mbrojtje e Manxhunit rrezikoi ta komplikonte edhe më tepër situatën.
Pa forcë në sulm, edhe Bylis tentoi të rrëmbente një 11-metërsh me Hyshmerin, por sipas gjyqtarit Alla gjithçka në duelin me Manxhunin ishte e rregullt. Mallakastriotët tentuan edhe me mbrojtësin Shoshi, pas zhvillimeve të një goditje këndi, që përfundoi lart portës.
Prej këtij momenti, Bylis preferoi të tërhiqej për të mbrojtur pikën në 15 minutat e mbetura të sfidës, ndërsa Flamurtari ishte i gjithi në këtë tentativë të dobët të Lushtakut nga distanca.
Prej minutës së 86-të dhe deri në mbylljen e pesë minutave të shtesës, takimi vazhdoi i tensionuar prej vonesave të lojtarëve të Bylis, që arritën të merrnin pikën e parë pas një muaji e gjysmë, por mbeten sërish në fundin e klasifikimit.
Për Flamurtarin, barazimi vjen pas dy fitoreve radhazi në shtëpi, duke bërë që vlonjatët të ngjiten në vendin e gjashtë, por të humbin rastin për t’iu afruar luftës për një vend në kupat e Europës.
