Me zyrtarizimin e emrit të Stanislav Levit në krye të skuadrës, Flamurtari po bën gati dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se 90% e ekipit që mbylli edicionin e kaluar do të largohen, me vetëm 3-4 lojtarë që mund të konfirmohen te kuqezinjtë.
Drejtuesit e klubit kanë treguar në javët e fundit të sezonit të kaluar tendencën për të mbyllur marrëdhënien me një pjesë të mirë të lojtarëve që luajtën për vlonjatët sezonin e kaluar, duke i lënë në stol apo në tribunë në fazën e 4-t, si masë ndëshkimore për paraqitjen e dobët të sezonit. Pritet që fshesës t’i shpëtojnë 3 emra nga titullarët, portieri Ilion Lika që mbetet një beniamin i administratorit Sinan Idrizi dhe që mund të marrë një rol drejtuesi në klub në të ardhmen, mesfushori dhe kapiteni Bruno Telushi që vlerësohet së tepërmi për shpirtin luftarak si dhe Erjon Vucaj, të cilit mendohet t’i jepet një tjetër sezon për të treguar vlerat e vërteta.
Gjithashtu furtunës pritet t’i shpëtojë mesfushori i ri Dejvi Bregu që do të vijojë të veshë fanellën e Flamurtarit pas paraqitjeve të bëra në javët e fundit të kampionatit, ku arriti të shënonte edhe tre gola.
Janë të shumtë emrat që lakohen për t’u afruar te vlonjatët, duke nisur nga Sebino Plaku që është beniamini i trajnerit çek, për të vijuar me emra të tjerë të rëndësishëm në futbollin shqiptar, si Debatik Curri që mbylli sezonin me Tiranën apo edhe Marko Radas i Skënderbeut.

E ka gabim ai , nuk ndryshohet I gjithe ekipi, menjehere,
Se ata do duan 6 muaj ti njohin lojen njeri tjetrit
Ly President I Flamurtatit esht idiot fare, nuk merr vesh nga futbolli