Flamurtari kapërcen krizën

anazapta

Kupa e Shqipërisë

Memelli e Muzaka përmbysin disavantazhin në Durrës; Bylis mund edhe Laçin

 

Migen Memelli dhe Gjergji Muzaka, dy blerjet më të bujshme të Flamurtarit në prag të këtij sezoni, u ngritën në lartësinë e asaj çka pritej prej tyre, duke i dhënë fitoren skuadrës në Durrës. Në “Niko Dovana”, Teuta kryesonte 2-0 pas gjysmë ore lojë, duke i futur edhe më tepër në krizë kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, debutues dje në stol. Një nga veprimet e para të Gjokës ishte rehabilitimi i portierit Koliqi dhe mesfushorit Zeqiri, të lënë në stol nga Rubio në takimin e tij të fundit. Teuta e nis menjëherë fort dhe sulmon drejt portës. Emiljano Veliaj gjuan disa herë nga distanca, derisa më në fund arrin të gjejë edhe golin, në minutën e 14-të. Durrsakët marrin më tepër zemër dhe sulmojnë për të dyfishuar shifrat, gjë që e arrijnë me Eminhazerin, 17 minuta më pas. Humbja duket e sigurt për Flamurtarin, por Teuta bën gabimin e tërheqjes për ta mbrojtur para kohe fitoren, kur kishte edhe një orë lojë. Vlonjatët përfitojnë dhe gradualisht bëhen zotër të mesfushës. Ndëshkimi për vendasit nuk do të vonojë. Vetëm gjashtë minuta pas golit të Eminhazerit, Memelli ngushton diferencën, pas pasimit të Muzakës. Ky i fundit barazon shifrat tri minuta para pushimit, pas një kombinimi të bukur me Souzën. Barazim 2-2 dhe gjithçka duhet të nisë nga e para për durrsakët, të cilët paguajnë naivitetin e tyre. Por motori i Flamurtarit tashmë ka marrë “superxhiro” dhe janë vlonjatët ata që sulmojnë sapo nis pjesa e dytë. 12 minuta më pas gjejnë edhe golin e tretë, sërish me Memellin, me një gjuajtje diagonale. Durrsakët dorëzohen plotësisht dhe vlonjatët bëjnë ligjin në fushë. Sulmojnë për golin e katërt, ndërkohë që edhe mbrohen mirë, për të mos lejuar barazimin. Gola të tjerë nuk ka më dhe Flamurtari arrin fitoren e parë, ndërsa Teuta pëson humbjen e dytë, duke kompromentuar plotësisht kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës.

 

Kryeson Bylis

Bylis nuk ndalet dhe merr fitoren e radhës, 2-1 me Laçin, duke kryesuar me pikë të plota Grupin B të çerekfinaleve të Kupës. Të mbështetur nga tifozët, vendasit hidhen në sulm që në fillim të takimit, por u desh minuta e tridhjetë që të shënonin golin e parë. Mbrojtësi Shoshi del në ndihmë të sulmit, ndjek mirë aksionin dhe shënon për Bylisin. Mallakastriotët vazhdojnë përpjekjet për të shënuar sërish, por edhe kurbinasit bëjnë të tyren dhe i afrohen barazimit me Buljan. Loja bëhet edhe më e gjallë pas pushimit, me të dyja skuadrat në aksione sulmuese. Dyfishon shifrat një tjetër ish-futbollist i Apolonisë, Meto, në minutën e 69-të, duke qetësuar vendasit. Por qetësia zgjati vetëm pesë minuta, pasi Marashi hapi lojën, kur shkurtoi diferencën në 2-1. Megjithatë, Bylisi nuk lejon më tepër dhe arrin ta ruajë deri në fund fitoren. Tashmë skuadra e Naxhi Shensojit kryeson me gjashtë pikë pas dy ndeshjesh dhe në takimin e radhës do të ndeshet me Teutën, e cila nuk ka asnjë dhe mban vendin e fundit.

 

 

Kupa, grupet çerekfinale

 

Të shtunën/ Grupi A

Kastrioti-Shkumbini  4-2

Gocaj 6′, Tanushi 19′, Karapici 53′, Caca 80′ / A. Magani 62′, Gjata 73′ (p)

Skënderbeu-Kukësi    4-2

Arapi 9′, Pejiç 28′, 58′, Shkëmbi 75′ / Hoxha 27′, Popoviç 80′

 

Dje / Grupi B

Bylis-Laçi           2-1

Shoshi 30′, Meto 69′ / Marashi 74′

Teuta-Flamurtari           2-3

Veliaj 14′, Eminhazeri 31′ / Memelli 37′, 57′, Muzaka 42′

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *