Vlonjatët mundin Laçin dhe kapërcejnë në renditje tre rivalë për Evropën. Shkumbini fiton me Tiranën dhe sheh dritë në fund të tunelit, ndërsa Skënderbeu rivendos ligjin kundër Apolonisë së pashpresë
Flamurtari ka ringjallur plotësisht shpresat për një vend në Europa League, teksa ka fituar 2-1 në fushën e Laçit. Falë tri pikëve të marra, shoqëruar me humbjen e Tiranës në Peqin, skuadra vlonjate fluturon në renditje dhe tani e sheh veten në vendin e tretë, me golaverazh më të mirë se bardheblutë. Sfida në Laç pritej si më interesantja e javës, pasi të dyja skuadrat janë në luftë për kualifikim edhe në Kupën e Shqipërisë, ku për momentin më i favorizuar nga renditja është Laçi. Ndeshja e kampionatit dhuroi një rezultat të ndryshëm nga ajo e Kupës, ku skuadra e Stavri Nicës fitoi 1-0. Loja paraqiti një pamje të ngjashme në pjesën e parë, ku vendasit ishin krejtësisht dominues në fushë. Edhe në të dytën, përsëri ishte Laçi skuadra që zhvilloi më tepër volum loje e krijoi edhe raste. Goli i Nimanit në minutën e 60-të krijoi idenë se edhe kjo ndeshje do të përfundonte në favor të kurbinasve, por Soza barazoi 13 minuta më vonë. Një barazim i merituar, pasi vlonjatët sulmuan seriozisht pas pësimit të golit. Të dyja skuadrat më pas patën raste për të shënuar, por u desh të vinte minuta e 93-të që të dilte në dritë goli i tretë, edhe ai në favorin e miqve, të cilët morën një fitore të madhe. Flamurtari ka bërë një kapërcim të madh në renditje, pas ka lënë pas vetes tre rivalë në luftën për kualifikimin evropian.
Shkumbini është skuadra tjetër që ka hedhur një hap të madh drejt objektivit të tij dje, duke mundur 1-0 Tiranën. Peqinasit janë tani vetëm një pikë poshtë vendit të dhjetë, i cili siguron mbijetesën dhe që aktualisht mbahet nga Besa, e mundur në dy ndeshjet e para të fazës së dytë. Shkumbinit i mjaftoi goli i shënuar nga Mustafaj nga pika e penalltisë, të cilën e fitoi Mile. Për Tiranën është një hap i madh fals, pasi humbasin kontaktet me Teutën e vendit të dytë dhe aktualisht janë jashtë zonës evropiane, ndonëse vetëm me golaverazh më të dobët se Flamurtari.
Ashtu siç pritej, është rikthyer te fitorja Skënderbeu, i cili ka mundur 1-0 Apoloninë në Fier. Autor i golit ka qenë Ditmar Bicaj dhe tri pikët mjaftojnë për ta rikthyer sërish në shtatë pikë diferencën me Teutën në vendin e dytë. Ndonëse ka edhe shumë javë deri në fund, duket se disa gjëra e kanë humbur kuriozitetin rreth tyre. Skënderbeu vazhdon marshimin drejt titullit të tretë, ndërsa Apolonia mbetet skuadra më e pashpresë, e drejtuar nga Kategoria e Parë.
Bylisi, pas humbjes teatrale me Flamurtarin të mërkurën, u frenua në një barazim pa gola me Kastriotin. Dy ndeshjet e fundit kanë bërë që skuadra e Shensojit të humbasë shumë terren në renditje, ndonëse është vetëm tri pikë larg nga vendi i tretë.