Mesfushori Nildo Victor Juffo është përforcimi më i ri i Flamurtarit në këtë merkato vere. Braziliani ka nënshkruar një kontratë 1 vjeçare me drejtuesit e klubit vlonjat me opsionin edhe për një sezon të dytë nëse palët mbeten të kënaqur me njëri-tjetrin.
Juffo vjen nga kampionati maqedonas ku është aktivizuar me ekipin e Shkëndijës së Tetovës që nga janari i vitit 2015. Mesfushori 24 vjeçar ka grumbulluar 45 ndeshje dhe 12 gola në të gjitha kompeticionet me Shkëndijën ndërsa ka fituar Kupën e Maqedonisë në sezonin 2015-2016.
Braziliani ishte një kërkesë e trajnerit Shpëtim Duro, me këtë të fundit që e ka drejtuar në kohën kur ishte në krye të kuqezinjve të Tetovës. 24-vjeçari luan në disa pozicione në fushë, por roli i tij i preferuar është në qendër të mesfushës.
Juffo vjen në Vlorë si zëvendësuesi i kosovarit Donjet Shkodra që vendosi të largohet nga Flamurtari për të nisur një aventurë të re te Skënderbeu, që në këtë sezon merr pjesë në Europë dhe ka fituar 1-0 në ndeshjen e parë eliminatore ndaj Sant Julia-s.
