Flasim për atë që po ndodh…
Eshtë tirani të përpiqesh të caktosh në postin e kryeprokurorit një besnik tëndin në mënyrë që të mbrosh korrupsionin e qeverisë tënde
Flasim për atë që po ndodh: Pushtete që injorojnë plotësisht detyrimet e tyre ligjore, kërcënime verbale pa asnjë kufi etik, ministra që nuk pranojnë të kontrollohen nga parlamenti, dhunë ndaj mbështetësve të opozitës. Plus është bërë një fyerje e përditshme sjellja që në një artikull tuajin ju e përcaktoni si “motoja naziste: akuzo rivalin tënd politik për krimin që sapo ke bërë vetë”. Dhe të mendosh që është një mazhorancë fare e brishtë. Si shpjegohet ky agresivitet i pushtetit? Është agresivitet i lindur nga paraja, nga pushteti nën abuzim dhe në rrethana mungese ndëshkimi? Çfarë është? Dhe ku çon?
Është arroganca e një pushteti të korruptuar që është frikësuar nga dobësia e vet. Bërtet që të mposhtë frikën, si njeriu i vetmuar në errësirë, por edhe që të ngjallë frikë. Pushteti ndjen dhe sheh gërryerjen. Nuk është vetëm humbje e simpatisë në masë. Berishës po i kthejnë shpinën bashkëpunëtorë të afërt shumëvjeçarë. Ai tani kundërshtohet edhe nga shtresa e të përndjekurve politikë që ndihet e mashtruar prej tij.
Ky pushtet i dobët përpiqet të gjejë forcë te propaganda e rreme me media dhe gazetarë të blerë si dhe te një qeverisje (nëse mund të quhet e tillë) me profil të qartë tiranik. Një tirani e manifestuar hapur jo vetëm nga shumica dhe folësja Topalli në Kuvend, por edhe në qëndrimin ndaj institucioneve dhe shtetit në tërësi. Eshtë tirani dhe jo demokraci të imponosh me votë të thjeshtë të shumicës që Presidenti i Republikës të jetë një besnik i kryeministrit dhe jo një besnik i Kushtetutës, i publikut pra edhe i shtetit. Eshtë tirani dhe jo demokraci të caktosh në krye të shërbimit informative një fanatik të kryeministrit dhe jo një fanatik të shtetit. Eshtë tirani dhe jo demokraci që të pengosh me demagogji vulgare kryeprokurinë të zbatojë misionin e saj kushtetues për ndalimin e disa krerëve të Gardës pas vrasjes nga këta të fundit të demonstruesve paqësorë në 21 janar. Eshtë tirani dhe jo demokraci të akuzosh fakte, më saktë të shpifësh, për institucione të shtetit (presidentin, kryeprokuroren) se kanë organizuar një puç kundër pushtetit.
Eshtë tirani që të përpiqesh të caktosh në postin e kryeprokurorit një besnik tëndin në mënyrë që të mbrosh korrupsionin e qeverisë tënde. Eshtë tirani të pengosh reformën parlamentare me frikën se kjo do t’i jepte më forcë opozitës dhe do ta bëjë më të pamundur tiraninë e shumicës. Dhe të gjithë këtë tirani, Berisha përpiqet ta maskojë duke akuzuar opozitën. Eshtë taktika e njohur e Hitlerit që dogji Rajhshtagun për të akuzuar opozitën për djegien e Rajhshtagut. I toleron vetë piramidat financiare për vite me radhë, madje sponsorizohet nga ato, dhe pastaj kur shteti thërrmohet për shkak te krizës së piramidave, deklaron se piramidat i ngriti opozita. Çdo sugjerim të opozitës për kufizimin e pushtetit të tij dhe shumicës së tij tiranike, e damkos si “tirani të pakicës”. Eshtë vetë pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë ndërsa akuzon opozitën si bllokuese të integrimit. Organizoi një grusht të armatosur shteti në 1998 dhe akuzoi kundërshtarët në pushtet se ishin ata shkaktarët që vetë ai hodhi njerëzit në sulm. Për të mbërritur te paradoksi më i fundit që edhe pse është në qeveri, dhe dihet botërisht që qeveritë janë burimi kryesor i korrupsionit, përpiqet të dalë përsëri me flamurin e antikorrupsionit si 8 vjet më parë kur ishte në opozitë!