Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua sot seanca në ngarkim të të pandehurit Ilir Xhakja, i akuzuar si autor i vrasjes së shefit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj.
Seanca e sotme, vijoi me pyetjen e 7 dëshmitarëve. Dëshmia më e rëndësishme ka qenë ajo e shtetasit Pjetër Ndoka, i cili ka shtëpinë pranë vendit ku ka humbur jetën kryekomisar Tahiraj. Ndoka ka rrëfyer para trupës gjykuese atë çfarë ai ka parë ditën e krimit.
“Unë kam qenë duke punuar tek toka e djalit kur jam kthyer kam parë dy makina policie dhe një person të vrarë dhe kam vajtur kam marr një çarçaf dhe ja kam hedhur viktimës. Ndërkohë që kam parë një person të shqetësuar me mbiemër Hoxha (bëhet fjalë për policin Fatmir Hoxha) dhe e dëgjova që fliste në telefon dhe thoshte që une i lajmërova të gjithë dhe po pres të vijnë”, ka rrëfyer Ndoka.
Dëshmitari i ka than trupës gjykuese se përveç kryekomisar Tahiraj, i cili gjeti vdekjen atë ditë ka mbetur e plagosur dhe një grua, kunata e tij Lena Ndoka.
Ilir Xhakja akuzohet se qëlloi për vdekje shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, i cili kishte urdhëruar të bllokohej makina e nipit, Ledio Krasnaj. Ish-kreu i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, u ekzekutua më 13 shtator, në fshatin Katund Sukth. Pak orë pas krimit të rëndë, Ilir Xhakja u vetëdorëzua.
I cilësuari si i “forti” i Shijakut e ka pranuar akuzën dhe strategjia që ndoqi ishte pikërisht ajo që, duhet me çdo kusht t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, rrugë që e kanë tentuar edhe më herët emra të krimit dhe që shpesh ia kanë dalë. Por sa i përket rastit të Xhakjas, kjo kërkesë është hedhur poshtë./bw