Akuzat shokuese për aktorin gjerman me famë botërore vijnë nga e parëlindura e tij, 20 vjet mbas vdekjes. Pola Kinski ka rrëfyer në një autobiografi për abuzimet seksuale që ka pësuar nga i ati, nga mosha 5 deri në 19 vjeç. “Asnjëherë nuk i është bërë vonë, as për faktin që unë nuk doja”
Aktori mirënjohur Klaus Kinski, i cili vdiq në vitin 1991 akuzohet se ka abuzuar për vite të tëra me të parëlindurën e tij, Pola. Zbulimi ka ardhur nga kjo e fundit në një intervistë ekskluzive për revistën javore “Stern”, duke pohuar se ishte përdhunuar sistematikisht nga i ati që kur ishte 5 vjeç e deri sa arriti moshën madhore. “Më ka përdhunuar për vite të tëra. Përpiqesha të mbrohesha dhe i thoja se nuk doja, por ai tregohej indiferent dhe merrte atë që donte”, thotë ajo.
Pola Kinski, e cila pas një fillimi të shkëlqyer në teatër vendosi të tërhiqej herët, deklaron se e ka jetuar gjithë fëmijërinë me frikën ndaj shpërthimeve të zemërimit të babait. Ajo pohon se nuk ka arritur kurrë të bëjë dallimin mes të atit dhe aktorit, sepse si në skenë, edhe në jetën reale ai ishte po aq i tmerrshëm për të. “Kur e shihja në kinema, më dukej i njëjtë si në shtëpi. Gjatë jetës së tij ka përfituar nga çdo person dhe asnjëherë nuk ka respektuar askënd”, shprehet ajo për të atin.
Vajza e aktorit Kinski sapo ka shkruar një autobiografi me titull “Kindermund” (Gojë fëmije), i cili pritet të dalë në botim së shpejti. Ajo pranon se impulsi për ta shkruar i erdhi mbi të gjitha për të kundërshtuar admirimin dhe përshtypjen e përgjithshme që ishte krijuar për aktorin. “Nuk duroja dot më duke dëgjuar të gjithë që thonin ‘babai yt ishte fantastik, gjeni apo më ka pëlqyer gjithmonë’! Qëkur ka vdekur, ky lloj admirimi ndaj figurës së tij është shtuar, e po aq edhe pesha e mërisë sime”, shprehet Pola.
“Ishte thjesht një abuzues fëmijësh”, deklaron gruaja që tani i ka kaluar të 60-tat. Ajo shton se i ati e justifikonte dhunën seksuale duke mbështetur idenë se “kudo nëpër botë baballarët e bënin me fëmijët e tyre”.
Klaus Kinski ka interpretuar në më shumë se 130 filma dhe u bë i famshëm sidomos falë bashkëpunimit me regjisorin Verner Herzog, në filma si “Aguirre, zemërimi i Zotit”, “Nosferatu vampiri”, “Kobra jeshile” dhe “Fitzcarraldo”.
Në autobiografinë e saj Pola Kinski ka hedhur të zezën mbi të bardhën, duke e përshkruar me detaje kalvarin e abuzimeve të shkaktuara nga i ati. Ajo është vajza e madhe e aktorit me këngëtaren Gislinde Kuhlbek dhe pas saj janë e motra Nastasja (52 vjeç) dhe i vëllai Nikolai (36 vjeç). Nastasja, ndër tre fëmijët e Klausit është edhe më e famshmja për shkak të interpretimeve të saj në mbi 60 filma. Ajo ka qenë ikonë e kinematografisë gjatë viteve ’70-’80 dhe ka bashkëpunuar me regjisorë të mëdhenj, si: Marçelo Mastroiani, Fransis Ford Kopola, Roman Polanski etj.