Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterije Luzi shpreh shqetësimin mbi mënyrën se si partitë politike fshehin fondet e përdorura në zgjedhje.
Në fjalën e saj të mbajtur në konferencën e organizuar nga Vëzhguesit Vendor, Luzi thekson se aktualisht shuma 1 milion lekë është shuma e përgjithshme që një person kontribuon për një subjekt zgjedhor gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Por në këtë mënyrë, sipas kryetares së KQZ-së, “mundësia që një dhurues, i cili në total dhuron shumën mbi 100 mijë lekë ose kundërvleftën e tyre në sende, mund të mos bëhet publik duke u fshehur në copëtimin e dhurimit në vlerë më të vogël se 100 mijë lekë”.
“Lista e donatorëve bëhet publike, por Kodi Zgjedhor dhe Ligji “Për Partitë Politike” nuk parashikojnë asnjë kufizim për donatorët individualë, në mënyrë që këta donatorë, pas zgjedhjeve, të mos caktohen në funksione publike në administratën shtetërore apo në shoqëritë me kapital shtetëror”, shton më tej Luzi.
Kryetarja e KQZ-së deklaron se praktika e deritanishme tregon se KQZ nuk ka vendosur sanksione administrative ndaj subjekteve zgjedhore, pasi sipas raporteve të auditit të ekspertëve kontabël dhe verifikimit të kufizuar të KQZ-së, rezulton se partitë e audituara kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor.
“Financimi i partive politike është ndër të paktat aspekte zgjedhore të administruara nga KQZ, për të cilin të gjitha partitë politike duket sikur kanë bërë një pakt heshtjeje, pasi asnjërës nuk i intereson të ngrejë ankime- pretendime, apo të sjellë prova dhe fakte në lidhje me këtë proces në KQZ. Për sa më lart, zbatimi në praktikë i legjislacionit në lidhje më financimin e partive politike dhe kontrollin e tyre, dikton nevojën e ndryshimeve ligjore”, thotë Luzi.