Pak ditë më parë Baseli i tij mundi Manchester United 2-1 në ndeshjen e vlefshme për Grupin A të “UEFA Youth League”, apo siç njihet ndryshe Champions League e të rinjve. Një fitore që bëri bujë në Shqipëri, dhe jo vetëm, duke pasur parasysh emrin e madh të anglezëve, ndërsa trajneri i ekipit zviceran, Arjan Peço e cilëson si “qershia mbi tortë”. Tani Baseli është shumë pranë kualifikimit për në fazën tjetër dhe kryeson grupin me 10 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Manchester United.
Në arritje vërtetë e madhe për një trajner shqiptar jashtë kufijve. Jo vetëm fitorja, por edhe ecuria kaq pozitive në një kompeticion ndërkombëtar. I intervistuar nga “Eduasportin.com”, ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare ka folur për këtë eksperiencë dhe për rezultatet që po merr Baseli U-21 nën drejtimin e tij.
“Jo vetëm fitorja me Manchester United, por e gjithë seria jonë në UEFA Youth Europa League është pozitive, duke pasur parasysh që jemi në një grup shumë të fortë me Benfica-n dhe CSKA Moskën. Ishim si ‘outsider’ në letër, por duke parë të gjitha ndeshjet e zhvilluara i kemi dominuar të gjitha ekipet. Fitorja ndaj Manchester United ishte qershia mbi tortë. Duke parë rezultatin e ndeshjes tjetër duhet të fitonim për të synuar kualifikimin dhe ia arritëm qëllimit me një ndeshje shumë të mirë, duke dominuar kundërshtarin deri në fund”, – thotë Peço për “Eduasportin”.

KAMPIONATI – Më tej, trajneri shqiptar ndalet edhe në kampionatin vendas dhe shpjegon më konkretisht ligën ku merr pjesë skuadra dhe nivelin e saj. Aktualisht, Basel U-21 renditet në vendin e 9-të me 23 pikë të grumbulluara pas 17 javësh në Promotion League.
“Në kampionat ne luajmë praktikisht në atë që quhet Promotion League apo praktikisht kategoria e tretë zvicerane. Përballemi me skuadra që janë thuajse nivel amator, por që kanë në përbërje futbollistë ish-profesionistë. Pra ka diferenca të mëdha moshe dhe përvoje mes skuadrës sonë dhe rivalëve dhe shumë ndeshje mund t’i kemi humbur apo nuk kemi marrë maksimumin për shkak të mungesës së eksperiencës. Gjithsesi, loja që ka bërë skuadra ka qenë vazhdimisht shumë e mirë pavarësisht pozicionit ku ndodhemi në renditje”, – thekson Peço.
SHQIPTARËT – Aktualisht te skuadra U-21 e Baselit janë 6 lojtarë shqiptarë: Jozef Pukaj (portier), Ylber Lokaj (qendërmbrojtës), Uran Bislimi (mesfushor), Gëzim Pepsi (mesfushor), Leart Iberdemaj (mesfushor i djathtë) dhe Atdhe Rashiti (sulmues). Një pjesë e mirë e tyre janë shpallur kampionë vitin e kaluar me ekipin U-18 të Baselit, që drejtohej pikërisht nga Arjan Peço, i cili fill pas atij suksesi, në qershor mori ofertën për të marrë drejtimin e skuadrës U-21. I pyetur me humor nëse është meritë e tij që ka kaq shumë shqiptarë në skuadër, Peço përgjigjet prerazi:
“Po, kam 6 lojtarë shqiptarë në skuadër, por këtu jemi në botën e meritokracisë, i vetmi parim apo kriter është rendimenti në fushë. Sigurisht, nuk ka të bëjë fare fakti që edhe trajneri është shqiptar. Ata janë rritur nëpër ekipet zinxhir të Baselit dhe kanë ardhur deri këtu me shumë punë. Me ta, ashtu si me çdo lojtar tjetër këtu, është punuar qysh kur ishin fëmijë dhe janë me të vërtetë lojtarë me cilësi shumë të mira, që patjetër mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren shqiptare apo edhe për kombëtare të tjera të mëdha në Evropë”.

E ARDHMJA – Duke i hedhur një sy karrierës Arjan Peço ndihet mirë për atë që ka arritur, ndërkohë që nuk preferon të mendojë për aventura të reja, pasi është totalisht i fokusuar te puna e tij me Baselin.
“E kam e nisur punën te Baseli duke drejtuar fillimisht skuadrën e U-14 e duke vazhduar e radhë me të gjitha ekipet e moshave deri te skuadra U-21. Ka qenë një rrugëtim konstant dhe hapat janë hedhur një nga një. Ndihem i vlerësuar dhe gëzoj respektin e drejtuesve të klubit. Madje, ndihem i privilegjuar sepse para se të emërohesha në këtë post, kishte kandidatë shumë të njohur, por Baseli vendosi të ma japë mua këtë besim. Ofertat? Ndihem shumë mirë për momentin këtu ku jam dhe synoj të arrijmë sa më larg me këtë skuadër”, – thotë trajneri shqiptar. /EDS/
