Edhe pse është një nga yjet e Kombëtares, ai ka mbetur po aq i thjeshtë si në fillimet e tij dhe i përgjigjet menjëherë pozitivisht ftesës së “Eduaportin.com” për një intervistë.
Bomberi kuqezi, Armando Sadiku pranon me kënaqësi të shpjegojë arsyet pse po aktivizohet aq pak te Legia e Varshavës kohët e fundit, skuadër ku ai është transferuar në korrik të këtij viti.
Ndërkaq, sulmuesi shqiptar nuk e fsheh faktin se ka pasur edhe ngacmime nga disa klube të interesuara për të, ndonëse nuk e ka mendjen te merkatoja tani, por kërkon vetëm të rikthehet të luajë titullar te Legia. Sadiku flet edhe për Kombëtaren, për trajnerin Panucci, për skemat e trajnerit të ri si edhe për objektivat në eliminatoret e Evropianit 2020.
***
Ndeshjet e fundit nuk jeni aktivizuar rregullisht me Legian. Mjafton të përmendim sfidën e së dielës me Termalican, ku luajtët vetëm 19 minuta për të kuptuar situatën. Jeni në formë të mirë, por aktivizoheni shumë pak në Poloni. Pse ndodh kjo?
Janë zgjedhjet e trajnerit dhe skuadra po ecën mirë, aktualisht jemi vetëm një pikë larg vendit të parë. Trajneri i Legias, Jozak, më thirri në takim pas ndeshjes me Turqinë, ku shënova dy gola, biseduam dhe më përgëzoi për golat, për formën dhe për mënyrën se si po stërvitem. Më ka thënë që do më japë shanset e mia, është i kënaqur për punën që po bëj. Çdo gjë është pozitive, madje edhe me drejtuesit kam biseduar vazhdimisht dhe më japin shumë mbështetje. Gjithsesi, unë po pres shansin tim, që të kem mundësi të jap 100% në fushën e lojës, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje, përpiqem të jap më të mirën time. Është zgjedhje e trajnerit dhe unë duhet ta pranoj.
Cilat janë arsyet e kësaj zgjedhjeje nga ana e trajnerit? A mos vallë nuk i përshtatesh skemave të tij apo çfarë?
Trajneri më ka bërë me dije se vendi në sulm është i imi. Kur ai erdhi në fillim te Legia në tre ndeshjet e tij të para pas emërimit kam qenë titullar, por pas ndeshjes së Kombëtares ndaj Italisë kalova një gjendje gripale. Për këtë arsye trajneri hodhi në fushë një sulmues tjetër, i cili ka luajtur shumë mirë në ndeshjet e fundit, ka shënuar gola dhe skuadra ka fituar. Është normale që trajneri të mos e ndryshojë formacionin nëse skuadra ecën mirë. Vetëm kaq. Më duhet të theksoj se nuk ka pasur asnjë krisje me trajnerin Romeo Jozak dhe kemi marrëdhënie shumë të mira.
Sigurisht që është e vështirë për mua të pranoj stolin, duke pasur parasysh që duhet të tregoj akoma veten dhe cilësitë e mia siç kam bërë në kombëtare.

Si po të duket ambientimi te kampionati polak dhe çfarë objektivash keni me Legian këtë sezon?
Objektivat janë të qarta, ne duhet të fitojmë kampionatin, që është primar. Edhe Kupën e Polonisë duam me çdo kusht ta bëjmë tonën, pasi kemi arritur deri në gjysmëfinale dhe kemi ecur shumë mirë. Në Poloni pritet shumë nga ne, ka shumë tifozë që vijnë në stadium e që interesohen për ne qoftë edhe në takimet që kemi në dyqanin e klubit gjatë javës. Është një nga klubet më të mëdha në Poloni, më i mirëorganizuari më duhet të them. Kjo ishte edhe arsyeja që e bëra zgjedhjen time pa u menduar dy herë. Sapo pashë stadiumin dhe organizimin që kishte klubi vendosa të firmosja. Ndihem mirë, nuk kam hasur vështirësi, por tani duhet të kem pak durim që të kem më shumë minuta. Besoj se çdo gjë do të shkojë mirë, me durim e me punë ia kam dalë mbanë kudo.
Në Shqipëri shpesh përflitet për tifozët e Leagias, që janë aq të zjarrtë në stadium, saqë arrijnë të ndërpresin edhe ndeshjet. Ju si e përjetoni këtë atmosferë dhe si e shikoni sjelljen e tyre?
Tashmë jemi mësuar. Kur erdha në fillim ishte si një surprizë për mua. Nuk kisha luajtur ndonjëherë para një tifozerie kaq të zjarrtë. Por ne po kalojmë një moment pozitiv dhe tifozët janë qetësuar pak duhet të them. Është klub i madh dhe argëtimi më i madh në qytet gjatë fundjavës janë ndeshjet e Legias. Sigurisht që janë të veçantë, e dashurojnë shumë klubin dhe kërkojnë gjithmonë maksimumin nga ne.
Për merkaton është pak herët për të folur, por jemi kurioz të dimë a ju kanë ngacmuar menaxherët këtë periudhë pas paraqitjes pozitive me Kombëtaren apo jo?
Jo, nuk e kam mendjen te merkato. Mendoj vetëm për dy ndeshjet e radhës dhe shpresoj ta mbyllim vitin në krye. Pastaj do të kemi një fazë përgatitore të gjatë gati 1-mujore.
Të them të drejtën më kanë kontaktuar nëpërmjet menaxherit disa klube, ka pasur disa telefonata, por unë kam fare pak që jam transferuar te Legia, që ka shpenzuar shumë për mua dhe nuk e mendoj fare të diskutoj me klube të tjera. As unë nuk dua të largohem nga Legia pa treguar se çfarë jam në gjendje të bëj.

Po të bëjmë një pyetje hipotetike, për çfarë oferte do të vendosje ta lije Legian? Në ç’rast do të tundoheshit?
Ndonjëherë ne futbollistët nxitohemi dhe kërkojmë të largohemi nga një skuadër me çdo kusht, sepse mendojmë që në një skuadër tjetër do të jemi shumë herë më mirë. Por për momentin jam i përqendruar te Legia dhe të stërvitem sa më mirë. Nëse menaxheri do më propozojë një ofertë që do të më befasojë, atëherë do të detyrohem të flas edhe me klubin që të biem dakord.
Pak a shumë me trajnerin e Kombëtares, Panucci jeni njohur më mirë, keni bërë disa ndeshje nën drejtimin e tij, gradualisht skuadra po bëhet gati për eliminatoret e Kampionatit Evropian të ardhshëm. Nëse mund të bësh një vlerësim, a besoni se do të përsëritet mrekullia e Euro 2016-s edhe një herë me trajnerin e ri? Si i shikoni shanset?
Kam shumë besim. E treguam veten me Turqinë, bëmë një ndeshje shumë të mirë, e vërtetuam që jemi rritur si ekip dhe na shërben çdo grumbullim. Situata duket gjithnjë e me më e mirë, po bëhemi një skuadër më e kompletuar. Trajneri Panucci ka futur një frymë të re në ekip dhe luan me një skemë më ofensive dhe me një sulmues më shumë krahasuar me De Biasi-n. Besoj se kjo e ka ndihmuar ekipin, ashtu si edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur dhe mendoj që kjo është pozitive. Mezi po i presim nisjen e eliminatoreve, por më parë duhet të mësojmë shortin, pastaj të mendojmë për ndeshjet një nga një.
Intervistoi: Fatjon KODRA
