Këto ditët e fundit po ma sjell në majë të hundës. Kam zbuluar se është nga ato prerje që po të bëri një nder, ta merr shpirtin duke ta përmendur njëqind herë. Epo durimi ka një kufi. Vetëm vitin e fundit i kam thënë tre-katër herë: Po qe kështu, unë iki fare nga drejtimi i partisë dhe vendosni kë të doni. E kuptoj që kjo është punë me stres dhe andrrallat janë pjesë e zanatit, po jo deri në këtë pikë. Kam dinjitetin tim unë…
Ja, ta marrim me rradhë. Më premtoi se pasi të digjnim mandatet dhe të bënim pak rrëmujë që Brukseli të na bllokonte bisedimet, do shikonte mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Që edhe unë të dilja i larë para merhumëve të mi. Ja ku jemi, sot e kësaj dite. Ama, edhe Doktori më doli nga skema. “Digji, digji, se kam folur unë me birin e Kristaqit,” tha.
Po dhe ai s’ka faj, plak hesapi dhe s’para mban mend. Shyqyr që ka atë arkivën fantastike me dosje për gjithkënd, dhe i kthehet herë pas herë për t’u rifreskuar. Është i lezetshëm.
Pastaj, më premtoi që vjet, se nuk do ta ngiste më atë punën e lobimit me para ruse. Por mashtruesi, më mbante varur duke nxjerrë ndonjë titull në media herë pas here, medemek për presion. Se nga ata jam unë, që e ha presionin! Sa qesharak. Po pse mo, a ka qëndrim më perëndimor, sesa të përdorësh para ruse për të bërë lobim amerikan? Kështu edhe amerikanin e pasuron, edhe rusin e dobëson financiarisht! Po marrin vesh injorantët? Vetëm nga paratë që u mora serbëve kur isha në UNMIK, Beogradi sot e kësaj dite nuk po e merr veten nga borxhet.
Vjen tani e më thotë, gjyqin e Nikut nga Muzina ta mbylla, hajde në tryezë zgjedhore se boll livadhise, do bëjmë politikë me dialogje, samite, fjalime e delegacione bipartizane apo jo?
Mua me partizanë mos më ngatërro, i thashë, se unë jam i djathtë o injorant, o rrugaç.
Atëherë u bind dhe më premtoi: “Okej okej, pa partizanë. Do sjell në bisedime një nga ballistët e mi më të mirë, Dhamianin. E di që e ke sharë publikisht, por kjo të ngre pikë. Se kur ulesh me ata që ke sharë, tregon shpirtmadhësi, se ngrihesh mbi interesat personale për të mirën e vendit. Ja shif mua. Ngjalën s’e honeps fare, por vajta e hëngra një copë, se s’u bë qameti”.
Se ku i ka mësuar këto gjëra, shejtani… Por ama, është shantazhues i poshtër. E lamë më 2013-n që punën e Belle Air ta mbyllim pa zhurmë dhe stafin ta çojmë te Ernesti. Tek e fundit, shqiptarët bileta duan, edhe ne bileta u japim. Si thotë fjala, njëra dorë lan tjetrën, të dyja sumën.
Kur ç’të dëgjoj para një jave? Ernestin e paska bllokuar italiani. I çoj mesazh, ore se mos ke gisht te mbyllja e Ernestit?
Më dërgon emoxhi maskarai, dhe tekstin prapa: “Po të ishte gishti im, do ta kishe kuptuar menjëherë o rrush,” më thotë, “po fajin e ke vetë, se bën një hale me lekë dhe nuk paguan as një dorë taksa. Italianin vërtet e kemi tonin, po do edhe ai pjesën e vet”.
Posi posi, do mbaj dhe Italinë me bukë unë. Ja bëra të qartë, do ndërroj emrin e kompanisë dhe do filloj prapë, se populli unë i vuajtur do bileta dhe Air Albania nuk i plotëson dot kërkesat. A do ta zbrazim Shqipërinë deri sa të mbeten 1.2 milionë banorë apo jo? Tani që po e mendoj, mos e ka stisur këtë historinë e Ernestit për t’i marrë të gjitha biletat vetë?
Lere kjo, po është bërë dhe tiran e posesiv. Ku ishe sot, me kë u ule, si shumë rri me ata të kryesisë së partisë tënde, po Doktori pse të thirri…
Po ik ore, i thashë një ditë, pse më merr leje ti mua kur çdo javë shkon në Vjenë a në Stamboll? Do ti të rrish me Baba Rexhepin? Edhe unë do pi kafe me Baba Saliun.
Në fakt, duhet t’i sajdisim pleqtë, se sot janë, nesër s’janë. Megjithëse ç’them dhe unë, këta tanët rrezik do venë nga 120 vjeç…
Më e bukura është se është bërë dhe mendjemadh. Tani ke përballë presidentin e OSBE-së, më shkroi pardje, ndaj mati fjalët.
“Po ç’president, o rrugaç, o i poshtër,” ja ktheva, “po hajde në Tiranë se po të dalin gjysma e kryebashkiakëve burgaxhinj, s’të vjen zor s’të vjen!”
Do ti që nuk i bëri përshtypje fare?
“Mua më shqetësojnë ata që s’kanë asnjë dënim,” tha, “se dënimi me burg në një shtet fqinj ka qenë një nga kriteret e kandidimit!”
Zot i madh, ça arroganti….
*****
SHËNIM / Gojët e Liga është rubrike satirike, si vetë jeta jonë pluraliste…

Ngado qe te rrotullohemi NE gjthemon bythen do ta kemi nga mbrapa…!
dhe këta të dy e kanë hajdarin para!!
këta skanë faj që ne ecim prapsht!!
Kam qsshur. E bukur
ka deshmi se Basha nuk ka identitet kombetar e as etink,sepse ka dnerrua identitetin shteterore e kombetar,eshte Hollandez me identitet shteteror e komebetar,Basha ne Shqiperi vjen me aktrua.luan rolin e “liderit partiak dhe opozites se bashkuar”, qe ka synime te rrembeje e plackit shtetit dhe te genjeje populli, organizon protesta,perbalt shtetin dhe kombin tere diten, ne mbremje I “shlodh kembet” ne avion per Hollande, Kjo eshte korrektesia dhe ndergjegja e tij ndaj popullit dhe shtetit shqiptar.