Bulqizë– Një fëmijë 12-vjeçar dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke varur veten pas një grindjeje me babanë e tij. Ngjarja shokuese ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Gjoricë të Bulqizës, në komunën me të njëjtin emër. Sipas policisë vendore, viktima është fëmija Edison Lleshi, i cili sipas hetimeve paraprake rezulton se është grindur me të atin për t’i blerë dhurata për festën e Vitit të Ri. Më pas trupi i të voglit është gjetur i varur në një shtëpi të braktisur të fshatit, pasi familjarët vunë re mungesën e tij dhe po e kërkonin.
Flijimi
Efektivët po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, ndërsa po hetojnë dhe në pista të tjera. Policia nuk e identifikoi plotësisht të miturin për shkak të tragjedisë së ndodhur dhe hetimeve ende të papërfunduara, ndërsa po vlerësohet çdo informacion. Por nga marrja në pyetje e të afërmve dhe banorëve të fshatit, mësohet se orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur babai ka dalë për të bërë pazar me rastin e festave, 12-vjeçari i ka kërkuar një dhuratë. I ati e ka refuzuar dhe fëmija është mërzitur, duke u larguar nga banesa. Familjarët nuk i kanë dhënë rëndësi të madhe kësaj mërzitje, por në mesditë kanë nisur të shqetësohen për mungesën e tij. Pas kërkimeve në fshat dhe tek të afërmit, pasdite trupi u gjet i varur në tel në një prej shtëpive të pa banuara të fshatit. Tronditja në familje ka qenë e madhe, ndërsa u njoftua policia e Bulqizës për të nisur hetimet. Trupi u dërgua në morg dhe nga këqyrja nuk u konstatuan shenja të dhunës fizike apo plagë. Pista e parë është vetëvarja për shkak të depresionit të momentit, por po verifikohen edhe pista të tjera.