Vetëvritet me armë zjarri ish-pompisti i Hidrovorit në Tale të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së hënës në Grykë-Lum të Shënkollit, kurse viktima është Mark Brahimi, 55 vjeç, baba i dy fëmijëve. Policia tha se dyshon se shkak për flijimin është bërë gjendja depresive që përjetonte i ndjeri, ndërsa ka disa pista hetimi. Por familjarët pretenduan se shkak i vetëvrasjes ishte shkarkimi nga detyra një muaj më parë, që kishte shkaktuar më pas depresionin tek Brahimi. Gjithashtu 55-vjeçari kishte hapur një proces gjyqësor për largimin nga puna dhe seanca e të hënës u shty për mungesë të palëve në gjyq. Mësohet se largimi i Brahimit dhe punonjësve të tjerë nga puna ka ardhur pas zbulimit dhe hetimeve që ka nisur Prokuroria e Lezhës, për humbjen e pompës së Hidrovorit të Tales, i blerë 10 mijë USD, të cilën Ministria e Bujqësisë në auditin e saj e ka cilësuar dëm financiar dhe e ka denoncuar. Pompa dyshohet se është shitur për skrap dhe hetimet ende nuk kanë përfunduar, ndërsa nën procedim është edhe ish-drejtori i Hidrovorit.
Ngjarja
Policia vendore konfirmoi dje se 55-vjeçari Mark Brahimi, baba i dy fëmijëve, është vetëvrarë me një armë gjahu në banesën e tij. Madje mësohet se i ndjeri kishte punuar për më shumë se 20 vjet si pompist në Hidrovorin e Tales. Babai i Markut u shpreh për mediat se atë e kishin larguar pa të drejtë nga puna, edhe pse kishte shumë vite eksperiencë, me pretendimin se nuk kishte shkollimin e duhur. Madje ai fajësoi drejtuesit aktual të Bordit të Kullimit si fajtorë. Po dje është kryer edhe ceremonia për 55-vjeçarin baba të dy fëmijëve. Momenti kur ka ndodhur flijimi në banesë mësohet se i ndjeri ka qenë i vetëm në dhomë.
Hetimet
Policia tha se shkak i vetëvrasjes është depresioni. Brahimi kishte hapur një proces gjyqësor në Gjykatën e Lezhës me padi civile menjëherë pas shkarkimit. Në seancën e parë palët kanë munguar gjatë ditës së hënë dhe është shtyrë. I mërzitur 55-vjeçari dyshohet se ka zgjedhur të flijohet. Por kjo ngjarje sipas policisë vjen fill pas skandalit të zbuluar në Hidrovorin e Tales, për zhdukjen e pompës që ishte blerë vite më parë dhe që Ministria e Bujqësisë e kishte denoncuar si një vepër penale dhe dëm ekonomik 10 mijë USD. I ndjeri Brahimi ka qenë pompist në Hidrovor. Nuk dihet ende nëse ai ka pasur dijeni për ngjarjen, por Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet për ish-drejtuesit e Hidrovorit, ndërsa dyshohet se pompa ka shkuar për skrap. Dhe për shkak të zhdukjes së saj, sipas autoriteteve, ka pasur edhe përmbytje në Lezhë.
