Flijohet me helm pronari i “Ante Grand”

redaktor

Flijohet në mënyrën më tragjike një nga bashkëpronarët e lokalit “Ante Grand”, ku ndodhi masakra me katër të vrarë nga i dyshuari Kostandin Xhuvani, mëngjesin e 4 nëntorit në Tiranë. Andrea Omiro, 54 vjeç, banues në kryeqytet, ka humbur jetën në spital si pasojë e konsumimit të një sasie helmi të llojit fostoksinë.

Ngjarja ka ndodhur prej ditës së diel, më 4 nëntor, por lajmi u mësua vetëm dje, ku u njoftua se varrimi i tij prej familjes është kryer në qytetin e Gjirokastrës. Omiro jetonte së bashku me familjen e tij në lagjen e njohur si “Komuna e Parisit”. Madje kanë qenë të afërmit që e kanë gjetur në gjendje të rëndë në banesë kur janë kthyer në orën 18:35, duke e dërguar me urgjencë për në Spitalin e Traumës, ku edhe ndërroi jetë mbrëmjen e së dielës. Policia hetoi këtë ngjarje dhe sipas ekspertëve dhe mjekëve ligjorë, shkak dyshohet se është vetëhelmimi i Omiros në kushtet e një depresioni të rënduar kohët e fundit pas ngjarjes së ndodhur në lokal. Familjarët i kanë thënë policisë se 54-vjeçari e vuante shumë masën e arrestit shtëpiak pas ngjarjes së ndodhur në lokal.

Ishte në arrest me burg

Por i ndjeri Andrea Omiro ishte edhe nën masë sigurie nga Gjykata e Tiranës për ngjarjen e ndodhur më 4 nëntor, jo si i përfshirë direkt. I ndjeri kishte në pronësi ambientet e lokalit të natës “Ante Grand” bashkë me një person tjetër që e kishte marrë edhe me qira njëkohësisht. Pas masakrës së ndodhur në lokal dhe konstatimit nga policia se ishte hapur dera e pasme duke u prishur vendngjarja, 54-vjeçari u procedua penalisht nga policia dhe prokuroria.

Ndaj tij u ngrit akuza e “mbajtjes së armëve të ftohta”, pasi sipas procesverbalit të hartuar, brenda lokalit i është gjetur një levë hekuri. Por gjykata nuk e ka parë të arsyeshëm arrestimin, duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, masë që ishte ende në fuqi edhe ditën që ndodhi flijimi. Roja privat dhe pronarët u hetuan edhe për faktin se në lokal hynë personat e armatosur.

Masakra te lokali

Krimi i katërfishtë ndodhi rreth orës 04:20 të mëngjesit të 4 nëntorit, brenda ambienteve të lokalit të natës “Ante Grand”, te “Rruga e Elbasanit”. Pas një sherri banal nën efektin e alkoolit mes të rinjve në dy tavolina, që sipas hetimeve ka ndodhur për një dozë drogë të kërkuar nga Kostandin Xhuvani, ky i fundit merr armën në makinë dhe kthehet duke vrarë Edison Jahon dhe Enea Xhajin, me të cilët kishte konfliktin. Gjithashtu nga të shtënat mbetën të vrarë aksidentalisht shoku i Xhuvanit, Arbër Demiraj dhe investitori italian, Giampaolo Azzola. Policia arrestoi 25-vjeçarin dhe shokun e tij Erald Sida, që janë nën proces gjyqësor dhe hetimor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *