Më bëri përshtypje një dialog pensionistësh në qytetin tim për reformën në drejtësi, ku njëri thoshte: “duhet ta kishte mbiemrin S’Lu që fjala ti shkojë në vend, ky e ka Lu e fjalën nuk po e thotë troç!” – Përnjimend, thirrja e Ambasadorit Lu për rëndësinë e kryerjes së reformës në drejtësi, kritikën dhe rekomandimet e njëpasnjëshme, takimet me krerë të politikës dhe me ata që nuk duan të heqin dorë nga diktimi politik, prezenca përkrah ambasadores Vllahutin, përsëri nuk po jep frytin.
Si rregull e sipas protokollit, një ambasador ka për mision pasqyrimin e politikës së shtetit nga vjen dhe në raste të veçanta mund të rekomandojë nisma apo marrëveshje social-ekonomike mes shtetesh. Por në Shqipëri, ambasadorët janë aktorë politikë në qeverisjen e vendit! Këto 25 vite pluralizëm, ambasadorët i kanë hyrë në “thela” politikës tonë … Ata dijnë se çfarë ndodh, çfarë politikanësh kemi, ku kryhet korrupsion, kush është kriminel, cili ka vënë pasuri kriminale, kush vjedh tenderat, cili ka vrarë e kush vlen për të ecur në rrugën e duhur shteti ynë.
Gjithë shoqëria shqiptare është kthyer në “llafazane” kafenesh, kudo flitet për reforma, korrupsion, varfëri, papunësi e pasurim politikanësh … Por kemi edhe nga ata qytetarë që kanë frikë të flasin edhe pse dinë gjithçka, pasi politika ka edhe “të fortët” e vet, ata që i mbyllin gojën me dhunë kundërshtarit.
Në vend të “peshkaqenit” shkon në burg “cironka”, në vend të vrasësit politik shkon në burg “ushtari”. Pa folur për mijëra ish-komunarë e ish-bashkiakë që kanë mbirë si kërpudha rreth e përqark metropolit e bregdetit, që zotërojnë biznese pafund të ngritura nga korrupsioni me tendera e fonde që nuk shkuan kurrë në shërbim të qytetarit, e tash 25-vite askush prej tyre nuk “vuajti” shkeljen e ligjit! Ka kuadro policë e ish-drejtuesa që zotërojnë pasuri marramendëse e ndërsa kolegët e tyre me zor shtyjnë muajin. Por kush guxoi e tha fjalën “troç” në Shqipëri? Vetëm ai që humbi gjithçka, pasi ne që kemi duruar e durojmë padrejtësitë, heshtim e presim fjalën e Ambasadorëve Lu e Vlahutin! E këta gjithçka po e bëjnë, por një gjë nuk po e thonë: Fjalën troç! – T’u thonë shqiptarëve se kush është bllokuesi i reformës në drejtësi e mos të merren me ecejake nëpër zyra e parti. Folni troç për të mirën e shqiptarëve të nderuar Ambasadorë! Nuk mund të jeni të përfshirë në çdo qelizë të jetës politike të vendit, dhe të heshtni mbi ata që mbajnë peng reformën.
Letër e nënshkruar,
Valentin MACAJ
