Flota Luftarako-Detare, krenari e ushtrisë shqiptare

Ornela

Petrit Myftiu

Unë i përkas atij brezi detarësh, që, për shumë vite, si ditë të krijimit të Flotës Luftarako-Detare të Shqipërisë, ka kremtuar datën 15 Gushtin 1945. Në një takim me studentët e Akademisë të Marinës Luftarake në Vlorë, komandanti i atëhershëm i Flotës Luftarako–Detare, kundër-admirali Abdi Mati, midis të tjerave, iu tha studentëve: “- A është i saktë pohimi se Flota Luftarako-Detare është krijuar më 15 Gusht të vitit 1945?” – i pyeti, kundër admirali studentët. “Detaria shqiptare është e lashtë. Krijues i saj është populli ynë i talentuar. Himariotët, ulqinakasit, durrsakët, vlonjatët, shkodranët janë të parët trima të detarisë shqiptare. Detaria shqiptare, – vazhdonte më tej Abdi Mati, – i ka rrënjët në shekuj… E vërteta është se në këtë zhvillim historik nuk mund të ketë një datë fikse, të prerë me thikë, si fjala vjen, 15 Gushti i vitit 1945. Iu duhet historianëve të kombit tonë dhe, në veçanti, atyre të artit ushtarak, të hedhin dritë për të përcaktuar saktë fazat e zhvillimit të detarisë shqiptare, fillimet dhe zhvillimet e saj, deri në ditët e sotme…

      Mbi këtë bazë, pas vendosjes në Shqipëri të pluralizmit politik, u konsiderua data 25 Dhjetor 1925, si ditë e krijimit të Forcave Ushtarako-Detare e Shqipërisë, sepse në atë kohë, Qeveria e Ahmet Zogut, bleu 4 anije luftarake nga Italia, e me komandant flote një oficer Italian, krijoi Flotën saj Detare Mbretërore. Sot e kësaj dite, Forcat Ushtarako-Detare të Shqipërisë, datën 25 Dhjetor e kremtojnë si ditë përkujtimore, të krijimit të tyre.

Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, në muajin shkurt të vitit 1945, Abdi Mati emërohet të drejtojë Seksionin e  Marinës, pranë Shtatmadhorisë të Ushtrisë Kombëtare.  Ai posa kishte përfunduar me sukses,  në vitin 1942, studimet e larta në Akademinë Mbretërore të Marinës, në Livorno të Italisë. Puna për ngritjen e Marinës Luftarake të Shqipërisë u fillua nga hiçi, ashtu siç ishte filluar në të gjithë fushat ekonomike, politike dhe ushtarake, në ato vite të pasçlirimit në Shqipëri. Ajo punë kërkonte të gjendeshin njerezit dhe ajo pak teknikë që do të merreshin me nxjerrjen nga fundi i detit të motobarkave e motorskafeve të mbytur në vitet e Luftës e 2-të Botërore. U hapën kapiteneritë e porteve të Shqipërisë: Stavri Çika me Nik Vuksanën filluan punën e drejtimit të kapitenerisë në portin e Durrësit, Pali Carapuli e Ndoc Gjeluci , në atë të kapitenerisë së Vlorës, Maze Roshi e Pashko Jubani, në atë të kapitenerisë së Shkodreës, e së fundi, Rrako Gjermeni e Mikel Nanaj, në portin e Sarandës. Plot 60 vetë, ish partizanë u caktuan të punonin në kapiteneritë e porteve, midis të cilëve dhe disa specialistë, si Anastas Qendro, Abdulla Hoxha, Stefan Maliko (Goga), Nazmi Mezini, Qemal Braka etj, të cilët u morën me riparimin e mjaft mjeteve detare , të nxjerrë nga deti. Pas çlirimit, vëndin e rrezikonte kriza e bukës. Veterani Pali Carapuli, sot kujton: “Në vitin 1946 kishin ardhur 2 vaporrë me grurë nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, njëri për Vlorën e tjetri për Durrësin.  “Populli do bukën e gojës, o Pali, – thërriste nga ana tjetër e telefonit Abdiu, nga Tirana, – prandaj organizojeni vetë punën e shkarkimit të vaporrit, edhe pse ai nuk mund t’u afrohet pontileve të shkatërruar të portit…   Me lança-veliere u shkarkuen vaporrat, ndërsa magazinimi i thasëve me grurë u bë në porto, nën qiellin e hapur, sepse në atë kohë magazinat e portit ishin  plotësisht të shembura… – kujton sot e kësaj dite Pali Carapuli, për atë kohë zije, përgjegjës i portit të Vlorës.

***

Në kantierin privat të Tom Gogës në Durrës u bë dhe riparimi i 2 motoskafëve trofe, të cilët, më 15 Gusht të vitit 1945, ditë e cila u shpall edhe si dita e themelimit të Marinës Luftarake, me pjesëmarrjen edhe të gjeneralëve Myslym Peza, Koçi Xoxe e Spiro Moisiu, të Omer Nishanit, Abdi Matit e të tjerë, u ulën në ujë dhe mbi to u ngrit Flamuri Luftarako-Detar i Marinës.  Më 1 Maj 1946, me pjesëmarrjen e shumë autoriteteve të larta shtetërore, si   edhe të Abdi Matit, u bë, për herë të parë paradë detare e anijeve luftarake dhe tregtare, në radën e jashtme të portit të Durrësit. Kjo paradë e anijeve, me flamuj të zbukuruar, pati një ndikim mjaft pozitiv, për ringjalljen e traditave detare tek populli i Durresit, si dhe tek efektivat e Marinës Luftarake.

Në ato vite, për ngritjen e Flotës duheshin arsimuar kuadro navigatorë dhe inxhiniero-teknikë. Qysh në vitin 1946, me dy rejse, u nisën për në Divulje të ish Jugosllavisë, të shoqëruar personalisht nga Abdi Mati, dhjetra studentë të rinj, pjesëmarrës në luftën NÇl, për t’u përgatitur në shkollën e specialiteteve detare. Ata duheshin për drejtimin e atyre pak mjeteve detare që kishim, të nevojshëm për zbatimin e detyrës së ruajtjes së ujrave territoriale të Shqipërisë, të nevojave për transportin e brendshëm detar, si dhe për nevojat e kapitenerive të porteve. Do të mbahen për shumë vite mënd kontributet e vyera të Selam Qejvanit, Sadik Gërxhalliut, Paskal Thanasit, Nazmi Mezinit, Petro Trenit, Mersin Hysit, Ismet Belulit, Beqar Demkos, Halit Himës, Xhevit Bujarit, Rahmi Mborjes e shumë e shumë të tjerëve në punën e tyre të vështirë e të palodhur për drejtimin e mjeteve detare të asaj kohe. Akti heroik i Spiro Kotes, i cili i vetëm u ndesh me dezertorët, duke treguar një atdhedashuri e besnikëri shembullore ndaj Betimit Ushtarak, rriti akoma më tej hovin patriotik të detarëve për ruajtjen e ujërave territoriale të Shqipërisë.

Me shumë vlerë qenë edhe studentët, që ndër vite, ndoqën me sukses studimet në Shkollat e Larta të navigimit dhe ato inxhiniero-teknike, në ish Bashkimin Sovjetik. Ky kontingjent qe tepër i domosdoshëm, sepse nga dhjetori i vitit 1953, e më pas, në janar të vitit 1954, nga Bashkimi Sovjetik erdhën anijet e para luftarake, konkretisht 6 katerat e parë silurues, të cilët formuan skuadriljen e parë të tyre. Këto anije kërkonin kuadro detarë dhe inxhinierë me arsim të lartë.

Flota Luftarako-Detare nisi të formësohej me një strukturë të larmishme anijesh, me shtabe e komanda operative, në cilët do të shërbenin specialistë të navigimit, të armatimit artilier, të minë-silurave, ndërlidhësa, inxhiniero-teknikë, të radiolokacionit, të akustikës, të hidrologjisë etj.

***

Në vitin 1956 Shqipëria, si pjesë e të ashtuquajturit kampi socialist, u pranua si anëtare e Traktatit të Varshavës.  Vitet 1957-1961 do të jenë vitet e modernizimit të mëtejshëm të Flotës Luftarako-Detare. Nga ish Bashkimi Sovjetik do të vijnë në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit Brigada e nëndetseve, e përbërë nga 4 ND me ekuipazh shqiptar dhe 8 të tjera me ekuipazh sovjetik.

Në ishullin e Sazanit do të krijohej  Brigada e Mbrojtjes së Rajonit të Ujrave, e përbërë nga anije çminuese dhe gjuajtës detarë, kundër nëndetseve, të ardhur po nga ish Bashkimi Sovjetik.  Për t’iu shërbyer këtyre njësive ushtarako-detare u krijue edhe Grupi i anijeve ndihmuese, i përbërë nga anije speciale të polumbarëve, anije silurë-kapëse, rimorkiatorë, çisterna nafte dhe uji e të tjera. Lindi Shërbimi Hidrografik i Flotës, me sistemin e fenerëve gjatë gjithë bregdetit, bovave e shenjave të tjera detare. Brenda një dekade, Flota Luftarako-Detare, nga një flotë e barkave prej druri me disa motoskafë trofe, u rrit dhe u bë bë një njësi luftarake, e shkallës operative, me detyra tepër të rëndësishme në planin strategjik të mbrojtjes së vendit. Këto vite, qenë për ekuipazhin e FLD-së, vite shumë të vyera për detarinë ushtarake të popullit tonë. Çdo vit, efektivi i  njësive dhe reparteve të Flotës, nën drejtimin e  e kuadrove komandues, si Robert Bali, Lutfi Gjika, Tom Kola, Petrit Myftiu, Astrit Sevrani, Zisi Anastasi, Skënder Doçi, Ndue Jaku, Dhiogjen Gjergji, Tasim Meçe, Fitim Halili, Çapajev Smokthina, e shumë të tjerë  zhvillonte qitje praktike me silura, vendoste mina detare dhe e çminonte detin prej tyre, zhvillonte qitje me artilerinë e mitrolozat e anijeve kundër objekteve bregdetare, apo kundër avionave. Gjithmonë FLD ka qenë prezente në stërvitjet e mëdha që zhvillonin Korpuset apo Divizionet Bregdetare në zonat e tyre operativo-strategjikë, në bashkëveprim me Artilerinë Bregdetare apo me forcat e shumta të mbrojtjes në bregdet. Nuk mund të mos e përmënd lundrimin 22 ditor të nëndetses C-250, me komandant Aleko Pojani, që u zhillue në rajonin e deteve Adriatik e Jon. Në këtë lundrim morën pjesë edhe komandanti i Br.ND-ve Dashamir Ohri, ish komandanti i ND C-360 Shyqyri Çukaj etj.

Dihet qëndrimi heroik i efektivit të FLD-së në periudhën e acarimit e të prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Efektivi manifestoi kudo zgjuarsi, vendosmëri e vigjilencë për ruajtjen e armatimit e të teknikës të anijeve. Ai arriti të ndahej me ekuipazhin sovjetik në paqe, pa luftë, me shumë pak incidente dhe me largimin e tyre nga Shqipëria, nuk e humbi turruan, por me disiplinë e seriozitet vijojë në rrugën e aftësimit tekniko-profesional të vetvetes. Në atë periudhë të vështirë e mjaft delikate efektivat e Flotës u drejtuan me shumë profesionalizëm nga  kuadrot komandues, të tillë si Qamil Poda, Xhemal Shani, Mark Plani, Dashamir Ohri, Haziz Hasa, Guri Laze, Shefqet Pinari, Muharrem Lulolli, Arqile Papadhimitri, Fatos Voshtina, Ylber Sevrani e të tjerë. Flota, në atë kohë komandohej me shumë kompetencë nga kundëradmiralët Abdi Mati dhe Zeqiri Mero, të cilët për asnjë moment nuk u ndanë nga hallet e problemet e shumta që krijoheshin në dinamikën e ngjarjeve e të marëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Nën drejtimin e tyre Flota Luftarako-Detare vazhdoi të rritej e të perfeksionohej me anije dhe armatim të kohës. Dhjetra katera silurues e anije të tjera luftarake erdhën në ato vite nga Republika Popullore e Kinës, e cila u bë burimi parësor i furnizimit të Ushtrisë së atëhershme Popullore. Në bazën ushtarako-detare të Pashalimanit u ndërtue Kantjeri i Riparimit të anijeve të Flotës, i cili zgjidhi shumë probleme të gatishmërisë teknike të anijeve dhe objekteve tokësore të Flotës. Kontribute të vyera dhanë kuadrot inxhniero-teknikë në mbarëvajtjen e punës në KRAF, të tillë si, Fatos Voshtina, Tahir Hoxha, Ylber Sevrani, Sabri Kasimati, Sefedin Fuga, Shefqet Lame, Luto Haskaj, Viktor Pashko, Ymer Bejko, Xhemal Nurja, Ilmi Shtylla, Ilmi Bregasi, Fahri Perona, Qemal Mema, Jorgo Ordolli, e shumë të tjerë.  I pavdekshëm do të mbetet akti heroic i detarit Ilia Kici Dashi, Hero i Popullit, i cili me trupin e tij të njomë luftoi me zjarrin që shpërtheu në lokalin e motorrave të anijes,

I pazëvendësueshëm ka qenë këmbëngulja dhe vendosmëria e Abdi Matit për ngritjen e Akademisë së Marinës Luftarake në Vlorë, e cila krijoi mundësi të arta për përgatitjen e kuadrove të Flotës, aq të domosdoshëm, në kushtet kur u ndërprenë mundësitë e pergatitjes së tyre në ish Bashkimin Sovjetik. Abdi Mati, iu  bëri thirrje të gjithë oficerëve të Flotës  për të krijuar bibliotekën e parë të Akademisë, duke dhënë i pari shembullin, duke i dhuruar  asaj mjaft libra të bibliotekës personale. Abdi Mati nuk u tregue aspak i kursyer për të krijuar stafin pedagogjik të Akademisë me kuadro që formonin ajkën intelektuale të Flotës. Haziz Hasa, si komandant i kësaj shkolle të detarisë shqiptare, e kuadro të tjerë e të shumtë, të tillë  si, Raqi Tabaku, Shaqir Kapexhiu, Mihallaq File, Muharrem Kuçana, Tahir Hoxha, Astrit Isaraj, Dylaver Hoxha,Osman Fosa, Shezai Osmani, Qemal Hysaj, Seit Jonuzaj, Vangjel Nano, Bedri Hankollari, Rustem Sharko, Izet Feçani, Stilian Haxhimihali, Mihallaq Milkani, Petrit Hysi, Aleko Pojani, Namik Demi, Sami Sinani, Aleko Stoli, Fadil Zeqiri, Festim Tefa, Çapajev File, Dhimitër Note, Enver Bejkosalla, Vladimir Toçi, Anastas Mile, Pavli Laste, Lufter Rruna, Gëzim Zilja, Antigoni Bej, etj. kanë merita të veçanta të ngritjes e të përsosjes gjithnjë e më tej të këtij institucioni kaq të rëndësishëm e i pazëvendësdueshëm të Detarisë shqiptare. Të vjen keq, kur vite më parë, kjo Akademi u mbyll, pa asnjë konsultim paraprak me ne, ish kuadro të Flotës. Kohët e fundit gjithnjë e më shumë, me të drejtë, me iniciativën e Dionis Andonit, po insistohet që kjo Akademi të rihapet e të funksionojë për të përgatitur kuadro navigatorë e inxhiniero teknikë për anijet e Forcave Ushtarako-Detare të Shqipërisë, pse jo, edhe të shteteve të tjerë për rreth.

Sot, Forcat Ushtarako-Detare të Shqipërisë, të radhitur bri flotave të shteteve anëtare të NATO-s janë të angazhuar me sukses të plotë për realizimin e detyrave të ruajtjes së ujrave territoriale të Shqipërisë, si dhe të detyrave në kuadrin e bashkëpunimit evropian.

 

Share This Article
5 Comments
  • E-he, sot jemi radhitur karshi NATO-s, … jo me anije, por me … breke neper duar!… Dhe me vila e biznese personale, krahas atij te politikanit, qe nuk kerkon ndonje mundim me te madh se sa nje bythlepirje te herpashershme, qe u bejme miqve tane!

  • Nje pjese e shkurter e historise te lavdishme te Flotes Luftarake Shqiptare.Petrit Myftiu eshte nje nga kontribuesit kryesore ne Lavdine e kesaj Flote!

  • Respekt për Petrit Myftinë. Nëndetsja që komandote ishte një laborator i vërtetë i fizikës dhe matematikës së aplikuar, vetëm në një metër kub hapsire të saj mund të kishte me dhjetra zbatime të këtyre shkencave dhe, duke ndjer këtë, komandanti i nëndetses, Petrit Myftiu, vazhdoj me korespondencë UT për degën e fizikës. Kritkë për Petrit Myftinë dhe brezin e tij që nuk pregatitën një brez tjetër oficerash që të kishin nivelin, dijen dhe pasionin e tyre për të drejtuar dhe komanduar nëndetset.
    Respekt për pedagogun e shkollës së oficerave të FLD Mihallaq Milkanin që mbushte tre dërrasa të zeza (në fakt ishin ngjyrë kafe) me formula për të shpjeguar se si mëndja e mrekullueshme e njeriut të ditur, duke shprehur ndikimin e rrutullimit të tokës mbi disqet rrotullues me ekucione diferenciale , integronte këtë ndikim, gjithmonë duke shkruajtur ekucione, në shpikjen e mrekullueshme , busullën xhiroskopike. Të gjithë pedagogët ishin të përkushtuar, përfshirë edhe pedagogun e matematikës, Astrit Isaraj, pa harruar edhe atë që na befasonte ndonjëherë kur na thoshte “Pikërisht kupton kuptove, të trija këto dy forca ekuilibrojnë këtë forcë në pallën e timonit”. S’ mund të le pa përmëndur librin e astronomisë detare përpiluar nga pedagogu Petrit Hysi me një përshkrim matematikor që sqaronte si çfrytzohej qielli me yje për përcaktimin e vëndodhjes së anijes. Mëkat që e mbyllën këtë shkolllë të mrekullueshme të shkencës së lundrimit detar. Detarët shqipfolës kanë qënë detarët e parë të Mesdheut , ja pse, jo vetëm në italisht, lundrimi quhet “nautika”= “na-ut-ika”= “në-ujt-ika”! Hapeni këtë institucion se është jo luks por nevojë e kohës! Kur janë hapur universitete koti si të mos hapet një shkolle lundrimit detar që të jetë të paktën sikurse qe shkolla dinjitoze me Azis Hasën komandant, i respektuar nga të gjithë ata që e kanë njohur e me një staf pedagogësh kompetent dhe të apasionuar.

  • Duke mos ulur poshtë krenarin e dikurshme të FLD dhe të gjithë ushtrisë sonë dua të pyes si kjo Flotë luftarake detare u zhduk si kripa në ujë dhe sot ka ngelur vetëm lavdia e saj? A ka ndodhur në historinë e botës që një armatë e mirë armatosur sikurse qe ushtrija jonë, të shkatrrohet pa këmbyer asnjë breshëri me ndonjë armik? Në luftën e dytë botërore gjenerali Dmitri Pavllov, komandant i disa armatave sovjetike në frontin bjellorus , mbasi u asgjësuan totalisht nga gjermanët trupat që komandonte, u dënua me vdekje si fajtor për këtë disfatë pamvarsisht se ai luftoj. Po asgjësimi i armatës tonë pa luftë a nuk duhet të ketë fajtor dhe i pari a nuk duhet të jetë komandanti i përgjithshëm i cili, në qoftë se gjenerali Popov ishte një herë fajtor se ushtria e tij u shpartallua nga një armik superior, komandanti i ushtrisë sonë duhet të jetë 100 herë fajtor, sepse ushtria u shkatrrua pa u përballur me asnjë kundërshtar. Në qoftë se i nderuari Petrit Myftiu flet për lavdi të Flotës dhe ushtrisë tonë, ai ose të tjerët mund të flasin dhe të analizojnë dhe të akuzojnë ligjërisht se si kjo ushtri përfundoj pa lavdi dhe në mënyrë historikisht të turpshme, apo nuk duhet bër kjo pyetje se ajo që ndodhi është një vogëlsirë e tranzicionit demokratik? Le ta lemë turpin dhe krimin e tradhëtisë nga pikpamja ushtarake të shpartallimit total të një ushtrie të tërë, por ta shikojmë nga pikpamja ekonomike se si një super armatim , hekur ,çelik, eksploziv, karburant ….., ku vajtën , në se u shëndrruan dhe ku është inventari, kush është personi ose personat që duhen thirrur për tu përgjigjur se në se u konvertua pasuria ushtarake? Apo jemi në tranzicion demokratik dhe këto probleme janë vogëlsira? I nderuar Petrit Myftiu lavdia e FLD dhe ushtrisë sonë u kthye në një turp, njollë të zezë në historinë e kombit tonë dhe historinë ushtarake botërore se u shpartallua pa bër asnjë luftim, është turpi i atyre që në ditët e shkatrrimit të saj e komandonin këtë ushtri dhe duhet të nxiren para gjyqit ushtarak si gjenerali Pavllov që ngeli pa ushtrinë e tij gjysëm miljonshe të shtypur nga zinxhirat e panzerave hitlerian . Të paktën ai luftoj !

  • . Na beni KRENAR; sa na shkruani..
    i nderuar-Kuader VETERAN.Petrit Myftiu.
    (*Pasuesi Veteran* 84 vjeca -ju pershendet.)
    Falemindrit!

    Ndihem krenar, pos arritieve te pa krahasushme te Flotes sone Ushtarake detare qe ju, i nderuar Petrit Myftiu,na sillni me kete shkrim,ju faleminderit. (enderrra ime, si jetim mbetur pas lufte e rritur ne Tirane,pas saj(1936 ),lindur ate ne Zavalanin e Dangellise Naimjane; Gjyshin Jano-Kapedan,rene si bien trima me 1913te, ne mbrojtie te PV. sa shpallur i Madhi Ismail Qemali me shoke, te behem ushtarak, deri kerkuar
    te shkoja *Skenderbegas (1954) si vocrak shendet imet, komisioni perkates, me vleresoi,shendeterist te pa afte per ate.vazhdon dege me te pershtateshme per ju, me thane.Dola MESUES nje jete.Faleminderit, vellait madh ish Partizan sa *KOHES* qe jetova,mbeshtet.) ..
    Kam patur, pos te tjereve ,dy nga kuadrot e para te asaj flote, nje nga te gjakut im, dhe nje shok i viteve te rrities(viter 50t).qe ju e permendni me emer ne kete shkrim Rabert Bali,nje nga ish studentet e pare ne BS e atyre viteve,qe nje jete,ia kushtoi DETYRES ,deri drejtues ne ato Forca,. me Te (qw nga 1957ta) sa nipi nenes sime, Stefan Kita Dama, nga Marinaret e pare pergatitur ne Sevastopol,si *specialiste Polumbarist*,sa bere istruktor nje jete ne Pashaliman te Vlore.i atij specialiteti, nje jete sa dale ne pesion(1989) merak mbetur,pa mbushur te 50 vite jete.Nga ai merak, pas nje viti ndare nga jeta;*PUSHIM ZEMRE*,padrejtesi, ne e trajtimit tij..trajtuar sa dale ne pension..ne permeyin e ti ndare nga jete tre femije buzequmesht lene.djali invalid..dy cupat dale ne jete deri me univeritet.
    Faleminderit asaj nene,ish punonjese ne ate flote detare*oficine),
    Me gezon Robert Bali,pesionist e gezon shendet, sa di, keq me vjen, se kam takuar ..vite emigracioni. ..
    Ditet NJEMIJE i uroj,duke kujtuar dhe BABANE e tij , te nderuarin Tahir Bali,nje oficer qe gjat luftes..(nder kavalieret e pare te ushterise shqiptare,sa mbaj mend) ,nje jete me ta ne Tirane.Me Robertin qe nga shkolla 7 vjecare…krye *rruges Durresit*(Kongresi Permetit) shtepine e viteve te dalies ne jete.. besoj se do me falni per kete *dalie nga tema* po ia vlen te permenden.
    Ju falemindert i nderuar kuader i rralle i asaj FLOTE, sa kontributit tuaj, lene pasardhesve me PENEN tuaj,i nderuar Petrit Myftiu-thuajse bashkemoshatare jemi. .
    * LAVDI Flotes sone Luftarake,te viteve KRENARI-pas lufte!
    Nga tej oqeani ju shkruaj, vitet *qofte largu*qe po perjeton Atdheu yne pas,zhgennjimit sa*ENDERRUAM pas 90te*ju pershendes une.. nje jete MESUES:
    *Pasuesi Veteran*84 vjecar

    ** Mbodhesi Juve dhe ATDHEUT TONE-buze DETEVE-Adriatikut me JONIN -*Kryekeshtjella* !
    (Fatkeqesi cpesoi FLOTA sa ushteria jone ne keto vite *qoftelargu*)
    Toronto 20-08-2020. Guri Naimit D.(Dh Xhoga)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *