I dërguari i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Greqi, Poul Thomsen, ka deklaruar për të përditshmen greke, “Kathimerini” se trojka nuk është duke kërkuar të ashtuquajturat “masa horizontale”, siç janë uljet e mëtejshme të pagave dhe pensioneve, por reforma strukturore dhe ulje të shpenzimeve jo të domosdoshme.
Ai ka theksuar se është rënë dakord me autoritetet që, “masat horizontale” duhen shmangur, duke nxjërrë në pah edhe vështirësitë e dukshme politike dhe sociale për masat e reja fiskale.
Sipas tij, çdo objektiv i shkurtimeve duhet përcaktuar me kujdes, për të mbrojtur edhe shtresat më të cënueshme. Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka bërë thirrje për lehtësim të shtrëngimeve mbi shkarkimet në sektorin publik duke nënvizuar se ndryshimet mund të ndihmojnë në uljen e papunësisë duke nxitur kompanitë për të zgjeruar pa frikë aktivitetin e tyre.
Thomsen ka deklaruar se Greqia ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në rimëkëmbjen e qendrueshmërisë fiskale, duke shtuar se vendi është drejt rrugës së duhur për të siguruar një suficit primar, që është edhe shtylla kryesore.
Në lidhje me vonesën e bisedimeve me trojkën, ai ka nxjerrë si arsye, një numër të madh çështjesh të ndërlikuara ku përfshihet edhe një taksë për pronat. Thomsen ka thënë fjalë të mira për sistemin bankar, duke e cilësuar atë si plotësisht të rikapitalizuar.
