Qeveria shqiptare do të pranojë asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar në projektet e partneritetit publik-privat.
Burime pranë Ministrisë së Financave bëjnë me dije se parimisht është pranuar oferta që FMN bëri për të punuar me autoritet shqiptare për programet e koncesioneve, të cilat bëhen në bashkëpunim me privatin dhe për risket fiskale që ato mund të mbartin, shkruan tv klan.
Konkretisht Fondi ka kërkuar që të japë ndihmën e tij në analizën e kostove, që në të ardhmen detyrohet të paguajë buxheti i shtetit të kontratave që investohen nga kompanitë private dhe leverdinë ekonomike të këtyre projekteve.
Një grup ekspertësh pritet të vijë në Shqipëri për të monitoruar kontratat e për të parë rentabilitetin e projekteve PPP.
Aktualisht FMN vijon të asistojë disa fusha në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që nga mirëmenaxhimi fiskal e deri te kontrolli tatimor dhe sjellja me tatimpaguesit e punonjësve të kësaj administrate.
Në disa raporte të tij, Fondi ka kërkuar që qeveria shqiptare të bëjë kujdes e të studiojë mirë kostot buxhetore që do të lindin në të ardhmen nga veprat që do të ndërtohen sipas formulës PPP.
o.j/dita
