Fondi Monetar Ndërkombëtar po skanon ekonominë shqiptare, si dhe plotësimin e kushteve të marrëveshjes së nënshkruar me Qeverinë Rama në fillim të këtij viti. Më konkretisht zbatueshmëria e rekomandimeve, gjendja e financave publike gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti, si dhe ecuria e shlyerjes së borxheve të prapambetura, janë çështjet për të cilat FMN pritet të vlerësojë në përfundim javën e ardhshme të vizitës në Tiranë.
Një ekip të FMN-së i kryesuar nga Nadeem Ilahi prej disa ditësh ndodhet në Tiranë, ku ka zhvilluar një seri takimesh në nivel politik dhe teknik, përmes të cilave ka mbledhur opinionet e të gjitha palëve në funksion të hartimit të një raporti mbi gjendjen e ekonomisë dhe plotësimin e kushteve nga qeveria. Në bazë të vlerësimit që do ti bëhet raportit nga Bordi Ekzekutiv i FMN në Uashington, do të vendosë për lëvrimin e këstit të dytë të kredisë me vlerë 26 milionë euro, që pritet të ndodhë në fillim të qershorit.
Me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, diskutimet e delegacionit të FMN-së janë përqëndruar mbi stabilitetin financiar si dhe masat që ka marrë dhe duhet të marrë Banka e Shqipërisë. Një çështje e cila është diskutuar gjerësisht në këto takime është edhe niveli i borxhit publik dhe masat që duhet të marrë qeveria për uljen e tij.
Lidhur me ecurinë e të ardhurave për tre muajt e parë të vitit, financat kanë raportuar se Tatimet e Doganat kanë arritur të tejkalojnë planin me 1.2 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat u rritën me 6.2% në raport me janar-marsin 2013.
Ministria e Financave po ashtu ka informuar se deri tani kompanive që kanë kryer punë publike por që nuk u paguan iu janë kthyer rreth 200 milionë dollarë, ndërsa mbeten për tu shlyer, sipas parashikimit edhe 150 milionë dollarë. Ndër të tjera misioni është informuar mbi nivelin e te ardhurave të realizuara deri tani, nivelin e borxhit publik, ndryshimet fiskale dhe hapat për reformat që Fondi ka kërkuar. Burimet bëjnë me dije se FMN do të vjë një Shqipëri çdo tre muaj për të parë zbatimin e reformave dhe ecurinë makroekonomike.
Marrëveshja trevjeçare Shqipëri–FMN do të monitorohet një herë në tre muaj nga ekspertiza e Fondit, ndërsa më pas, dy herë në vit. Marrëveshja që parashikon një sërë masash në fushën e taksave dhe reformat strukturore, hyri në fuqi në muajin shkurt pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve në Uashington dhe parashikon disbursimin e 330 milionë eurove kredi me kushte të buta për tri vitet në vijim.

Por ky eshte borxh i jashtem ama, ndersa borxhin qe ju kishim kompanive shqiptare ishte borxh i brencem….