Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar publikoi deklaratën përfundimtare për konsultimet për nenin IV dhe shqyrtimin e shtatë të marrëveshjes së zgjeruar mes palëve.
Sipas deklaratës së misionit të FMN-së, këto vitet e fundit, Shqipëria ka ruajtur me sukses stabilitetin makro-ekonomik, mes një mjedisi të jashtëm jo të qëndrueshëm.
Por, sipas misionit, rritja ekonomike vijon të jetë e ngadaltë për shkak të një rimëkëmbjeje të dobët të eurozonës, gatishmëria e ulët e bankave për të ndërmarrë risk dhe së fundmi, për shkak të uljes së prodhimit të naftës.
“Rimëkëmbja ekonomike është duke u arritur dhe reformat po ecin përpara. Shqipëria po e rimerr gradualisht veten nga ngadalësimi i zgjatur i rritjes ekonomike. Pavarësisht se përballoi mirë krizën financiare globale, vështirësitë ekonomike tek partnerët më kryesorë nga eurozona (Italia dhe Greqia) dhe stanjacioni në huadhënien bankare e kanë frenuar aktivitetin ekonomik gjatë periudhës pas krizës”, thuhet në raportin e FMN-së.
Fondi bën të ditur se rimëkëmbja ekonomike po e përshpejton gradualisht ritmin, me mbështetjen e politikave të matura dhe të një rikthimi gradual të besimit tek konsumatorët.
“Rritja e investimeve të huaja direkte (IHD) në projekte të mëdha të lidhura me energjetikën pritet gjithashtu të forcojë rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër. Rritja e PBB-së parashikohet të përshpejtohet në 3.4 për qind në vitin 2016, kundrejt 2.6 për qind që ishte në vitin 2015. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet dhe të mbetet i lartë për shkak të rritjes së investimeve që kërkojnë shumë importe. Inflacioni është i ulët dhe ka të ngjarë të vijojë të jetë i ulët në të ardhmen e afërt, për shkak të inflacionit të ulët të importuar nga jashtë dhe kërkesës së brendshme të dobët”, thuhet më tej./E.T
