Ndërhyrjet e mundshme që mund ti bëhen buxhetit, por pa rritur defiçitin e parashikuar në fillim të vitit, si dhe vendosja e disa piketave krysore për planin e veprimit për uljen e kredive me probleme në banka. Këto janë dhe dy shtyllat kryesore, ku po fokusohet Misioni radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka mbërritur në Shqipëri për rishikimin e pestë të marrëveshjes trevjeçare 20142017.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Misioni pritet të zhvillojë takime me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vend, kryesisht sistemit fiskal. Sipas agjendës zyrtare, këto ditë bisedimet janë përqendruar në nivel teknik ekspertësh, ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë takime me krerët e Financave publike.
Sipas burimeve, mësohet se në fokus të takimeve do të jetë diskutimi mbi rishikimin e buxhetit 2015. Kjo duke patur parasysh që gjatë 5 mujorit të parë të vitit, të ardhurat nuk janë në nivelet e pritshme dhe të parashikuara në fillim të vitit, edhe pse krahasuar me një vit më parë janë më të larta. Edhe pse pra pritet të diskutohen ndërhyrjet në buxhet, sipas burimeve nga financat nuk do te ketë rritje të defiçitit buxhetor të parashikuar në fillim të vitit. Gjithashtu një vëmendje e konsiderueshme do ti kushtohet edhe planit të veprimit për uljen e kredive me probleme në banka. Banka e Shqipërisë është në përmbyllje të planit të veprimit dhe konsulta me FMN do të jetë një shtysë për finalizimin e draft strategjisë.
