Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në një konferencë të përbashkët për mediet me FMN dhe Bankën e Shqipërisë, ka deklaruar se viti 2013 ka qenë një vit jashtëzakonisht i vështirë për ekonominë shqiptare.
Sipas Canit, falë masave të marra nga qeveria, ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht. “Rritja ekonomike në 2013-n ishte më e ulët se çdo vit tjetër, në nivelin 0.4%, duke e bërë këtë vit jashtëzakonisht të vështirë për ekonominë në Shqipëri. Prioritet mbetet shlyerja e detyrimeve të prapambetura, ku deri tani kemi shlyer 200 mln lekë. Kemi marrë masa për të shmangur vonesat për shlyerjen e TVSH-së”, tha Cani.
Përfaqësuesi i FMN
I pranishëm në këtë konferencë për mediat ishte edhe Shefi i Misionit të FMN, Nadeem Ilahi, i cili është shprehur se sipas vlerësimit të FMN programi ekonomik i Shqipërisë po ecën sipas planit. “Aktiviteti ekonomik i Shqipërisë vazhdon të jetë i dobët dhe rritja ekonomike është nën potencialet që ka vendi, megjithatë sipas vlerësimeve të FMN-së ekonomia shqiptare po ecën sipas planit dhe gjatë këtij viti parashikohet të ketë një rritje prej 2%”, deklaroi zoti Ilahi. Gjithashtu edhe sipas ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ekonomia është duke reaguar pozitivisht. Sipas tij nga të dhënat e INSTAT janë rritur si eksportet edhe importet. Ndërkohë që Ahmetaj është shprehur se po vazhdohet me rikthimin e detyrimeve të pashlyera ndaj biznesit. Në mënyrë të pazakontë, konferenca është zhvilluar në orën 23:00 të mbrëmjes së djeshme për shkak se përfaqësuesi i FMN-së duhet të largohej mëngjesin e sotëm herët për shkak të një takimi në institucionin që e ka zgjedhur për ta përfaqësuar në Shqipëri.
Shkëlqim Cani, ministër i Financave
“Është përfunduar nga Ministria e Financave projektligji i ri për TVSH-në që do marrë rrugën për në qeveri dhe për të vijuar në Kuvend. Ekonomia ka filluar të reagojë pozitivisht. Janë rritur eksportet. Ka përmirësime në importin e makinerive. Ka rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet. Këta tregues mbështesin atë që është projektuar rritja ekonomike është premtuese afërsisht 2,1%. Kjo është një konkluzion bashkë me partnerët tanë konfirmohet edhe nga FMN. Kemi vendosmërinë për përmirësim dhe kemi mirëkuptimin e plotë të FMN.”
Arben Ahmetaj, ministër i Ekonomisë
“Janë rritur si importet dhe eksportet. Janë rritur eksportet 10,3% dhe importet me 10,7%. Sinjal pozitiv rritja e eksporteve të manifakturës. Mendoj se programi është në rrugine duhur për shkak të reformave që ne kemi filluar dhe po i bëjmë me shumë seriozitet. Do vazhdojmë me reforma në sektorë kyç që janë sa sfidë edhe gjenerator të zhvillimit ekonomik. Do vazhdojmë reformën me pensionet. Do garantojë jo vetëm pensionet për moshën e tretë. Reforma në energjinë elektrike është sfidë”, u shpreh ministri Ahmetaj.

per cfare plani e keni fjalen zoti minister per ritjen e borxheve? te bukur zgjidhje na keni dhene.