Fondet e investimit pësuan një rënie të lehtë në tremujorin e fundit të vitit 2015, për shkak të varësisë së lartë nga investimi në titujt e qeverisë. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të vitit arriti në rreth 67 miliardë lekë, afro një miliard lekë më pak krahasuar me fundin e 9mujorit.
Tkurrja e tremujorit të fundit duket se lidhet me uljen e borxhit të brendshëm nga qeveria shqiptare, që tërhoqi rreth 46 miliardë lekë, përmes riblerjes së instrumenteve ekzistues ose përmes mosrifinancimit të borxhit të maturuar. Kjo preku qartësisht edhe fondet e investimeve dhe sidomos atë në lekë, që i investon paratë pothuajse tërësisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare.
Sidoqoftë, krahasuar me vitin 2014, aktivet e fondeve të investimit rezultuan në rritje me 5.1%. Ritmet e rritjes këtë vit paraqiten më të kufizuara, po të kemi parasysh se për vitin 2014 aktivet e fondeve të investimeve ishin rritur me 27%.
Veç uljes së borxhit të brendshëm, frenimi i rritjes lidhet edhe me forcimin e kuadrit mbikëqyrës për këto institucione nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Vendosja e kërkesave specifike për parametrat e likuiditetit të fondeve ka bërë që rritja të jetë më e kotrolluar, por, ka sjellë edhe ndryshime të dukshme në strukturën e investimeve.
Deri vitin e kaluar, investimet e fondeve ishin përqendruar sidomos në obligacione, instrumente borxhi afatgjatë, që garantojnë edhe sot norma relativisht të larta të kthimit nga investimi në raport me depozitat apo edhe bonot e thesarit. Kjo politikë i bëri fondet e investimit mjaft atraktivë dhe aktualisht në to marrin pjesë rreth 32 mijë individë.
Por, miratimi i rregullores për administrimin e likuiditetit, në mesin e vitit 2015, duket se ka bërë që edhe fondet e investimit të orientojnë një pjesë të investimeve drejt titujve me afat të shkurtër maturimi. Pesha e bonove në totalin e aktiveve arriti në 18%, nga rreth 13% që ishte në fund të vitit 2014.
Ky ndryshim në strukturën e aktiveve ndikon ndjeshëm edhe kthimin nga investimi në këto fonde, sepse interesat e bonove të thesarit janë ndjeshëm më të ulëta në raport me obligacionet. /DITA/
