Dibra është rrethi i radhës, ku janë zbuluar një sërë shkeljesh me ndarjen e pagesave sociale për familjet e varfra. Pas kontrolleve të ushtruara në disa nga komunat e këtij rrethi, Shërbimi Social Shtetëror ka kallëzuar penalisht gjatë ditës së djeshme në Prokurorinë e këtij rrethi, për shkelje të rënda, kreun dhe 14 anëtarët e Këshillit të Komunës Fushë-Cidhen. Sipas burimeve zyrtare të SHSSH-së, pas kontrollit të ushtruar që muajin shkurt 2014 në lidhje me akordimin e ndihmës ekonomike, u konstatua se drejtuesit e këshillit të kësaj komune kanë përdorur fondin e ndihmës ekonomike të buxhetit të shtetit në vlerën 3, 6 milion lekëve për detyrime të tjera (për ndërtimin e ujësjellësit të fshatrave Laces dhe Bllicë) dhe jo sipas destinacionit të përcaktuar, për familjet në nevojë dhe pa të ardhura. Veprim ky që ka lënë pa pagesën sociale për muaj të tërë qindra familje të kësaj komune. “Këshilli i Komunës Fushë-Cidhen ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe e ka përdorur fondin e ndihmës ekonomike të buxhetit të shtetit për detyrime të tjera. Nga ky veprim, 472 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në këtë komunë, nuk kanë marrë pagesën për muajt prill, maj dhe gusht të vitit 2013. Shkeljet e vërejtura ngarkojnë me përgjegjësi drejtuesin dhe anëtarët dhe kryetarin e komunës Fushë-Cidhen për të cilët është depozituar kallëzim penal në Prokurori nga Drejtoria Rajonale e SHSSH-së”, sqarohet nga burimet zyrtar të Shërbimit Social Shtetëror. Më tej, burimet zyrtare të këtij institucioni vënë në dukje se do të vijojnë rregullisht kontrollet e skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin, për të cilat vijojnë të raportohen një sërë abuzimesh. Sipas të dhënave të bëra publike nga nisja e kontrolleve, mbi 11 mijë është numri i familjeve të larguara nga kjo skemë , pasi kanë përfituar në mënyrë abuzive këtë pagesë, duke mos përmbushur asnjë nga kushtet e përcaktuara në ligj. Gjithashtu të shumta raportohet të jenë edhe shkeljet e konstatuara me ndarjen e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të cilat sërish përgjegjës janë drejtuesit e pushtetit vendor, kryesisht të komunave, pasi në listat e përfituesve nuk rendisin familjet realisht të varfra dhe pa të ardhura, por të afërmit e tyre, si dhe persona të tjerë që në të vërtetë nuk përmbushin asnjë kusht për të qenë pjesë e kësaj skeme.
