Forcat detare shqiptare kanë dërguar kontingjentin e gjashtë në operacionin e NATO-s në detin Egje, për të minimizuar krizën e refugjatëve që vijnë nga vende të Lindjes së Mesme.
Në ceremoninë e përcjelljes ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku.
Në fjalën e saj, ministrja Xhaçka vlerësoi punën e misioneve të mëparshme në detin Egje, të cilët kanë shpëtuar mbi 540 jetë njerëzish të kombësive të ndryshme, qindra prej të cilëve gra dhe fëmijë.
“Janë mbi 540 persona të moshave, gjinive dhe shtetësive të ndryshme, që ju u keni shpëtuar jetën. Sirianë, irakenë, por edhe nigerianë, kongolezë, somalezë e jemenas, sot jetojnë falë sakrificës së ushtarakëve shqiptarë. Vetëm në dy muajt e fundit, kontingjenti që ju do zëvendësoni, ka shpëtuar 151 jetë njerëzore, prej të cilëve 33 gra dhe 56 fëmijë. Na keni bërë të gjithëve krenarë, jeni shembulli më i mirë i sakrificës dhe i vetëmohimit“, tha Xhaçka.

Kontingjenti i 6-të i Forcës Detare në detin Egje do të drejtohet nga kapiteni i rangut të 3-të Silvan Boni dhe për herë të parë, pjesë e ekuipazhit do të jenë edhe dy gra.
Togere Aurela Bala dhe rreshtere Esmeralda Murati, do të jenë dy zonjat e para të Forcave të Armatosura shqiptare që do të jenë pjesë e një operacioni ndërkombëtar detar.
