Forcat e Armatosura ndihmojnë ndërtimin e gazsjellësit TAP

Elton Tafaruci

Kompania EOD (Explosive Ordnance Disposal) e Forcave të Armatosura është angazhuar në kontrollin dhe pastrimin e territorit ku është parashikuar të ndërtohet gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline).

Prej 10 ditësh “skuadra e bombave” të Forcave të Armatosura, ka nisur kontrollin e territorit ku do të ndërtohet tubacioni, për municione të vjetra apo të reja, të shpërthyera apo të pashpërthyera.

Në këtë operacion FA po përdorin pajisjet e fundit të teknologjisë. Duke qenë se tubacioni do të ndërtohet nën tokë, kontrolli nuk është vetëm në sipërfaqen e tokës, por edhe në thellësi deri në 6 m.

Operacioni i kompanisë EOD për kontrollin dhe pastrimin e gjurmës ku do të kalojë tubacioni, pritet të zgjasë rreth 2 vjet. Pas çdo faze të këtij operacioni, territori i kontrolluar nga ushtarakët shqiptarë do të certifikohet dhe do t’i dorëzohet firmës nënkontraktore për ndërtimin e tubacionit.

Forcat e Armatosura janë angazhuar të kontrollojnë dhe pastrojnë një territor prej 209 km të gjatë, me gjerësi mesatare prej rreth 40 m. Ky operacion ka nisur në zonën e Semanit në Qarkun e Fierit, do të vazhdojë në atë të Beratit, për të përfunduar në Qarkun e Korçës, në kufi me Greqinë.

Kontributi i Forcave të Armatosura nuk mund të mungonte në veprën më të madhe energjetike, i cili ka hyrë një fazë mjaft të rëndësishme, siç është ajo e përgatitjes përfundimtare për ndërtimin e tubacionit.

Nevoja e sigurisë për një projekt kaq të rëndësishëm ekonomik për vendin, ka bërë që edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë të kenë rolin e tyre në këtë sipërmarrje.

Në Shqipëri tubacioni i gazsjellësit do të jetë rreth 215 km i gjatë, duke filluar në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës, që kufizohet me Greqinë. Dalja në det e TAP-it në Shqipëri do të jetë 17 km në Veriperëndim të Fierit, deri në 400 metra në brendësi të tokës larg nga vija bregdetare. Pjesa e tij në ujërat territoriale shqiptare do të jetë rreth 37 km e gjatë.

TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Detin Adriatik.

c3888953-0f6b-4582-bd9b-4b4ff8b61ea7.jpg4a653768-f030-4198-bab2-682919da9c57.jpg7e06e441-20f1-49e3-8314-55e7ff940b65.jpg27fd1a68-6f58-4a72-a40e-77dbd06cd75f.jpg78ad8aaf-6f8d-432f-9383-29b1196a1238.jpg41ab5da1-ee0e-48dd-a911-c32e8b7bac5c.jpgec39e869-5c6f-4bcf-9f9f-c927122b5a50.jpg

Share This Article
2 Comments
  • a paguhen ushtaret tone per kete pune?
    Ne qofte se jo, ka nje shperdorim detyre per interesa private te nje grusht njerezesh!

  • Futja kot. Pastrim teritori para 2 vitesh, E tash?! A dijne te bejne ate per te cilen cdo shtet serioz ne bote nderton, organizon, stervit e perdor forcen e armatosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *