Sot, 6 maj, është e mundur që Kuvendi i Kosovës të vendosë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Është e mundur që të gjitha partitë politike shqiptare dhe grupet e tyre parlamentare, me përjashtime anësore të deputetëve të veçantë, do e miratojnë atë. Por, ky vendim mund të marrë jetë dhe të bëhet i pranishëm vetëm nëse atë e miratojnë edhe dy të tretat e deputetëve të atyre që quhen pakica, të cilët, përmes vendeve të reservuara apo zgjedhjeve direkte janë pjesë e kuvendit të Kosovës. A do e miratojnë ata, a kanë shkak që të ndiejnë frikë nga ky vendim i rëndësishëm dhe ta bllokojnë atë. Shënimi im i mëposhtëm analitik është edhe për ta, sidomos për ndjenjën e tyre të frikës se pa shkak.
Tashmë një gjë është e qartë: Kosova është para një momenti tejet të rëndësishëm, i cili ka të bëjë pikërisht me sendërtimin e strukturave të shtetit, i cili, duke qenë njëri ndër shtetet më të reja të botës, është njëkohësisht edhe njëri ndër vendet më të hershmem të saj. Është para momentit të ngritjes së Forcave të Armatosura të Kosovës.
Domosdoshmëria e tyre lidhet me shumë faktorë, të cilët, edhe pse janë të lidhur me njëri-tjetrin, përsëri kanë veçoritë e tyre. Kosova ka tani të ngritura thuajse të gjitha institucionet e saj; që prej qershorit të vitit 1999, në ditët e para të Qeverisë së Përkohshme, në vëmendjen e saj ka qenë ngritja e strukturave shtetformuese, përmes një procesi gradual, por gjithnjë në rritje. Me gjithë hezitimet dhe pakujdesitë, nganjëherë edhe mbi dyshimet, Kosova, ende pa e shpallur mëvehtësinë e saj, ngriti ato institucione që i duheshin në hapat e parë, si domosdoshmëri e zhvillimit, thirri në vëmendjen e saj ato struktura të mëvetësishme që ishte e mundur të krijohen në hapat e parë, gjithnjë nën vëzhgimin dhe kujdesin e ndërkombëtarëve, të cilët krijuan këtu një suazë ligjore të kuptueshme.
Kosova e kaloi me sukses fazën e ngritjes të pasluftës
Tani, për fat të mirë, të gjitha ato që mund të quhen fazë ngritëse e strukturave shtetërore, përfunduan. Kosova u shpall dhe po njihet gjithnjë e më shumë shtet i pavarur, po bëhet pjesë e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, aspiron edhe më tej të jetë pjesë e Bashkësisë Evropiane, jo vetëm si dekor, por edhe si strukturë; po bëhen përafrime serioze me legjislacionet e vendeve të përparuara, në Kuvendin e Kosovës, të gjitha ligjet e miratuara deri më tani, por edhe ato që parashikohen të vijnë, janë plotësisht në përputhje me normat më të civilizuara ndërkombëtare. Ndoshta si në asnjë vend tjetër, pikërisht në Kosovën e pasluftës, përafrimi mes pjesëve përbërëse të saj, shumicës kombëtare dhe pjesëve të tjera, të cilat nuk dëshiroj t’i quaj pakica, është bërë shumë më shpejt dhe më paqësisht se sa që është pritur edhe nga institucione që merren me trajtimin e këtyre çështjeve; janë ngritur predispozita të veçanta për rolin e tyre dhe zërin në përcaktimin e disa ligjeve të posaçme. Kosova e sotme, nuk të kujton hasmërinë e një vendi të dalë nga lufta, por të një vendi në ndërtim, ku secila pjesë e popullsisë, duke e gjetur vendin e vet, nuk është as e tepërt, as e vonuar, dhe as e padëshiruar. Në këtë vend, të gjithë kemi hisen tonë, të drejtat dhe detyrimet tona, të cilat janë të përbashkëta dhe të njëllojta.
Ajo që na mungon në fazën e tashme është pikërisht çështja që është shtruar për zgjidhje: ngritja e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo është një domosdoshmëri, nga e cila nuk duhet askush të krijojë pikëpyetje, hamendësime, dyshime apo të ketë drojën se çfarë fshihet pas saj. Askush nga pjesët përbërëse të popullsisë së Kosovës nuk ka pse të ndjehet e hamendësuar, e dyshuar, e aq më pak e rrezikuar. Ky është një proces normal, në të cilin ata nuk mund të jenë të huaj, por duhet dhe janë pjesë e saj.
Që të jemi në NATO, na duhen Forcat e Armatosura të Kosovës
Ne të gjithë, shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, romë, egjiptianë, gjithë çka jetojmë në këtë truall, krahas të veçantave si popuj, mendësi dhe lidhje gjaku, kemi të përbashkët ëndrrën evropiane. Tani, për të gjithë ne, është bërë e qartë se bashkëjetesa edhe më tej është e mundur që të ketë rritje të vazhdueshme, nëse lëmë pas konceptet ballkanike të hasmërisë dhe në të cilën e kaluara peshon mbi të ardhmen. Për ne është e qartë se rrugën drejt Evropës ose do e bëjmë së bashku, ose nuk do të mund ta bëjmë kurrë veç e veç, e për më shumë të ndarë.
Ne duam të jemi pjesë e Evropës, e strukturave të saj euroatlantike, e institucioneve shoqërore dhe ekonomike, e pjesëve të saj qytetëruese dhe civilizuese, por edhe të mbrojtjes. Që të mos ketë asnjë hamendësim të mëtejshëm se në këtë rajon, në këto treva, në këtë vend ku jetojmë dhe përreth nesh, do të ketë luftë tjetër, gjakime të reja, ndarje etnike e për më shumë urrejtje etnike, krahas strukturave dhe ligjeve tona, Kosovës i duhet një garanci më e madhe, Bashkësia Evropiane. Pjesë të kësaj bashkësie që janë sot në Kosovë, si EULUX-i etj., nuk janë të përjetshme, ata do të shkojnë një ditë, dhe sa më shpejt do të shkojnë, aq më shumë do të dëshmohet se jemi ngritur në këmbët tona. Por, momenti i përcaktimit të vetëqeverisjes së plotë, në të gjitha strukturat, duhet të ketë edhe një kupolë tjetër, e cila, edhe pa qenë e pranishme fizikisht, është e pranishme këtu përmes ligjeve të përbashkëta, aleancave të përbashkëta, marrëveshjeve të përbashkëta, sundimit të përbashkët të ligjit dhe ligjësive.
Ne aspirojmë të jemi një ditë jo të largët vend anëtar i NATO-s. Këtë e aspirojnë edhe fqinjët tanë. Arsyeja është e njëjtë: përmes kësaj strukture euroatlantike je më i fuqishëm, ndjehesh më solid, ke përpara vetes një të ardhme të qetë, je larg luftës dhe përleshjeve, kufijtë janë më të garantuar, përballesh me ligjësi dhe koncepte moderne, civilizuese dhe të bashkëjetesës. Por, nuk mund të jesh pjesë e NATO-s në se nuk ke çfarë ofron, nuk mund të jesh pjesë e ushtrisë më të fuqishme te të gjitha kohërave dhe garantuese e ligjësive demokratike e shtetformuese, nëse mendon se mund vetëm të marrësh e të mos japësh; nuk mund të futesh në të sipas një mendësie, ” për hatër të dikujt”.
Forcat e Armatosura – një hallkë nga e cila shpejtojmë ecjen drejt BE-së
Kosovës i duhen Forcat e saj të Armatosura, sepse për herë të parë në këtë vend, ligjërisht e zyrtarisht, e monitoruar, përkrahur e vëzhguar nga struktura të specializuara, do të ngrihet një forcë shumë përbërëse, jo njënacionale, jo e një pjese të popullsisë, por e të gjithëve, dhe ky do të ishte një moment shumë i rëndësishëm i shfaqjes dhe i përballjes me një realitet të ri që po afirmohet në Kosovë. Mendoj se ky është momenti më i rëndësishëm brenda nesh: përmes kësaj force të përbashkët, mund të arrihet edhe në fusha të pamenduara më parë, nga askush prej nesh, pavarësisht nga përkatësia nacionale, se mund të vinte një ditë, që, së bashku, pjesë te të gjitha nacionalitete, do të jenë pjesë e një force të përbashkët të armatosur. Nëse deri tani, në periudha të veçanta të jetësimit tonë, jo rrallë, jemi gjendur, edhe pa dashjen tonë, në segmente të ndryshme e ndoshta ballë për ballë, tani kemi momentin për të dëshmuar se mund të mendojmë e veprojmë edhe ndryshe, pa hasmëri dhe tej së shkuarës. Ndoshta kjo do të jetë puna më e vështirë për t’u realizuar, sepse , si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj, forca të ndryshme çartëse, ultranacionaliste, nuk e duan një Kosovë si çati dhe themel i përbashkët për të gjithë pjesët përbërëse të saj, e ndoshta pikërisht për këtë arsye do të përpiqen të zhurmojnë dhe ndalojnë këtë proces, i cili do të jetë i pakthyeshëm, sepse lidhet me aspiratat tona të përbashkëta.
Kosovës i duhen Forcat e saj të Armatosura, qoftë edhe nga fakti se rruga e bërë deri tani, të çon logjikisht drejt krijimit juridik të tyre. Proceset e kaluara deri tani në jetësimin e tyre kanë qenë fazat e duhura, të domosdoshme, për krijimin e tyre, dhe, në fakt, duam apo nuk duam, Kosova e ka një forcë të tillë, ende jo të strukturuar në nivele bashkëkohore, por ajo ekziston, është e pranishme dhe është shfaqje e bashkëjetesës sonë. Tani, për të gjithë ne, është periudha e krijimit të tyre në një hap cilësor, të përbashkët, dhe fillimit të ngritjes së një pjese të rëndësishme në trevat ballkanike të strukturave të mbrojtjes. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga të gjitha shtetet që na rrethojnë: ashtu si shtetet e tjera kanë strukturat qeverisëse, ashtu i kemi edhe ne; ashtu si ata kanë ekzekutivin, legjislativin, drejtësinë dhe mediat, ashtu i kemi edhe ne. Ajo që na mungon është Forca jonë e Armatosur, atë duhet ta kemi edhe ne: pra nuk kërkohet të bëhet diçka e veçantë, e stisur vetëm për Kosovën, ekstra për ne; kërkohet të bëhemi edhe më tej shtet si gjithë të tjerët.
Ne jetojmë në një periudhe ekstra të vrullshme, ndryshimet janë të shpejta, përgjegjësitë që po merr mbi vete Kuvendi i Kosovës janë gjithnjë e më solide. Unë e di se në këtë Kuvend, ndoshta nga një drojë e ndikimit të së kaluarës, ka deputetë përfaqësues të etniteteve të ndryshme, të cilët ndjejnë dyshim, hezitojnë, ndoshta edhe kanë frikë. Ky parlament ka marrë deri më tash vendime kurdoherë në dobi të jetës së tyre, asnjëherë kundër tyre. Ka pasur vendet e tyre të rezervuara, ka miratuar ngritjen e Komunave të reja, të cilat jo rrallë janë një nacionale, ka miratuar statuset e tyre, mbi bazën e legjislacioneve më të përpara demokratike, ka votuar, si ndodhi para pak ditëve edhe për ngritjen e Tribunalit të posaçëm, që ishte akt i dhimbshëm, por shenjë e bashkëjetesës dhe kundër së shkuarës. Vendimi për Forcat e Armatosura është vazhdimësi e një mendësie të re, e ngritjes së përbashkët të shtetit, dhe, në fund të fundit, vazhdim i një predispozite të përbashkët, që ka lidhje me të ardhmen.
Forcat e Armatosura të Kosovës, aq sa janë një ëndërr e parealizuar deri më tani, aq janë edhe një domosdoshmëri historike, për një shtet të pavarur, solid, ku të gjithë ndjehen e janë të barabartë, dhe kanë një aspiratë, Bashkësinë Evropiane. Jashtë saj, e aq më keq, krejtësisht pa të, jemi të humbur. Forcat e Armatosura janë një hallkë nga e cila shpejtojmë ecurinë tonë drejt këtij aspirimi.
(Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës)
