Më 14 dhjetor të vitit të kaluar qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin “Për ratifikimin e ‘Traktatit për tregtinë e armëve’”, i cili pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvend. Nisur nga një sërë shkeljesh të viteve të shkuara që kanë favorizuar kontrabandën e armëve, por edhe ngjarje tragjike si Gërdeci etj., miratimi i këtij projektligji synon forcimin e kontrollit për tregtinë e armëve dhe akteve antiligjore. Ky traktat është shumëpalësh dhe ka për qëllim të rregullojë tregtinë ndërkombëtare të armëve konvencionale.
Në relacionin që shoqëron projektligjin saktësohet se projekti për të hartuar një traktat të tillë lindi në vitin 2001, kur një grup laureatësh të çmimit Nobel për Paqen, filluan të qarkullojnë një tekst për një projektkonventë për transferimet ndërkombëtare të armëve, me qëllim krijimin e një dokumenti të detyrueshëm ligjor për shtete firmëtare. Pas lobimit nga ana e organizatave joqeveritare që operojnë në këtë fushë dhe promovimit të këtij instrumenti, në dhjetor të vitit 2006, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, adaptoi rezolutën 61/89, “Drejt një traktati për tregtinë e armëve; vendosja e standardeve të përbashkëta ndërkombëtare për importet, eksportet dhe transferimet e armëve konvencionale”. Me miratimin e Traktatit për tregtinë e armëve, Shqipëria bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje globale dhe vë nën kontroll një tregti me të cilën është abuzuar në shumë raste në të kaluarën.
OKB: Shqipëria trafik armësh me Libinë
Në prill të vitit të kaluar u publikua një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon që OKB kishte vendosur ndaj këtij vendi, i cili në atë kohë ishte i përfshirë nga konflikti i armatosur. Raporti zbulonte se trafiku është kryer vetëm një muaj para vrasjes së ish diktatorit Muamar Gaddafi. Grupi hetimor i OKB, i cili ka zhvilluar disa vizita faktmbledhëse në Tiranë, ka dokumentuar se në datat 10,11 dhe 12 shtator të vitit 2011, nga aeroporti i Rinasit janë nisur tre avionë me armatime shqiptare, të cilat sipas dokumentacionit duhet të mbërrinin në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në fakt kanë përfunduar në qytetin libian të Bengazit. Skema e trafikut, që përfshin disa kompani nis me ‘MEICO’, kompaninë publike të Shqipërisë për eksport-importin e armëve. Në korrik të vitit 2011 ‘MEICO’ është kontaktuar nga një kompani armene me emrin ‘D.G Arms Coorporation’, që kërkonte të blinte armatim për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe. Por ‘MEICO’ preferoi që shitjen ta kryente te një kompani shtetërore, cka bëri që në skemë të përfshihej edhe ‘Ukrinmash’, një kompani e zotëruar nga qeveria ukrainase. Sipas investigimit të OKB, ‘MEICO’ i ka shitur gjatë kësaj kohe kompanisë ukrainase 800 mijë fishekë të kalibrit 12.7,108 milimeter. Hetuesit e OKB kanë zbuluar se fishekët shqiptarë, ishte pjesë e një sasie me të madhe prej 2 milionë copësh që ‘Ukrinmash’ duhej t’i shiste Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me 1 mijë armë automatike kallashnikov. Për 1.2 milionë fishekët e tjerë nuk ka informacion se ku kanë përfunduar dhe hetuesit e OKB thonë se janë duke vazhduar hetimet.

Z Autor
Me gjithe respektin qe kam per ju desha te shtoj;
Shkrimi duket i pershtatshem por desha te pyes se Pse ceshtja Gerdeci perflitet gjithmone ne cdo shkrim kur asgje nuk ka ndryshuar!! Ne gjithe hetimin e prokurorise se Ina Rames nuk behet fjale fare per trafik dhe as me pak nga gjykata e Saliut..!!
Nese do ta perdorim Gerdecin si rast thjesht per te folur, Ok, por nese ka te dhena te ndryshme nga ato qe pame deri tani, le te merren masa per ata te shkrete qe po bejne burgun kot (keta qe u dorezuan e nuk kishin te bejne fare), e nuk i ka pyetur njeri dhe te hapet nje ceshtje sic duhet per trafik armesh dhe akt kriminal me exploziv nga bandat rivale qe kishin bizneset aty dhe jo me te llomotitet neper gazeta kot e neper parlament sa per show
Ju faleminderit