Manchester City është duke u bërë një ekip i madh falë transferimeve të kësaj vere. Pep Guardiola është duke përgatitur një ekip për të fituar Premier League dhe luftuar në Ligën e Kampionëve. Për këtë, ai ka shpenzuar 183 milionë euro në merkaton e kësaj vere, deri më tani: Ederson (40), Bernardo Silva (50), Walker (51), Danilo (30 + 5) dhe Douglas Luis (12).
Një shifër që mund të rritet deri në 241 milionë, teksa ardhja e Mendy për 58 milionë euro është e konfirmuar. Porta është një pozicion që e ka trazuar Pep Guardiolën qysh nga mbërritja në Angli. Trajneri katalanas ka nënshkruar me Ederson për 40 milionë euro dhe ka si zëvendësues Claudio Bravo.
Portieri i ri vjen nga Benfica dhe është shfaqur si një nga më të mirët e së ardhmes në Europë. Braziliani ka luajtur 40 ndeshje në të gjitha garat me “shqiponjat”, sezonin e kaluar, në të cilin pësoi 27 gola në 24 ndeshje, duke e mbajtur të paprekur rrjetën e tij në ndeshjet e tjera.
Mbrojtja është vija që ka pësuar më shumë ndryshime në ekipin e “qytetarëve”. Klubi anglez ka nënshkruar me dy lojtarë për krahun e djathtë të prapavijës: Walker dhe Danilo. Anglezi ka thyer rekordin si transferimi më i shtrenjtë i mbrojtjes në Premier League. Një “markë” që e kishte vetë sezonin e kaluar Manchester City, kur mori Stones për 56 milionë euro, por do të tejkalohet ky rekord sapo të bëhet zyrtare ardhja e Mendy, për të përforcuar anën e majtë, për 58 milionë euro.
Duke marrë parasysh 45 milionët e paguar për Otamendi, mbrojtja e Manchester City formohet nga Walker, Stones, Otamendi dhe Mendy dhe kap një çmim prej 210 milionë eurosh. Në mesfushë Guardiola do të ketë një Gundogan tashmë të rikuperuar nga dëmtimi i ligamentit cruciat në gjurin e tij të djathtë, që e mbajti atë larg nga fushat e blerta prej dhjetorit të kaluar. Po ashtu, në këtë repart ka vend për David Silva dhe Bernardo Silva.
Portugezi ishte përforcimi i parë i madh veror për Guardiolën, me çmimin 50 milionë euro. Në mesfushë, Guardiola mund të llogarisë edhe De Bruyne e shëruar dhe Sane. Pika referuese e sulmit është Gabriel Jesús, që u afrua merkaton e janarit. Parave të shumta të shpenzuara për të, braziliani iu përgjigj me shtatë gola dhe pesë asiste në 11 ndeshje të luajtura. Nëse Guardiola vendos të mos luajë me dy sulmues, në stol përfundon Kun Aguero.

