Kujdesi maksimal ndaj higjienës personale, përdorimi i mjeteve mbrojtëse gjatë kontakteve seksuale, si dhe kontrollet periodike tek mjeku specialist janë edhe këshillat bazë që ndihmojnë në mbajtjen larg të pasojave që këto infeksione lënë në organizëm. Po ashtu një ndër mënyrat më të mira për të parandaluar këto infeksione ka të bëjë edhe me mosndryshimin e shpeshtë të partnerëve dhe përdorimi i të vetmit mjet mbrojts, në këtë rast prezervativit. Një tjetër këshillë e shpeshtë e lëshuar nga mjekët dhe që nuk duhet neglizhuar, është edhe fakti që në rastet kur personi është i prekur nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm atëherë duhet të marrë mjekimin e duhur dhe ta çojë atë deri në fund, e jo ta ndërpresë sepse në të kundërt infeksionet mund të rishfaqen edhe në forma më agresive. Njëkohësisht është e këshillueshme që pas mbarimit të mjekimit, pacienti të bëjë edhe rikontrollet tek mjeku, për të verifikuar ecurinë e trajtimit. Në vijim të shkrimit mjekia Lumturi Mërkuri detajon këshillat që nuk duhet ti neglizhojmë për të mbajtur sa më larg këto infeksione.
Ç’duhet bërë kur dyshojmë për praninë e infeksionit
Nëse ju jeni të shqetësuar për praninë e ndonjë infeksioni seksualisht të transmetueshëm, apo nëse dikush që ju keni pasur marrëdhënie seksuale ka një infeksion seksualisht të transmetueshëm, gjëja më e mirë është të bëni një analizë dhe të shkoni tek mjeku për këshilla dhe trajtim. Nëse kapen herët shumë infeksione seksualisht të transmetueshme mjekohen lehtë. Ngurrimi për të shkuar tek mjeku do të bëj që sëmundja të avancojë dhe të shkaktoj probleme serioze në shëndet.
Vajtja tek mjeku do t’ju ndihmojë të qetësoheni
Mjeku mund t’u kërkojë të bëni një analizë të sekrecioneve gjenitale, një analizë urine, ndonjëherë dhe një analizë gjaku. Mjeku gjithashtu mund t’u pyes nëse dëshironi të bëni një test për HIV. Asnjë prej këtyre testeve nuk është i dhimbshëm. Për disa analiza rezultati mund të merret menjëherë për disa të tjera duhen disa ditë ose më tepër. Ndërsa prisni për përgjigjen e analizës ju nuk duhet të kryeni marrëdhënie seksuale. Nëse ju mendoni se ja keni transmetuar infeksionin partnerit duhet t’ia thoni në mënyrë që të bëjë edhe ai/ajo një test. Jini të çiltër e të ndershëm me të. Në disa shtete konsiderohet kriminale të mos ta bësh këtë. Nëse bën një analizë për infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të kapet e mjekohet në kohë një infeksion i shfaqur. Bëni mirë që herë pas here të bëni një analizë edhe pse mund të mos keni shenja, sidomos nëse mendoni se keni pasur rrethana me rrezik për një infeksion seksualisht të transmetueshëm.
Mjekimi i infeksioneve seksuale
Infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të mjekohen, por jo të gjitha janë të shërueshme. Ato të shkaktuara nga bakteriet si klamidia, gonorrea, dhe sifilizi mund të kurohen, të tjera të shkaktuara nga viruset si herpesi, hepatiti B, HIV etj, janë të pa shërueshme.
Nëse ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm, mjeku do t’u japi mjekim dhe ju duhet të ndiqni me kujdes këshillat e tij. Mjekimi bëhet vetëm nga mjeku specialist. Mos u përpiqni të vetëmjekoheni. Disa infeksione seksualisht të transmetueshme janë rezistente ndaj mjekimit dhe nuk shërohen plotësisht. Infeksioni mund të rrijë i fshehur duke u përsëritur herë pas here e duke dhënë komplikacione. Ndiq gjithmonë këshillat e mjekut dhe çoje mjekimin deri në fund edhe pse mund të mos kesh shenja dhe të ndiheni mirë. Shko për një rikontroll tek mjeku mbas mbarimit të mjekimit. Një analizë tjetër është e nevojshme për t’u siguruar që jeni shëruar plotësisht. Ju mund të mos keni shenja të dukshme, dhe mund të mendoni që jeni shëruar, por vetëm një analizë tregon se ju jeni shëruar plotësisht. Nëse nuk jeni shëruar ju duhet të merrni mjekim përsëri. Gjithashtu duhet t’i tregoni partnerit tuaj seksual që edhe ai të kontrollohet dhe nëse është i infektuar të mjekohet. Nëse nuk mjekohet edhe partneri, ju mund të rinfektoheni. Nëse mendon se ke një infeksion seksualisht të transmetueshëm, shmang seksin deri në 3 ditë mbas përfundimit të mjekimit, ose përdor prezervativ. Po ashtu edhe higjiena duhet të jetë maksimale, pasi në mungesë të saj bakteriet dhe viruset mund të bëhen agresive duke përforcuar edhe më shumë praninë e këtij infeksioni.
Parandalimi më i mirë është respektimi i ABC-së së parandalimit
Kjo do të thotë:
A -Shmang seksin-deri kur ju të jeni gati për ta bërë këtë.
B -Qëndroi besnik partnerit-sa më shumë partnerë të keni, aq më e madhe mundësia e infektimit.
C- Përdor prezervativ. Prezervativi është mbrojtja më e mirë ndaj Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme. Prezevativi është i vetmi që siguron mbrojtje të dyfishtë- të mbron në të njëjtën kohë nga një infeksionet seksualisht të transmetueshëm edhe nga një shtatzëni e padëshiruar.
