Bruceloza është një sëmundje infektive që shkaktohet nga bakteret që i përkasin gjinisë “brucella”. Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili trego se duhet bërë shumë kujdes gjatë kësaj periudhe, ku shtohen mundësitë për t’u prekur nga ky infeksion. Mjekja shpjegon se bruceloza është një infeksion zoonozë, që do të thotë sëmundje e cila ndodh kryesisht në kafshë, por prek edhe njerëzit. Në varësi të kafshës nga e cila transmetohet, sëmundja ndahet në B.melitensis (me burim kryesor dhentë dhe dhitë që japin format më të rënda të sëmundjes), B.Suis (që kanë burim kryesor derrin), B.Abortus bovis (me burim infeksioni kryesor gjedhin, kanë të bëjnë me format më të lehta të sëmundjes, por me prirje drejt kronicizimit) dhe B. Kanis (me burim kryesor qenin). Brucelozat që shkaktojnë më shumë sëmundje janë “Melitensis” dhe “Suis”. Brucelat mund të hyjnë në trupin e njeriut nëpërmjet mukozave, dëmtimeve të lëkurës, aparatit respirator(të frymëkëmbimit, aparatit gastrointestinal (sistemi tretës) dhe madje edhe nëpërmjet konjunktivave (mukozat e syve). Për fat të keq këto mikroorganizma mund të jetojnë edhe brenda qelizave të trupit, këto baktere transportohen nëpërmjet rrugës së gjakut ose sistemit limfatik në të gjitha organet. Faktorët e rrezikut për brucelozë përfshijnë konsumimin e qumështit te pa pasterizuar, ose produktet e tij (djathë, gjizë), si edhe përdorimi i mishit të papërpunuar mirë në nxehtësi. Personat më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë ata që punojnë në thertore, në zonat e përpunimit të mishit dhe të bulmetit dhe ata që punojnë në laboratorët e studimit të këtyre sëmundjeve. Transmetimi nga personi në person i brucelozës është mjaft i rrallë por mund të ndodhë edhe gjatë marrëdhënieve seksuale (kur ka dëmtime të mukozave), gjatë kontaktit me gjakun menstrual të infektuar apo edhe gjatë transfuzioneve të gjakut. Bruceloza ka sezonalitet, që do të thotë se sëmundja shfaqet kryesisht në stinë të caktuara, sidomos në stinën e lindjes së bagëtive, gjatë aborteve dhe periudhës së ushqyerjes me qumësht. Kjo përkon zakonisht me periudhën dhjetor – prill – maj për bagëtitë e imta kurse lopët e kanë të gjatë periudhën e ushqyerjes me qumësht.
Cilat janë shenjat klinike më të shpeshta të brucelozës?
Bruceloza mund të shkaktojë një gamë të gjerë simptomash klinike. Shenjat më të hershme mund të përfshijnë gjendje ethore (te dridhura), lodhje e shprehur, djersitje, dhimbje koke, dhimbje shpine, ulje të oreksit,rënie në peshë, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të nyjeve të ndryshme artikulare. Me kalimi e kohës ethet bëhen më të shpeshta, rritet temperatura, shtohen dhimbjet e muskujve dhe të kyçeve, shtohet djersitja, e cila ka një erë karakteristike si të stallës. Tek disa pacientë mund të kemi skuqje në zona të ndryshme të lëkurës. Përveç kësaj, pacientët mund të kenë lodhje kronike, gjendje depresioni, dhe simptoma neurologjike. Periudha e fshehtësisë së sëmundjes mund të shkojë nga dy deri në katër javë. Vërtetimi i diagnozës bëhet nga testet specifike që vërtetojnë praninë e brucellave në gjakun e të sëmurit. Këto teste ndihmojnë edhe në dallimin e brucelozës nga sëmundje të tjera që mund të prodhojnë simptoma të ngjashme me të. Sëmundja mund të prekë shumë organe dhe sisteme, por më evidente janë prekja e mëlçisë, shpretkës dhe e aparatit kockor. Sëmundja mund të zgjasë pak javë, disa muaj ose vite, varësisht nga trajtimi i të sëmurëve.
Si trajtohet kjo sëmundje?
Kjo sëmundje kërkon një trajtim të gjatë prej gjashtë deri në tetë javë me preparate specifike që veprojnë mbi bucelat që e kanë shkaktuar. Kujdes të veçantë kërkojnë pacientët me imunitet të dobët, si edhe gratë shtatzëna. Kjo sëmundje duhet të trajtohet me shumë kujdes nga mjeku specialist infeksionit sepse mund të çojë në ndërlikime të ndryshme dhe në kronocizim të sëmundjes. Në përgjithësi, ecuria për pacientët e infektuar me brucella është shumë e mirë. Nëse individët trajtohen në mënyrë të përshtatshme brenda disa muajve që nga fillimi i shenjave të para klinike ata shërohen dhe në shumicën e rasteve nuk kalojnë në formën kronike. Simptomat përmirësohen brenda dy muajve të parë dhe zhdukja e tyre shkon deri në gjashtë muaj. Megjithatë, në pacientët që paraqesin dëmtime të zemrës të shkaktuar nga infeksioni kronik brucelozik ecuria nuk është dhe aq e mirë. Vdekshmëria në këto raste shkon në rreth 2 për qind.
A mund të parandalohet sëmundja apo të zvogëlohen shanset e zhvillimit të saj?
Ekzistojnë vaksina që janë efektive për kafshët, pasi bruceloza është sëmundje që i përfshin ato. Fatkeqësisht, nuk ka vaksinë për t’u përdorur te njerëzit. E rëndësishme është që të shmanget kontakti me kafshët e infektuara, njerëzit që punojnë në kontakt me to, apo edhe në përpunimin e produkteve të tyre duhet të përdorin kostume mbrojtëse, doreza dhe maska mbrojtëse. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë edhe punonjësit e laboratorëve shkencore. Si metoda të thjeshta dhe mjaft efektive për të shmangur mundësitë e infeksionit me speciet e gjinisë brucella janë përdorimi i qumështit të përpunuar,rrjedhimisht edhe i produkteve të tij si edhe përpunimi i mirë termik i mishit të këtyre kafshëve. Edukimi publik për përdorimin e qumështit të pasterizuar është mjaft i rëndësishëm pasi brucellat nuk i rezistojnë nxehtësisë. Rekomandohet kujdes i veçantë në rastet e aborteve të bagëtive, për të mbrojtur jo vetëm personin që asiston. Prandaj bëhet dezinfektimi i mjedisit ku ndodh aborti ose lindja. Placenta dhe pjesët e tjera të mos u hidhen qenve për ushqim, por të dezinfektohen dhe të groposen apo digjen.
