Profesor Kolec Topalli në një intervistë për gazetën “Dita” flet lidhur me rëndësinë e një formimi të mirë gjuhësor. Ndoshta, kjo do të kërkojë një rishikim të studimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla
Anida Lera
Gjuha shqipe fatkeqësisht, së bashku me lëndën e leximit, që në klasat e para shihet më tepër si një lëndë ku duhet të marrësh një notë të mirë sesa si një lëndë që ndihmon në formimin e individit. E megjithatë gjuha duhet parë më tepër si një fenomen i lidhur me mendimin. Pasi një mendim i qartë kërkon një shprehje gjuhësore të qartë. Por nga ana tjetër, provimi i shtetit ku janë testuar mësuesit e ardhshëm lidhur me drejtshkrimin e gjuhës shqipe, ngre edhe problemet se sa e rëndësishme është ajo. Profesor Kolec Topalli thotë se “në shumë raste vihet re që për mungesë të përgatitjes gjuhësore, edhe mendimet nuk dalin të qarta”. Më poshtë, intervista e tij për gazetën “Dita”.
Prof. Topalli, në provimin e shtetit shumë prej mësuesve që testohen në lëndën e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, dalin dobët. Ndërsa fëmijët në shkolla zhvillojnë lëndën e gjuhës shqipe deri në klasë të tetë, mësimin e gjuhës angleze e përfundojnë në shkollë të lartë. Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe?
Mësimi i gjuhës nuk mbaron me mbarimin e shkollës. Kjo edhe për arsye se gjuha vazhdon të zhvillohet. Edhe sikur të kesh dalë i përgatitur në shkollë, zhvillimet e reja gjuhësore duhet të pasqyrohen në veprimtarinë e secilit që merret me lëvrimin e gjuhës shqipe.
Mungesa e formimit gjuhësor, ndoshta ngre problemin e rishikimit të studimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla. Është e nevojshme që mbi bazën reale të shihet përgatitja e disa kategorive të veçanta të njerëzve që merren në mënyrë të veçantë me gjuhën shqipe, siç janë mësuesit, gazetarët, zyrtarët etj.
Sa ndikon formimi gjuhësor në formimin e përgjithshëm të individit?
E vërteta është se gjuha është një fenomen shumë kompleks, sigurisht i lidhur ngushtë me mendimin. Një mendim i qartë kërkon shprehje gjuhësore të qartë. Vihet re në shumë raste që për mungesë të përgatitjes gjuhësore, edhe mendimet nuk dalin të qarta duke komprometuar edhe vetë autorin. Përgatitja gjuhësore nuk do të thotë vetëm drejtshkrim, por ajo përfshin një gamë shumë më të gjerë që ka të bëjë edhe me mënyrat e shprehjes, me stilet e gjuhës, me pasurimin e fjalëve dhe shprehjeve, me mënyrën e mjetet e shprehjes së mendimit dhe shumë të tjera.
Një dukuri tjetër është edhe çështja e përdorimit të fjalëve të huaja, si një fenomen i pashmangshëm në disa raste, por i shmangshëm në rastet e tjera.
Mund të na e ilustroni me shembuj…
Kemi shembuj nga letërsisa jonë ose dhe nga letërsia e huaj të shkrimtarëve dhe poetëve që kanë punuar me gjuhën. Si rrjedhim, vepra e tyre ka fituar në drejtim të shprehjes së mendimit si dhe në aspektin artistik.
Në Shqipëri mund të përmend disa mjeshtra të përdorimit të gjuhës shqipe: Fan Nolin, Mjedën e Migjenin për mjeshtrinë artistike. Poezia e Nolit është e jashtëzakonshme se e ka përdorur mirë gjuhën shqipe. Ndërsa pë pasuri leksikore vlen si shembull Fishta.
A ekziston një ligj lidhur me detyrimin e institucioneve shtetërore që të përdorin standardin? A ju duket se po zbatohet?
Ekziston një ligj i tillë që institucionet shtetërore, shtypi qendror dhe mediat të shprehen në gjuhën standarde. Ndërsa për botimet, librat, gazetat, revistat nuk përjashtohet mundësia të shkruajnë edhe jashtë standardit. Kjo është më tepër çështje preference, por në këtë mes nuk duhet të ketë pengesa apo pargjykime, sepse dialektet janë pjesë përbërëse e gjuhës shqipe vijojnë të zhvillohen dhe të pasurojnë standardin e sotëm. Pra, është njëri prej burimeve të pasurimit të gjuhës shqipe.
Çfarë mendimi keni ju si akademik për mosfunksionimin e ligjit?
Shkrimi në një dialekt nuk është se e prish standardin, përkundrazi, mund të jetë një element pasurimi. Sidoqoftë në institucionet shtetërore, në shkresat zyrtare, madje edhe në institucionet private përdoret kudo standardi. Devijimet janë problem i subjekteve të veçanta. Kjo tregon mungesë formimi gjuhësor. Prandaj krahas rishikimit të progameve shkollore, lind nevoja që edhe pas kryerjes së shkollës të organizohen kurse të veçanta kualifikime për disa kategori të caktuara njerëzish.