Gara e fundit: Vettel niset i kartëti, Alonso i teti. Në Brazil do të vendoset kampioni i ri i botës
Formula 1 do të ulë sot tiparin, pas një shfaqjeje që pritet të jetë vërtetë emocionuese, në cirkuitin e Sao Paulos, në Brazil. Kampioni i botës dhe kryesuesi i kampionatit, Sebastian Vettel, do të niset i katërti, ndërsa ndjekësi i tij, Fernando Alonso, nga vendi i tetë. Lewis Hamilton, pas fitores së shkëlqyer në Austin javën e kaluar, dje ishte më i shpejti në provat zyrtare dhe sot niset i pari, i ndjekur nga shoku i skuadrës te McLaren, Jenson Button. Në Sao Paulo koha ishte me shi 30 minuta para nisjes së provave, megjithatë pista ishte e thatë në momentin e fillimit. Pas dy makinave McLaren u renditën ato Red Bull, me Mark Webber në vendin e tretë e pastaj gjermani. Pas këtij të fundit do të jetë Felipe Massa i Ferrarit. Vetter kryeson kampionatin me 13 pikë më tepër se Alonso dhe sot pritet një duel emocionues midis të dyve, ndonëse gjermani ka më tepër shanse, jo thjesht për shkak se niset katër vende para spanjollit, por sepse mund të marrë titullin edhe duke përfunduar i katërti në rast fitoreje të Alonsos. Rëndësi të veçantë do të ketë starti, kur të dy pretendentët duhet të ruhen nga aksidentet e mundshme.
Lufta për titullin
Vettel shpallet kampion nëse…
– Përfundon në katër vendet e para.
– Alonso nuk përfundon në podium.
– Alonso del i dyti dhe ai i shtati (Vet 279 pikë, Alo 278)
– Alonso del i treti dhe ai i nënti (Barazim me 275 pikë, por Vettel ka më tepër fitore, 5-3)
Alonso shpallet kampion nëse…
– Fiton dhe Vettel del i pesti.
– Del i dyti dhe Vettel i teti.
– Del i treti dhe Vettel i dhjeti.
Renditja e pilotëve
1 Vettel (Red Bull) 273
2 Alonso (Ferrari) 260
3 Räikkönen (Lotus) 206
4 Hamilton (McLaren) 190
5 Webber (Red Bull) 167
6 Button (McLaren) 163
7 Massa (Ferrari) 107
8 Grosjean (Lotus) 96
9 Rosberg (Mercedes) 93
10 Pérez (Sauber) 66