Hannes Gressenegger
George Soros, lindur në Budapest, ka ndërtuar një imperium që i kundërvihet autokratëve më të fuqishëm. Me Finkelsteinin, ndërkaq, ai kishte dështuar. Ai e shndërroi atë në njeriun më të urryer në botë.
Ai është antikrisht. Njeriu më i rrezikshëm në botë. Një plak i pasur, një spekulant që shkaktoi kolapsin e funtës britanike me 1992, krizën aziatike të vitit 1997, krizën financiare të vitit 2008. Ai shkatërroi fillimisht Bashkimin Sovjetik, pastaj Jugosllavinë, për t’u hapur rrugën afrikanëve dhe arabëve me qellim që këta t’i shkulin nga vendi evropianët. Ai sponsorizon ekstremin e majtë, do të rrëzojë presidentin e SHBA, jeton nga trafiku i drogave dhe krimit financiar. Ai financon njëkohësisht dhe eutanazinë, censurën dhe terrorizmin. Qysh si fëmijë ai spiunonte dhe ua dorëzonte çifutët nacistëve, ndonëse edhe vetë është një çifut.
Këto gjëra mund të zbulojë lexuesi në Facebook, Youtube ose Twitter, sapo të shënojë fjalën “Soros”. George Soros është çifut, kjo gjë qëndron, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra, sajesa të hedhura në ajër anembanë globit në rrjedhën e një fushate ndër më perfidet dhe më me ndikim të të gjitha kohëve.
Akoma para pak vitesh George Soros ishte një miliarder, kritika e thellë kundërkapitaliste e të cilit u vlerësua shumë edhe në Forumin Ekonomik të Davosit. Një tregtar valutash që dikur llogaritej si njëri ndër tridhjetë njerëzit më të pasur në botë, mirëpo që më pas pjesën më të madhe të pasurisë së tij do t’ia dhuronte fondacionit të tij. Fondacioni i tij për shoqëri të hapur për nga madhësia është fondacioni i tretë filantropik në botë, menjëherë pas fondacionit të Gates-it. Gjersa Bill Gates-i përpiqet të zbusë dhimbjet e botës, p.sh. duke çrrënjosur malarien, Sorosi dëshiron që atë ta përmirësojë, p.sh. përmes projekteve arsimore ose përmes kapitalit fillestar për migrantët. Ai dëshiron ta jetësojë atë ideal të cilin dikur një njeri që gëzonte admirimin e tij, filozofi Karl Popper, e formuloi si antipodin e totalitarizmit: shoqërinë e hapur.
Një zyrë në katin e 38-të të një qiellgërvishtësi këndëmprehtë prej qelqi në Nju Jork. Aty rri ulur Michael Vachon, këshilltari privat i Sorosit, duke vrarë mendjen: si erdhi puna që shefi i tij, nga njëri ndër filantropët më të respektuar në botë, të kthehej në njërin ndër njerëzit më të urryer në botë? Me 2017 Vachon nisi të bënte një analizë sentimentesh, për të llogaritur se sa i madh ishte ky problem në të vërtetë. Një lakore ngjyrë portokalli në ekran-in e tij të kompjuterit i shfaq përmasat e tij. Ajo i tregon reaksionet në rrjet ndaj emrit Soros: dhjetëra mijëra referenca në javë, në ndonjë javë pothuajse 100 për qind syresh negative. Grafiku tregon lakoren e zjarrtë të urrejtjes.
Dy veta e dinë përgjigjen në pyetjen e Vachon-it. Njëri prej tyre është i vdekur, tjetri, një mëngjes qershori me diell të vitit 2018, është ulur në bufenë e begatë të Westin Grand Hotel-it në Berlin. Një burrë me fizikun e një vrapuesi maratonik, hollak dhe i gjatë, me një tullë dhe fytyrë të rruar xixë, sytë e kaltër të palëvizshëm ia qarkon një ram syzesh prej briri. George Eli Birnbaum erdhi në jetë me 1970 në Los Anxhelos. Emrin e mori, thotë Birnbaum, nga i gjyshi. Atë ia kishin pushkatuar nacistët para syve të të birit, i cili i shpëtoi për pak holokaustit dhe u arratis jashtë vendit.
Mirëpo deri në Atlanta, ku Georgu i ri u rrit, familja i përndiqej nga antisemitizmi. Sa e sa herë shkolla e tij private çifute spërkatej me parulla antiçifute. Gjëra që s’harrohen. Për çdo fundjavë i jati ia jepte gazetën «Jerusalem Post». “Shiko më parë se si i kanë punët çifutët, dhe vetëm më pas bëj kujdes për botën tjetër”, i thoshte ai. Kësisoj brenda Birnbaumit rritej vetëdija se vetëm një shtet i fortë izraelit mund t’i mbronte çifutët nga një holokaust i ri.
E ka të vështirë të flasë mbi këtë temë, dhe është hera e parë që shprehet para një gazetari për të. Mirëpo pikërisht ky farë George Birnbaumi kishte kontribuar definitivisht që të djathtat e reja të forcohen nëpër botë dhe që antisemitizmi të shndërrohej sërish në një armë politike. Duke lidhur në shtyllën e turpit një çifut: George Sorosin.
Kandidati
Gjithçka filloi para 23 vitesh me atentatin kundër kryeministrit Yitzhak Rabin. Me 4 nëntor të vitit 1995 u gjakos për vdekje shpresëdhënësi më i madh i paqes që kishte pasur ndonjëherë Izraeli. Pas atentatit u shpallën pa vonesë zgjedhjet e reja. Kandidatët: Shimon Peres, një socialdemokrat i gjeneratës së themeluesve, që synonte të vazhdonte procesin paqësor të Rabinit, dhe përkundruall: Beniamin Netanjahu, një këshilltar biznesor, rishtar, i djathtë. Shumë analistë i morën me tallje ambiciet e Netanjahut. Në sondazhe ai mbetej mbi 20 për qind prapa Peresit.
Mirëpo papritmas partia Likud e Netanjahut e bombardoi vendin me spote zgjedhore të zymta: “Peresi do ta ndajë Jerusalemin”, thoshte slogani. Kjo gjë shkaktoi pasiguri te shumë votues. Kjo fjalia, ndërkaq, s’ishte veçse një sajesë, shimon peresi s’kishte ndonjë plan të tillë. Në ditën e votimit gara midis Peresit dhe Netanjahut ishte shumë e ngushtë. Rreth orës 22 stacionet televizive, pas prognozave të para, shpallin fitoren e Peresit me një diferencë tejet të hollë. Në këtë situatë Netanjahu kërkon telefonin dhe thërret Arturin përmes drejtuesit të fshehtë të fushatës. Artur Finkelstein gjendej në Nju Jork, mirëpo sakaq arrin receptorin. Netanjahu nuk duhet të brengoset, thotë ai, “zgjedhjet ‘e ngushta’ unë gjithnjë i fitoj.”
Artur Finkelstein ishte një gjeni, thotë Birnbaum. Finkelstein qe një njeri i numrave, një i ashtuqiajtur pollster (sondazhist). Këta janë këshilltarë politikë që për klientët e tyre zhvillojnë taktika dhe strategji në bazë të poll-sondazheve. Pollsterët përpiqen që opinionet, disponimet, gjërat që i bashkojnë ose i ndajnë njerëzit t’i shquajnë, me qëllim që klienti t’i shfrytëzojë në interesin vetjak.
Ndonjëherë pollsterët zhvillojnë edhe fushata. Në Izrael Finkelsteini krijoi madje dhe një kandidat: ai farë Benjamin Netanjahu, i cili në maj të vitit 1996 kandidoi kundër Shimon Peresit, ishte krijesë e tij. “Çfarëdo që bënte Bibi gjatë fushatës zgjedhore, përcaktohej nga Arturi, shkruajnë biografët e Netanjahut, Ben Kaspit dhe Ilan Kfir.
Finkelstein ishte një person diskret. Vetëm dy fjalime prej tij mund të gjenden në rrjet. Askush s’ia delte ta ‘kapte’ fizikisht të tërin, madje as edhe klientët e tij. Në ditën e zgjedhjeve nuk ishte kurrë i pranishëm. Në “fushëbetejë” punonin njerëzit e tij, ‘çunat e Arturit’, siç i quanin të tjerët. Informacionet për Finkelstein-in mund të mblidhen me zor, mund të gjenden shënime në shtypin izraelit dhe në atë hungarez, përmendet aty këtu nëpër akte, ndërsa boshllëqet plotësohen përmes bisedave të një duzine insajderësh dhe jo vetëm nga vetë George Birnbaum.
Finkelstein është peri i kuq që përshkon historinë më të re të republikanëve, që nga Ayn Rand, përmes Riçard Niksonit deri te Donald Trumpi. Në kolegj ai u njoh me Randin, nënën e lëvizjes libertariane. Më vonë ai ndihmoi Barry Goldwater-in legjendar, i cili nga mesi i viteve 60 i rishpiku republikanët nga e djathta. Finkelstein i mbijetoi skandalit të Watergate-it, qe pjesëmarrës në fitoren zgjedhore të Ronald Reganit me 1980, punoi me Georg-Bushin, senior-in, si dhe për një sipërrmarrës me emrin Donald Trump. Këtij të fundit ai i profetizoi karrierën politike. Skuadra e fushatës së Trumpit përbëhej nga “Çunat e Arturit”: nga Larry Weitzner, Tony Fabrizio dhe miku i tij i moçëm, Roger Stone. Edhe Richard Grenell, ambasador i SHBA në Berlin, ishte i lidhur me Finkelstein-in, ashtu si dhe David B. Cornstein, ambasador i SHBA në Hungari.
Lidhjen midis Finkelstein-it dhe komunikimit modern republikan mund ta përcaktojmë edhe në këtë mënyrë: në kohën e tij, si një pjesëmarrës qendror i fushatës së Ronald Reganit, ai garoi me atë sloganin çuditërisht të zymtë dhe thellësisht reaksionar, që sot e dinë të gjithë: Let’s make America great again. (Ta bëjmë sërish të madhe Amerikën).
Frika si karburant
Finkelstein me këtë rast ndiqte vazhdimisht një formulë të cilën ai e perfeksionoi më tej: fushatë negativiste. Në rastin e kësaj metode të luftës elektorale bëhet fjalë që në vend se të ngresh lart programin vetjak, të sulmosh fushatën e kundërshtarit. Pikënisja e Finkelstein-it: çdo zgjedhje është e vendosur qysh para zgjedhjeve. Shumica e njerëzve e dinë që nga fillimi se kë duan të votojnë, për çfarë janë pro dhe për çfarë kundër. Dhe është tmerrësisht e vështirë që t’i bindni për të kundërtën.
Thënë shkurt e shqip, është shumë më e kollajshme që njerëzit të demotivohen se sa të motivohen. Në këtë mënyrë kundërshtarit mund t’i shkaktohen humbje vendimtare votash. Kjo gjë sot quhet voter suppression (shtypje e votuesve). Brad Parscale, drejtues i fushatës digjitale të Trump-it, e përshkruan këtë si njërin ndër instrumentet më të rëndësishme të zgjedhjeve të 2016-tës. Kjo metodë lexohet si një mënyrë veprimi e populizmit të djathtë modern.
Finkelstein, fillimisht një programues në industrinë financiare, mblodhi të dhëna si një pollster mbi popullatën, si mosha, vendbanimi, kandidati i parapëlqyer, qëndrimi politik, numri i vizitave në kishë. Talenti i tij konsistonte në faktin e zbulimit të modelit. Cilat janë temat qendrore ose të mesit, ato që u interesojnë më së shumti njerëzve? Cilat dhembin më së shumti? Esencialisht, ai së shpejti e vuri re, ato janë shpesh të njëjtat gjëra: drogat, kriminaliteti dhe ngjyra e lëkurës. Ajo ishte cutting, shkroi ai me 1972 në një memo për Riçard Niksonin. Synimi i Finkelstein-it ishte polarizimi maksimal i elektoratit. Ndërsimi i tyre kundër njëri-tjetrit. Frika si karburant. “Duhet sjellë asisoj, sikur rreziku të vijë nga e majta, e këshillonte ai Niksonin. Ai duhej të përcaktonte subjektet nga të cilat kishte frikë popullsia.
Përgjithësisht sulmi është një detyrë. Kush nuk sulmon i pari, do të rrahet nga tjetri. Ndërsa Finkelstein-i i personalizonte gjërat. Secila fushatë ka nevojë për një armik që duhet mposhtur. Fushatën negativiste e zhvilloi ai më tej në një teknologji të cilën e emëroi rejectionist voting (votë refuzuese). Ideja ishte që të mos flitej për avantazhet e kandidatit vetjak, por që gjithçka e keqe të projektohej mbi konkurrentin për të shkatërruar besimin e zgjedh-ësve të tij. Me këtë rast ai nuk shfaqte asnjë konsideratë për gjendjet shpirtë-rore. Ai bënte detyrën e tij ashtu siç një avokat do të mbronte një vrasës.
Në hapin final Finkelstein-i, duke ndjekur këtë metodë, i vendoste kundërshtarit një grackë: ai lëshonte në opinion një akuzë të paprovuar, duke llogaritur që kundërshtari, gjatë përpjekjeve për ta hedhur poshtë, të ngatërrohej. Sapo që kundërshtari të reagonte kundër akuzës, ai do të asociohet (bashkëshoqërohet) me të. Mirëpo në rast se ai do ta injorojë akuzën, atëherë ai do ta lërë atë të pakontestuar. Në rastin më të mirë vetë akuza do të ishte aq mbresëlënëse ose shokuese, sa mediat do ta shumëzonin e përhapnin.
Finkelstein u bë i famshëm me faktin që nocionin “liberal” arriti ta barazonte e të kthente në një fjalë të pistë, në një sharje. Kundërshtarët i quante “ultraliberalë” “liberalë të çmendur” “liberalë të turpshëm”. Mark Mellmann, një guru i fushatës së demokratëve, e quan këtë Pinket-Think: “ta stigmatizosh dikë si liberal, ta fyesh, ta shash, me përsëritje të panumërta.” Metoda qe e thjeshtë, mirëpo efikase, me gjasë, askush më shumë politikanë se sa Finkelstein-i nuk kishte çuar në Kongresin Amerikan.
Drejt Europës
Në Izrael Finkelstein-i zbaton komplet recetën e vitit 1996: ai hedh shigjeta kundër Peresit nga të gjitha kanalet. Sloganet e tij të shkurtra e të forta gjenden në të gjitha mediet. Në talk-show-n final Peresi bie në grackë: ai dëshiron të sqarojë menjëherë se nuk planifikon të ndajë Jerusalemin. Netanjahu e ka tani gjithë diskutimin në dorë. Kur Peresi zgjohet në mëngjes një ditë pas zgjedhjeve, Netanjahu është tashmë kryeministër. 50.5 kundrejt 49.5 për qind.
Kontratën izraelite Finkelstein-i e kishte fituar me ndërmjetësimin e mikut dhe klientit të tij, Ron Lauder, trashëgimtarit shumëmiliardësh të imperiumit kozmetik dhe financuesit të atëhershëm të Netanjahut. Fillimisht bëhej fjalë për një angazhim anësor. Asokohe Finkelstein ishte i angazhuar në fushatën kundër rizgjedhjes së Bill Klintonit.
Në Izrael Finkelstein-i zbulon se formula e tij mund të funksiononte dhe në vende të tjera. Që nga fitorja e Netanjahut të gjitha partitë investohen në fushata negativiste, duke u bazuar përkatësisht në Finkelstein-in. Ai qëndron pas fitores së papritur të Sharonit më 2001, duke u pasuar më vonë me Avigdor Lieberman-in, një klient akoma më djathtas. Fitoret në Izrael shënjojnë fillimin e një faze të re: Finkelsteini i kthen sytë nga Evropa. Për këtë qëllim ai nis bashkëpunimin me George Eli Birnbaum-in, njeriun me figurën e një vrapuesi maratonik. Që të dy krijojnë një ekip, i cili do të përbëjë më vonë trashëgiminë e errët të Finkelstein-it, përbindëshin e tij.
Birnbaum është një nga çunat e Arturit. Birnbaumi thotë se e kishte njohur yllin misterioz të republikanëve në Uashington në mesin e viteve 90. Asokohe ky djalë i ri i dërgonte Finkelstein-it për çdo mëngjes sondazhet e mbledhura stivë. “Çfarëdo që bënte Arturi bazohej në numra”, kujton Birnbaumi. “Mirëpo askush nuk mund të lexonte nga numrat ato që lexonte Arturi.”
Nga jashtë Finkelstein-i ishte një mister, një strateg që punon për të djathtën. Mirëpo Birnbaumi së shpejti do ta njohë Arturin privat. Miqësor, sharmant, briliant, dhe sërish një individ jopretencioz, përplot anekdota e barcoleta nga qarqet më të brendshme të pushtetit. Pinjoll i një familjeje nga Queensi, që tallej me rregullat çifute të kosherit. Një manjak i punës që xhepin sipër gjoksit të këmishës përherë e kishte të mbushur me lapsa e me blloqe shënimesh, ku hidhte çdo shkrepje intuite.
Midis botës së vrazhdë të politikës Arturi gjithmonë mbante të zgjidhur kravatën dhe ecte nëpër zyrë në çorape. Ai mund t’i lejonte vetes gjithçka, sepse ishte gjysma e djathtë e trurit të djathtë. Një ditë, – kështu i kishte treguar Finkelstein-i një bashkëpunëtori të tij, – shefi i shtabit të Reganit i ishte falënderuar me shkrim për faktin se “në zyrën ovale ai i kishte mbajtur këpucët mbathur”. Pasioni i tij ishin fushatat elektorale. Ato i kujtonin, – u kishte treguar studentëve në Pragë, – rërën e plazhit, e cila në shikim të parë duket gjithmonë e njëjtë, gjersa në fakt vazhdimisht ndryshon. Ja ku vjen një dallgë ose një stuhi, dhe gjithçka është ndryshe. Dashuria e tij, ndërkaq, u dedikohej dy vajzave të tij, si dhe burrit të tij. Artur Finkelstein, që ndihmoi të vinte në pushtet urrejtësin republikan radikal të homoseksualëve, ishte vetë një homoseksual. Donaldi ishte dashuria e tij e jetës.
Kapiteni dhe timonieri
Kur Finkelstein-i e pyeti me 1998 Birnbaumin nëse do të punonte në Izrael për Likudin, këtij i plotësohet një ëndërr. Edhe sikur rizgjedhja e Netanjahut të mos arrihej, të dy bashkë do të ishin një ekip. Finkelstein-i do të ishte kapiteni, Birnbaumi timonieri. Gjersa Finkelstein-i vej-e-vinte midis Nju Jorkut e Tel-Avivit, Birnbaumi mbante vendin e punës në Izrael, ku së shpejti do të bënte detyrën e shefit të zyrës për Netanjahun, do t’ia organizonte daljet publike, do ta përfaqësonte atë para shtypit, dhe sipas rastit, do të kujdesej për fëmijët e tij.
Me 2006 Birnbaumi themelon firmën GEB International me Finkelstein-in si partner. Të dy së bashku duan të kthejnë përmbys Europën Lindore. Birnbaum kërkon klientë, duke ofruar për shitje formulën e Finkelstein-it. Në Rumani ata ndihmojnë të vijë në pushtet Calin Popeskun Tariceanun, në Bullgari Sergei Stanishevin.
Në vitin 2008 në Hungari një burrë dëshiron të rikthehet në pushtet. Quhet Viktor Orban, ish-kryeministër. Me këtë rast do ta ndihmojë miku i tij i vjetër “Bibi”, Benjamin Netanjahu. Që të dy i lidh një miqësi e vjetër dhe e gjatë, aq e ngushtë, sa disa e cilësojnë si “Bromance”. E përbashkëta e tyre më e madhe, ndërkaq, s’është veçse puna e Finkelstein-it dhe Birnbaumit. Sipas së përditshmes “Haaretz”, Netanjahu ia ndërmjetësoi Orbanit të dy bashkëpunëtorët e tij. Puna nisi me 2008, kujton Birnbaumi, dhe fiton menjëherë një referendum, me të cilin Orbani dhe konservatorët e Lëvizjes Fidesz pozicionohen për zgjedhjet e vitit 2010.
Po ta përfytyrojmë Finkelstein-in si një artist, ai në Hungari përjetësoi bashkë me Birnbaumin kryeveprën e tij. Fillimisht ata u punësuan në Hungari për një vit, thotë Birnbaumi. Zyrtarisht për Fondacionin Szazadveg, të afërt me lëvizjen Fidesz. Për zgjedhjet e vitit 2010 ata u mbështetën në recetën e patentuar të Finkelstein-it, për të goditur pikat e dobëta të kundërshtarit duke mbajtur kandidatët vetjakë jashtë dritave të skenës. Kundërshtari, socialdemokratët në pushtet, u përmbyt me sulme të panumërta. Akoma edhe sot Birnbaumit i ndalet fryma nga habia kur kujton se me sa kollajllëk shkonte gjithçka. “Me 2010 ne socialdemokratët i hodhëm jashtë fushës qysh përpara zgjedhjeve.”
Kundërshtarët e rinj u gjetën së shpejti: Hungaria atëbotë vuante nga kriza financiare dhe duhej të shpëtohej përmes një infuzioni monetar. Kjo gjë, në anën tjetër, të çonte drejt diktateve kursimore prej kreditorit – Bankës Botërore, BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kësisoj, amerikanët i reakomandojnë Orbanit që të definonte si armiq “burokratët” dhe “kapitalin e madh” të huaj. Pason një zhvendosje masive nga e djathta në dobi të Fidesz-it, Orbani i fiton zgjedhjet me dy të tretat e votave.
Birnbaumi dhe Finkelstein-i, që vazhdonin t’i përkisnin rrethit të ngushtë të Orbanit, kishin tani një problem të ri. Gjersa fituesi i kënaqur i zgjedhjeve po përpiqej të ndryshonte kushtetutën, Finkelstein-it dhe Birnbaum-it sërish u mungonte një kundërshtar. Tashmë nuk kishte opozitë, thotë Birnbaum. Partia ultra e djathtë Jobbik si dhe socialdemokratët ishin në knock down, kusuri s’qenë veçse ca grupime të përçara. “Ne kishim një zyrtar me një shumicë historike, diçka që në Hungari nuk kishte ekzistuar kurrë.” Ju duhet ta mbani në lëvizje bazën. Duhet t’i jepni një arsye që të dalë jashtë sërish në ditën e ardhshme të zgjedhjeve. Kishte nevojë për diçka të fortë, siç është puna me atë të Trumpit të sotëm: “Ngrijeni murin!” (Build the Wall!).
Kundërshtari i përkryer
Formula e Finkelstein-it kërkon që çdo fushatë e suksesshme të ketë nevojë për një kundërshtar. “Mjeti më i mirë për t’i mbajtur të bashkuara trupat” – sqaron Birnbaumi. Arturi thoshte gjithmonë, se nuk bëhet luftë kundër nacistëve, por kundër Hitlerit, jo kundër al-Qaida-s, por kundër Bin Ladenit.” Mirëpo: kush mund të ishte një kundërshtar i tillë në Hungari? Ku gjendej kjo kuçedër flakëhedhëse të cilën do ta luftonte Orbani me ndihmën e popullit?
– Vijon –
*Das Magazin. Nga gjermanishtja: Bislim Elshani

Shume interesant dhe i frikshem si artikull . Sa mire qe Edvin trushkuluri nuk lexon dhe nuk kupton keto nivele.
Komplimenta Gressenegerit dhe perkthyesit Elshani