Strehimi, formula e re e kredive të buta për të pastrehët

redaktor

Programi i dhënies së kredive të mbyllura do të ndërpritet për t’u ardhur me një tjetër formulë në ndihmë të familjeve në nevojë. Programi i kreditimit do të zëvendësohet me atë të bonusit të strehimit, nga i cili përfitojnë më të varfëritë.

Në një intervistë për “DITA”, Drejtoresha e Strehimit, Aida Seseri shpjegon mekanizmin e përzgjedhjes dhe përfitimet që ato do të marrin në bashki.

Sipas znj. Seseri, në radhën e përfituesve nga programi, që janë në listën e të pastrehëve përfshihen; personat me statusin e jetimit, personat me aftësi të kufizuara, familjet e policëve të rëndë në detyrë, familjet rome, emigrantët e rikthyer, punëtorët emigrantë dhe punonjësit e Policisë.

Më poshtë një intervistë me drejtoreshën Seseri.

-Zonja Seseri, është folur vazhdimisht dhe janë dhënë premtime për uljen e të pastrehëve në vend, tani që jemi në fillim të vitit 2016, cili është plani i qeverisë dhe çfarë do të ndodhë me të pastrehët në Shqipëri?

Qeveria ka pasur një fokus të veçantë në fushën e strehimit social duke ndërhyrë me masa ligjore si edhe me fonde buxhetore. Vetëm brenda vitit 2015, janë miratuar tri vendime të Këshillit të Ministrave si dhe u hartua dhe diskutua në publik strategjia e strehimit social, për herë të parë, e cila pritet të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këto masa u vijnë në ndihmë njësive vendore, si autoritetet që janë përgjegjëse dhe administrojnë programet e strehimit.

Nga ana tjetër ministria prej tri vitesh po aplikon programin e granteve të vogla, të dedikuar për komunitetin rom dhe egjiptian, si shtresa që për shkak të pozitave të pambrojtura nuk mund të përfitojnë nga programet aktuale, që sot funksionojnë për strehimin. Në këto kushte Ministria e Zhvillimit Urban ju vjen në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke financuar projekte që bashkitë hartojnë për këto komunitete në zonat e tyre.

Ndërkohë që po kaq i suksesshëm është programi që po aplikojmë për projektet me eficencë të energjisë, që gjithashtu po zbatohet tek banesat në bashkëpronësi të ndërtuara para viteve ‘90, të cilat janë të amortizuara dhe kanë nevojë për ndërhyrje tek ato elementë që risin eficencën e energjisë (veshje me kapotë të jashtme dhe riparim fasadash, riparim tarrace, zëvendësim dyer-dritare, riparime elektrike dhe hidraulike, ndriçim etj). Këto banesa përzgjidhen nga bashkitë dhe miratohen nga institucioni ynë. Për këtë vit, do të përfitojnë disa bashki në veri të vendit, të cilët preken nga temperatura të ulëta sidomos në stinën e dimrit dhe janë njësi vendore të cilat nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga ndonjë program strehimi më parë. Nga programet e sipërcituara përfitojnë me qindra familje në mbarë vendin duke ju ardhur në ndihmë qytetarëve, përveç programeve ku ata aplikojnë direkt në njësite e tyre vendore.

-Cilat janë bashkitë që do të përfitojnë, mund të kemi emra?

Malësi e Madhe, Tropojë, Has-Krumë, Fushë-Arrës.

-Deri para disa muajve, bashkitë jepnin kredi të buta për familjarët e pastrehë, pse nuk vijon të jepen akoma dhe me çfarë do të zëvendësohen?

Aida Seseri
Aida Seseri

Më lejoni të saktësoj se programi i kreditimit të lehtësuar është një tjetër program që Ministria ka aplikuar deri tani, pra ka financuar, mbështetur tek vendimet e këshillave bashkiakë. Në fund të vitit 2013, ky program u vu nën kontroll nga qeveria, pasi bashkitë në mënyrë të pavarur miratonin lista që nuk përkonin as me kuotat e përcaktuara nga Ministria e linjës, sipas akteve ligjore dhe as me fondet buxhetore vjetore, duke shkaktuar jo vetëm një konfuzion tek qytetarët, por edhe një borxh ndaj bankave prej rreth 3 miliardë lekësh deri në fundvitin 2013. Ky borxh u likuidua në fillim të vitit 2014 nga qeveria.

Ministria ka mbështetur me financim këtë program deri në Qershor të vitit 2015. Reforma e re  territoriale  kërkonte një studim të ri të situatës për përcaktimin e  kuotave të reja në mbarë vendin. Me ndihmën e ekspertëve të UNDP-së  ne po  analizojmë situatën e strehimit për çdo njësi vendore duke identifikuar nevojat e qytetarëve sipas programeve. Theksojmë se puna për hartimin e strategjisë dhe konsultimi publik i saj, përforcoi nevojën e një programi që t’ju vinte në ndihme direkt qytetarëve pasi nga programi i kreditimit të lehtësuar përfitoi vetëm shtresa me të ardhura mesatare dhe jo qytetarët në nevojë.

Kjo diktoi nevojën që programi i kreditimit të zëvendësohet me atë të bonusit të strehimit, nga i cili përfitojnë më të varfërit.

-Për bonuset e strehimit janë adresuar vetëm 10 milionë lekë. Sa përllogaritet të jetë numri i përfituesve dhe cilat kategori do të favorizohen?

Po është e vërtetë, kjo shifër do të mbështesë rreth 100-150 familje me bonus strehimi, pasi kjo varet nga kërkesa dhe numri i pjesëtarëve për një familje që aplikon për këtë program.

-Në lidhje me aplikimet, kur do të mund të kryhen dhe si bëhet shpallja e fituesve?

Aplikimet do të bëhen nga bashkitë pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban, në muajin Janar të çdo viti referuar VKM, të shoqëruar me vendimin e këshillit bashkiak dhe argumentimin e procedurave, për të bërë sa më transparent procesin si edhe duke e monitoruar atë.

-Veç bonuseve të strehimit, janë edhe programi i banesave sociale dhe banesave me kosto të ulët. Cili do të jetë fokusi përgjatë këtij viti?

MZHU nëpërmjet Entit të Banesave po përfundon banesa në disa bashki të vendit si në Fier ku pritet të strehohen 40 familje, në Berat 34 familje në Librazhd 35 familje.

Në lidhje me banesat sociale po evidentohen bashki të reja, të cilat kanë toka në pronësi të tyre dhe që janë të gatshme për të ndërtuar.

-Për të qenë përfitues kërkohet një nivel i caktuar të ardhurash mujore, që jo për të gjitha këto familje, të cilat janë në listë pritjeje, sigurohet. Pra, shpesh janë të papërballueshme për xhepat e qytetarëve për rrjedhojë edhe të pasuksesshëm prej tyre. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?

1Pyetja juaj ka lidhje me programin e kreditimit të lehtësuar, ku familjet për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme nuk kualifikoheshin dot si përfitues, por theksoj se për të gjitha rastet që ju citoni, programi që ju vjen në ndihmë është bonusi i strehimit.

-Po nëse një çift i sapomartuar, kërkon të marrë një banesë me lehtësirat që të jep shteti, cilat janë hapat që duhet të ndjekë?

Për çiftet e reja, si për çdo kategori, aplikimi nis që nga plotësimi i të dhënave dhe formularëve në njësitë vendore ku ata jetojnë, e deri tek miratimi i tyre nëpërmjet vendimeve të  Këshillave Bashkiakë të qytetit. Ata renditen si përfitues sipas një sistemi pikëzimi të miratuar me ligj, që i referohet situatës së tyre sociale-ekonomike.

-Me ndarjen e re administrative, ministria ka ndryshuar edhe formulën për përfituesit, që do të zgjidhen nga radhët e familjeve rome, të policëve të rënë në detyrë, emigrantëve të sapokthyer etj. Si është kjo formulë dhe si do përfitojnë kategoritë?

Ndarja administrative nuk ka sjellë ndryshim të formulës, por ka ndryshuar numri i qytetarëve që kërkojnë të aplikojnë për strehim, respektivisht për çdo njësi, që tregon se sot nuk kemi po atë numër aplikantësh nga po ajo bashki para reformës. Kategoritë e sipërpërmendura kanë epërsi në kualifikim, pasi ligji i favorizon këto grupe në nevojë. Theksoj se deri në 6-mujorin e parë të këtij viti Ministria do të ketë një databaze për çdo njësi vendore ku të jenë të evidentuar të gjithë qytetaret që kanë kërkuar të përfitojnë në një nga programet e strehimit./DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *