Formula për fituesit e 2019-s tek degët e Shkencave Sociale

Ornela

Maturantët e shkollave të mesme të përgjithëshme, si dhe ata që janë në përfundim të studimeve në gjimnazet dygjuhëshe shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë më shumë shanse për të fituar studimet e larta në një nga programet e Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik 2019-2020.

Kjo pasi ky fakultet i vlerëson këto profile shkollash të mesme me koeficientin më të lartë, krahahsuar me llojet e tjera të gjimnazeve. Sa i takon formulës së fituesve për pranimet e 2019-s, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se: “Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4.

Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnazi gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes vlerësohen me koeficientin 1.2.

Vlerësimi më i ulët shkon për shkollat e mesme të kategorive profesionale, të cilat vlerësohen me koeficientin 1”.

Degët e studimit

Tre janë kriteret e miratuara për fituesit e rinj që do të përzgjidhen për të vijuar studimet në një nga gjashtë programet e këtij fakulteti.

Konkretisht, maturantët e këtij viti, si dhe kandidatët e viteve të mëparëshme mund të garojnë për të fituar studimet në këto degë: “Punë sociale, psikologji, shkenca politike, administrim dhe politikë sociale, filozofi, si dhe sociologji”.

Shpallja e fituesve në këto degë do të përcaktohet nga tre kritere, që janë: mesatarja e shkollës së mesme, ajo e provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe mesatarja e lëndëve të përcaktuara nga ky fakultet si lëndë preferenciale.

 Formula për fituesit e 2019

Sa i takon kriterit të parë, bëhet e ditur se: Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme do të ketë 40 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve.

Ndërsa nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore do ketë 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Lidhur me zbatimin e këtij kriteri, ekspertët e këtij fakulteti shtojnë se për maturantët që japin provim me zgjedhje lëndët: Qytetari, Psikologji ose Filozofi Sociologji do të aplikohet koeficienti 1.2.

Për maturanët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1. Lidhur me kriterin e tretë, është vendosur që nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në Shkencat Sociale përbën 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do të dalin nga radhët e maturantëve.

Në gruplëndët prioritet përfshihen: Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12). Për maturantët që kanë zgjedhur në vitin e fundit të shkollës së mesme si lëndë me zgjedhje Psikologji, ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11).

Këto janë kriteret specifike që maturantët duhet të përmbushin gjatë konkurimit për të fituar studimet në degët e këtij fakulteti. Ndërkohë që për të hyrë në grë për shkollat e larta të gjithë maturantët duhet të plotësojnë edhe kriterin e mesatares së shkollës së mesme që do të miratojë gjatë ditëve në vijim Këshilli i Ministrave.

Kreditet për secilin program studimi

Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të parë të studimit në këtë fakultet, referuar organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike.

Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome.

Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Tre kriteret për fituesit e 2019-s

  1. Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme vlerësohet me 40 për qind.
  2. Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës vlerësohet me 30 për qind. Për maturantët qëjapin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi dhe Sociologji aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa për maturantët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1.
  3. Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale përbën 30 për qind të vlerësimit. Konkretisht në këtëgrup lëndë përfshihen Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji dhe Sociologji (kurrikul mezgjedhje, klasa 12). Për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2. Ndërsa maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale (kurrikul bërthamë, Qytetari dhe Filozofi, klasa 10 e 11).

Koeficienti i shkollës së mesme

  • Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4
  • Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2
  • Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1.

 Si do zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2019

Aktualisht maturantët kanë nisur me përgatitjet për provimet e detyruara dhe me zgjedhje. Sipas udhëzimit të miratuar më herët nga MASR, provimet e maturës së këtij viti nisin në datën 7 qershor me testimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj.

Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.

Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët është provimi me zgjedhje I cili do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Për të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00.

Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta.

Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga

Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e ardhshme është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.

p.k/dita

Share This Article
1 Comment
  • Eksperimentoni, eksperimentoni se ca nuk kane deshire te rinjte te mesojne duke patur parasysh modelet qe ju serviren si te suksesshem ca eksperimentet konglomerate peruano-suedeze-kongoleze te kurrikulave arsimore me librat te ashtuquajtur te kurrikules anglosaksone qe se kush i perkthen nje Zot e di po qe nga 4vjet qe bejne ata shkolle te mesme ne vetem tre bejme, dhe perfundimi deshtim total dhe fiktivitet masiv ku nxenesi s di ç te zgjedhi dhe se ku do te perfundoje.
    Mjaft more me keto te ashtuquajtura reforma vendosni nje standart njehere e mire, kerkoini llogari mesuesve per pergatitjen e nxenesve e jo fasade.
    Vendosni konkurse nga universitete e korrigjimet te behen me korrigjues optik se dhe zyshat e gjimnazit u kenaqen me leket e kurseve se ne klase nuk bejne shpjegim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *