Pranvera Kola
Mesatarja e gjimnazit, koeficienti i përcaktuar për llojin e shkollës së mesme, si dhe nota e lëndës me zgjedhje janë tre kriteret vendimtare mbi të cilat Universiteti Bujqësor i Tiranës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve që do të mund të ndjekin për herë të parë studimet e nivelit “Bachelor” për vitin e ri akademik 2021-2022. Për pranimet e reja të këtij viti, maturantët do të garojnë për 6 programet e studimit në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, 3 programe studimi në Fakultetin e Shkencave Pyjore, për 3 degë në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit, tre degë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, si dhe 13 programet e studimit në Fakultetin e Bujqësisë dhe të Mjedisit.
Referuar këtyre kritereve, në garë për kuotat e reja të pranimeve në secilin prej këtyre fakulteteve do të mund të marrin pjesë të gjithë maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.5. Lidhur me kriterin e dytë, që është ai i rëndësisë së shkollës së mesme, secili prej fakulteteve ka përcaktuar tashmë edhe koefiçientin për shkollën nga vjen maturanti sa i takon përputhshmërisë me fushat dhe programet e studimit sipas përcaktimeve të departamenteve. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën me koefiçientët sipas shkollave të mesme për çdo program studimi për të pesë fakultetet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ndërsa kriteri i tretë është nota e provimit me zgjedhje të zhvilluar në Maturën Shtetërore.
Shumatorja e pikëve të siguruara nga këta tre tregues përbën edhe rezultatin final që maturanti apo kandidati siguron në garën e pranimeve të reja të këtij viti.Për çdo program studimi, renditja në listë nis me kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës deri tek kandidati me rezultatin më të ulët. Fitues do të jenë të gjithë maturantët që kanë pikët më të larta referuar numrit të kuotave të aprovuara për secilën degë studimi. Gjatë ditëve në vijim do të miratohen edhe kuotat e mundëshme të pranimit për secilin program.
Aktualisht maturantët po vijojnë me përgatitjet finale për tre provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje që do të zhvillohen përgjatë muajit qershor. Sipas udhëzimit të miratuar më herët nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, në datën 3 qershor maturantët do të zhvillojnë testin e parë në lëndën e gjuhës së huaj, për të vijuar katër ditë më pas, në datën 7 qershor me provimin e dytë në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ndërsa testi i matematikës do të organizohet në datën 11 qershor. Provimi me zgjedhje është edhe prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët për të përmbyllur Maturën Shtetërore 2021. Ky provim do të zhvillohet në datën 15 qershor. Po në të njëjtat data do të organizohen edhe testimet për maturantët që ndjekin shkollat e mesme profesionale.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve.Më tej, në udhëzim përcaktohet se provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve që jepen si provim i detyruar janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
Provimet e maturës së këtij viti do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. Maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi. “Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2021, i rijapin provimet në sesionin e dytë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar pak më herët nga MASR.
Kriteret e aplikimit dhe përzgjedhjes së studenteve në Ciklin e Parë (Bachelor) për vitin akademik 2021-2022
- Kriteret e pranimit në Bachelor
- Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm si dhe që plotëson:
- Kriterin e meritës. Nota mesatare e shkollës së mesme e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kriterin e rëndësisë së shkollës së mesme. Koefiçienti i përcaktuar për shkollën nga vjen, sa i takon përputhshmërisë me fushat dhe programet e studimit në FBU sipas përcaktimeve të departamenteve (shih listën dhe koefiçientët sipas shkollave të mesme për çdo program studimi)
- Nota e lëndës me zgjedhje
- Përzgjedhja e kandidatëve fitues (F) në programet e ciklit të parë: ”Bachelor” do të jetë rezultat i formules:
F = { (Mesatare VKM * Koeficient Profili * 0.9) + {Lënda me zgjedhje * 0.1}
Fakulteti i Bioteknologjise dhe Ushqimit
Fakulteti i Bujqesise dhe Mjedisit
Fakulteti i Ekonomise dhe Agrobiznesit
