Pranvera Kola – DITA
Garën për studimet e nivelit të dytë profesional dhe shkencor në degët e mjekësisë, kanë të drejtë ta vijojnë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar studimet e nivelit të parë në të njëjtën degë, si dhe në degë të ngjashme me profilin për të cilin konkurojnë.
Ndonëse të parët në përzgjedhje do të jenë kandidatët e diplomuar në ciklin e parë të studimeve në universitetet publike, të drejtë për të garuar për kuotat e nivelit master e kanë edhe të diplomuarit në strukturat private të arsimit të lartë në vend.
Por, përveç ngjashmërisë së degës, studentët duhet të përmbushin edhe një tjetër kusht në rastet kur aplikojnë për studimet e nivelit të dytë në programet e “Masterit shkencor”, që ka të bëjë me njohjen e njërës prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian (anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht dhe frëngjsht), certifikata e të cilave duhet të jetë e nivelit B1.
Afatet e konkurimit
Aplikimet për programet e ciklit të dytë tashmë kanë nisur, ku çdo kandidat i interesuar duhet të konkurrojë duke dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Pranimi i dosje në tre programet master të Shëndetit Publik, të cilat hapen për herë të parë gjatë këtij viti, do të vijojë deri në datën 20 tetor.
Në mënyrë të detajuar, dosja e konkurrimit që duhet të dorëzoni pranë sekretarisë mësimore duhet që të përfshijë: “kërkesën drejtuar institucionit të arsimit të lartë për programin e studimit që kërkoni të fitoni studimet, formularin e aplikimit, diplomën dhe listën e notave, ose fotokopje të njehsuar me origjinalin për ciklin e parë të studimeve që keni kryer”.
Në dosje duhet që të përfshini edhe Diplomën e Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose fotokopje të noterizuara të diplomës së Maturës dhe të Dëftesës së Pjekurisë, për ata që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2011. Gjithashtu, duhet të jetë në dosje edhe dëshmia e mbrojtjes së gjuhës së huaj e nivelit B1, fotokopje të dokumentit të identifikimit, dy fotografi dhe mandat pagesën e tarifës së regjistrimit. Pas datës 20 tetor nuk do të ketë me afat aplikimi.
Të njëjtat afate aplikimi do të zbatohen edhe për pranimet në programet e tjera mjekësore të nivelit të dytë. Autoritetet e Universitetit të Mjekësisë, bëjnë me dije se brenda tre ditësh nga mbyllja e aplikimeve, përkatësisht në datën 24 tetor, komisioni i ekspertëve të përzgjedhur do të shpallë listën e fituesve që plotësojnë kriteret për të vijuar studimet e larta në këto degë.
Kandidatët që do të jenë të pakënaqur mund të ankimojnë rezultatin dhe pasi të mbyllet edhe ky proces do të zyrtarizohet lista e finale e fituesve, të cilët duhet të bëjnë regjistrimin final si fitues.
Formula për fituesit
Duke qenë se fluksi i kërkesave për studime të nivelit të dytë është shumë herë më i lartë se sa kapaciteti i mundshëm i pranimeve që pritet të realizohen, drejtuesit e dikasterit të mjekësisë kanë përcaktuar edhe formulën që do të përdoret në shpalljen e fituesve. Konkretisht, përzgjedhja e fituesve do të bazohet në mesataren e gjimnazit dhe atë të studimeve të nivelit të parë “bachelor”. Secila prej tyre do të ketë një peshë të caktuar në llogaritjen e pikëve për fituesit.
Sipas vendimit të marrë nga ekspertët, mesatarja e përgjithshme e shkollës së mesme vlerësohet me 20 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, ndërsa mesatarja e studimeve të nivelit të parë “bachelor” vlerësohet me 80 për qind të ndikimit. Po ashtu janë përcaktuar edhe koeficientet me të cilën vlerësohen profilet e studimeve të nivelit të parë që kandidatët kanë kryer.
Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar formulën se si do të veprohet për shpalljen e fituesve duke marrë parasysh të tre treguesit e përmendur më lart, për kandidatët që do të garojnë në programet e masterit të shëndetit publik në nivelin profesional, si dhe atë shkencor.
Sigurimi i krediteve
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Mund të konkurojnë :
- Të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet “Bachelor” në shëndet Publik.
- Kandidatët që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në fushën mjekësore, ose në degë të përafërta me të.
- Të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet e “Bachelor” në universitetet publike ose ato private.
- Konkurruesit duhet të konfirmojnë edhe njohjen e njërës prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, nëpërmjet dëshmisë përkatëse të nivelit B1.
Formula e fituesve

